Jeta nuk është proçedurë

Nga Doriana Metollari

TIRANE - Eh, jeta, në fakt është një fjalë kaq e madhe sa dhe e vogël kur të vendosin në kushte për ta ndjerë si të tillë. Përpara se dikush të përdorë forcën, duhet të të bind, pastaj përdor autoritetin dhe në fund të vë prangat. E kam fjalën për operacionin e fundit kundër informalitetit në vend.

Flasim për njerëz krejt normalë, jo kriminelë, jo trafikantë, jo hajdutë, por njerëz që kanë bërë një faj tjetër. Kanë jetuar në një shtet, 'rrumpallë soji' për 20 vjet. Kanë kaluar nga një sistem diktatorial dhe kanë shfryrë me informalitet për dy dekada, pastaj dikush tjetër i ka ushqyer deri në palc, por ky është muhabet tjetër. Tani këta e dinë se duhet formalizuar ekonomia, e dinë se votuan për këtë, e dine sepse janë të parët që kërkojnë ligj, rend, drejtësi.

Shkurt hesapi nuk ka nevojë të lodheni shumë me këtë pjesë, por nëse ka diçka që po i shpëton policisë në këtë aksion kundër informalitetit është fakti që qytetarët kanë kaluar nvpër një sistem diktatorial dhe është e gjeja e fundit që duan, të përballen me forcën. Flas për këtë kategori që ka mbijetuar gjatë këtyre 20 viteve me një shtet inekzistent, që ka paguar nën dorë qoftë mjekun, qoftë policin, qoftë punonjës administrate, Ka qenë ai ish shteti që e ka ushqyer vetë një mbijetesë të tillë.

Dhe këta janë thjesht produkt i tij dhe plus njerëz që kanë ushqyer familjet me një biznes ilegal. Janë njerëz që i kanë rritur fëmijet e tyre, u kanë dhënë shkollë, pa u marrë me krime. Kanë biznese ilegale por nuk janë kriminela. Në mesin plehrave këta njerëz nuk meritojnë të trajtohen si të tillë, sepse nuk është faj të kesh jetuar në Shqipëri.

Tani, në gjithë këtë mori, nuk ka kriminela dhe të shenjtë, ka njerëz që nuk janë as njëra as tjetra, janë ata që kanë mbijetuar. Cfarë duhet të bëjë një person i tillë, kur policia i vë prangat 'arrest në flagrancë', e lë 72 orë në paraburgim, pastaj gjykata dhe ndonjë vit burg në emër të informalitetit.

A e mendoni se çfarë ndodh brenda një njeriu normal që kalon 72 orë në një dhomë të ngushtë, pas hekurave ? Cfarë kalon nëpër psikologjinë e një njeriu familjar, që aty për aty mendon se jeta e tij u mbyll me kaq. Pastaj të gjithë i kanë dëgjuar emrin në televizor ? Si del jashtë, se në burg shkojnë vetëm kriminela ? E pra, një kriminel nuk e var veten, nuk e var se e ka lëkurën shollë. Po të tillë njerëz dhe e varin veten. A njeri ta mbajë në ndërgjegje këtë pakicë ?

Cdo profesion ka anën e vet njerëzore le të themi. Nëse nuk e jemi njerëz, s'mund te jemi as gazetarë, as policë, as gjykatës. Jeta nuk është proçedurë. E qytetari para se të ndjehet i frikësuar, duhet të ndjehet i mbrojtur. Këta qytetarë të paktën, se për atë pakicën tjetër ku shkon me antiplumb policia nuk flas. Por kjo pjesa tjetër, janë prindërit tanë, njerëz të përditshëm. Dhe e dini se cila është më e keqja në gjithë këtë ?

Policia ka të drejtë ta bëjë këtë por nuk mund kurrsesi ta luajë këtë kartë me te gjithë. Prandaj jemi ne kushtet kur dikush duhet te gjeje nje rruge te mesme per te vene shtetin ligjor. Ata që kthehen nga jashtë e dinë fort mire se çfarë do të thotë të jesh në informalitet. por si i thone të përdorësh shpatën kudo, është diçka që mund të mos shkojë përtej detyrës, por përtej anës njerëzore po se po njëherë.

Author
Doriana Metollari

Doriana Metollari, është gazetare dhe Editore e platformes informative online Hermesnews.al, themeluar në Itali në vitin 2006. Ka menaxhuar dhe disa gazeta të tjera online po në Itali, një prej tyre dhe në bashkëpunimin me kompaninë 'Edizioni Vivere' në Le Marche. Ajo ka drejtuar po ashtu projekte për Bashkimin Europian dhe për OKBnë në fushën e të drejtave, kulturës, teknologjisë dhe gazetarisë. Libri i saj i parë 'G-online' është një manual bazë për komunikimin online, gazetarinë dhe mediat sociale.

Shkruaj një koment

0 Komentet