Gjendja në Europë dhe Implikimet e mundshme të BE dhe zgjerimit

nga Alberto Cutillo, Ambasador i Italisë në Tiranë

Janë bërë përpjekje të mëdha nga ana e BE për të trajtuar krizën ekonomike (në Europë). Pavarësisht kësaj, nuk ka ende përgjigjie konkrete. Shumë prej vendeve të BE, përfshi këtu edhe ato që kanë një GDP të lartë po përballen me një shkallë të lartë papunësie, investime të pakta, dhe politika të ashpra fiskale. Kriza greke nuk është trajtuar plotësisht dhe për pasojë mbetet ende njëfarë pasigurie. Edhe pse migrimi dhe fluksi i tanishëm i refugjatëve ka qenë i një shkalle më të lartë nga ç’pritej nga BE, për të parën herë po bën përpara drejt një evolimi pozitiv në dinamikat e saj të brendshme që lidhen me menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE. Për të parën herë, menaxhimi i kufijve kombëtarë të jashtëm do të bëhet një çështje e BE. Çelësi i zgjidhjes së çështjes së migrimit në BE, është parimi i solidaritetit. Ai përsëriti sërish së duhen shtuar përpjekjet për ta implementuar parimin e solidaritetit nëpër të gjitha shtetet e BE. Problemi i emigrimit fillimisht është konsideruar si problem i italianëve, ndërsa tanimë është kthyer në një çështje europiane. Bashkëpunimi i BE me Turqinë shihet si vendimtar në menaxhimin e krizës së migrimit. Megjithatë, është zhvillim mjaft pozitiv fakti që BE në një kohë kaq të shkurtër arriti të vendosë dhe të implementojë strategji dhe politika të reja në pajtim me politikat e përbashkëta të migrimit, siç është dhe strategjia e rizhvendosjes. Përgëzoj vendimin e qeverisë shqiptare për të mos ngritur barriera fizike në kufijtë shqiptarë siç kanë bërë disa prej shteteve të tjera të rajonit për të ndalur fluksin e refugjatëve. Shqipëria nuk gëzon kapacitetet e mjaftueshme për të pritur emigrantë.

Dalja e mundshme e Britanisë nga BE (Brexit) përbënte një pjesë të rëndësishme të diskutimit. Britania konsiderohet si një ndër anëtaret kryesore të BE. Momentalisht, liderët e BE kanë rënë dakord për t’i dhënë Britanisë një tjetër status përbrenda BE. Pavarësisht kësaj, në rast se kampi që mbështet daljen definitive të Britanisë nga BE, fiton në referendumin e qershorit, atëherë BE do t’i hynte një historie që nuk i dihet fundi. Dalja e mundshme e Britanisë mund të krijojë një sërë shqetësimesh që lidhen me sovranitetin, qeverisjen ekonomike dhe lëvizjen e lirë. Përsa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në BE, rruga drejt anëtarësimit të plotë është e gjatë. Për çeljen e negociatave, kërkohet përmbushja e jo vetëm kritereve politike, por edhe reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe një administratë publike e pavarur, si dhe konsensusi i të gjitha vendeve anëtare të BE për dhënien e statusit.

Në situatën e tanishme qarkullojnë dy ide kryesore të cilat i mbështesin shtete të ndryshme. Disa prej shteteve nuk janë të kënaqur me situatën e tanishme të BE dhe kanë një tjetër ide mbi domethënien e një Unioni gjithnjë e më të bashkuar, ndërkohë që ka shtete të tjera, ato të Ballkanit Perëndimor që duan të hyjnë. BE mund të zhvillohet në formë qarqesh të përqëndruara, me shpejtësi të ndryshme integrimi, ku një qark i vogël thellon integrimin ndërkohë që një qark më i madh ka një integrim më të çlirët. Në rast se një gjë e tillë ndodh, zgjerimi do të bëhej më i lehtë. Megjithatë, 60 vjetori i BE është momenti i duhur për të reflektuar mbi perspektivën e të ardhmes së BE dhe politikave të tij.

*Përmbledhje e redaktuar nga Hermesnews, e fjalës që mbajti sot Ambasadori italian Alberto Cutillo në takimin e Institutit shqiptar për studime ndërkombëtare, me temën: Gjendja e Punëve në Europë dhe Implikimet e mundshme të BE dhe zgjerimit

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet