Jo protesta të papërgjegjshme!

Doriana METOLLARI

Ka një lloj papërgjegjshmërie euforike në protestat e studentëve. E nisën prapë për këtë vit. I harruan kushtet, dhe siç shumë i druheshim, sot kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Menduat se harroi opinioni publik, që nuk e donit politikën? Aspak. Megjithë tentativat e para për ti përdorur, mos i blenë partitë politike studentët tani? Atyre iu duhet euforia, ashtu siç iu desh euforia e shqiptarëve në vitet 90', për të sjellë në pushtet liderë që nuk bënë kurrë shtet, kurrë nuk u morën me pavarësinë e institucioneve seriozisht, forcmimin e të drejtave të njeriut, dhe të demokracisë. Ata i lanë shqiptarët e zhytur në varfëri, duke ia hedhur topin atij që do të vinte pas. Po, këtyre iu duhet euforia e të rinjve, sepse kete energji e duan njerëzit. Qytetaret e duan, sepse është e pa manipuluar, sepse shohin një shpresë për veten, për fëmijët, për vendin. Këta duan ta gëlltisin për vete këtë shpresë.

Nëse kanë blerë një pjesë të studentëve, u mjafton sa për të krijuar trazira. Po, trazira. Asnjë shqiptar nuk e do këtë. Në kaos gjithçka mund të ndodhë. A nuk është evidente se jemi përballë betejes së dy grupeve të mëdha që viktimat i justifikojnë me ''efekte kolaterale''?

Nuk më shqetëson rrëzimi i Ramës, më shqetëson fakti se ata që do të vijnë nuk do të ndreqin asgjë. Do të punojnë mbi të njëjtat baza, mbi të njëjtën politikbërje. Nuk duam që vendi të qeveriset siç është qeverisur. Jepini kohë vendit, duke bërë presion për reforma, ligje dhe dosje. Mos kërkoni qiqra në hell. Të mos guxojë asnjë parti ti largohet përgjegjësisë për votuesit e vet, duke ia hedhur fajin partisë tjetër, sepse kjo do të jetë thjesht lojë mes tyre. Nuk i japin leje më shqiptarët për të luajtur me fatin e tyre. Transformimi kalon përmes ndërgjegjes. Nuk ka rëndësi kush qeveris, rëndësi ka që Shteti të mos jetë koncept i lidhur më partinë, dhe partia me drejtësinë, por me qytetarët dhe për qytetarët. Në këtë vend, të gjithë ne, pavarësisht krahëve politike, duhet ta ndjejmë veten të pranueshëm dhe të ndërtojmë.

Tani na duhet rezistencë paqësore. Të gjithë kemi të drejtë të largohemi për një jetë më të mirë, por jo sepse këtu s'ka shpresë. Ne e shohim të ardhmen në miratimin e ligjeve, ne e shohim të ardhmen në mirëqenie, në punë, në kreativitet, pa dhunë! Prokuroria duhet të funksionojë! Mos përdorni më banorët e Astirit sepse atë projekt e bëtë ju që patët frikë nga dita kur do të vinte Shteti . Votoni ligjet! Nuk ka rëndësi nëse nuk e doni Vettingun, e duan shqiptarët. Votini ligjet, ose largohuni, pa dhunë.

Asnjë parti nuk i drejton qytetarët para dyerve të prokurorisë dhe gjykatave, por tek kryeministria, sepse në fakt është ajo që i intereson (marrja e pushtetit, jo Drejtesia). Brenda atyre dyerve janë të gjithë. Atëherë le të shkojmë ne qytetarët atje ku duhet. Le të rezistojmë para atyre dyerve. Në e dimë se cilat janë shtyllat tona. Boll, nuk nuk jemi më me ju, ju nuk doni, jemi me veten tonë. Duam ne.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet