Injoranca në kravatë - nga Doriana METOLLARI

Duke parë titullin kuptohet sot flas për veshjen. Njerëzit mund të blejnë një kostum firmato sepse duan të identifikohen me të. Disa e bindin veten se kjo mund t'i bëjë superiorë ndaj të tjerëve, të duken më profesionalë, por, mesazhi im është krej tjetër: mos lejoni që një veshje, apo diçka tjetër estetike, të veprojë mbi personalitetin tuaj. Është vetëm një veshje e cila shërben si formë.

Ju ka ndodhur ndonjëherë të rrini me një femër supermoderne që kur flet ngjan më një patë? Nuk është forma ajo që ju bën ju, është psikologjia juaj, është ajo çfarë ju bëni dhe krijoni me vetveten, fjalët që thoni, vendimet që merrni dhe mënyra sesi ju ballafaqoheni me botën. Vetëm atëherë veshja i jep më tepër formë identitetit tuaj, dhe mesazhi që i përcillni botës nuk do të jetë ai i një njeriu bosh. Mos investoni në formë aq sa në përmbajtje.

Përsonalisht nuk jam kundër estetikës, por këtë të fundit e kam parë gjithmonë të lidhur më një mesazh të brendshëm që secili prej nesh përçon. Nuk dua të gjykoj asnjë prej këtyre mesazheve, po merrem me nxjerrjen në pah të substanciales suaj. Jepini rëndësi vlerave, krijimit të vetvetes. Përqëndrohuni tek parfumi që përçoni me gjeste, fjalë, mendime. Jeni ju ata që i tregoni botës se kush jeni. Por nëse sipërfaqja juaj influencon sadopak pozitivisht psikologjinë, dhe ju bën të ndjeheni mirë me veten, jepini rëndësi por jo të gjithën.

Një zgjidhje për mendimin tim mund të jetë "një vallëzim" mes të dyjave. Mund të jeni ata që doni të ndiqni modën, të krijoni një stil, por do ta kuptoni botën më mirë nëse do të reagoni ndaj saj me mënyra të zgjuara. Nëse nuk do ta kultivoni veten nepërmjet hobive, pasioneve, dëshirave, arritjeve, falimentimeve, atëherë nuk do të krijoni kurrë brenda jush modelin të cilin bota do ta respektojë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet