Kina trondit tregjet financiare botërore

Disfata në Azi, me një të hënë të zezë në Shangai, u përhap në Europë dhe më pas në Wall Street, që u mbyll me humbje, treguesi DJIA humbi 3,58 për qind ndërkohë që

Washington - Tregjet financiare ndërkombëtare njohën dje një ditë të zezë që po vazhdon edhe sot duke kujtuar kështu orët më të vështira të krizës së vitit 2008, në tregjet e bursave aziatike rriten shqetësimet përballë efekteve të mundshme të ngadalësimit të ekonomisë kineze në rritjen e ekonomisë botërore.

“Dita u mbyll me lëvizje masive në të gjitha tregjet, ulje të aksioneve, rritje të euros përballë dollarit dhe të gjitha këto në përmasa të mëdha”, theksoi Erik F. Nielsen, kryeekonomist në Unicredit.

Disfata në Azi, me një të hënë të zezë në Shangai, u përhap në Europë dhe më pas në Wall Street, që u mbyll me humbje, treguesi DJIA humbi 3,58 për qind ndërkohë që ai i Bursës elektronike Nasdaq humbi 3,82 për qind.

Në Evropë, Bursa e Parisit u mbyll me ulje me 5,35 për qind pasi kishte përhapur panik në mesditë duke humbur më shumë se tetë për qind në seancë. Frankfurti u mbyll me një rënie prej 4,70 për qind ndërkohë që Londra shënoi rënie me 4,67 për qind, Madridi 5,01 për qind dhe Milano 5,96 për qind.

Kina dominon ende shqetësimet e investitorëve, ndërkohë që treguesit dëshpërues janë të lidhur duke dëshmuar ”mbytjen” e ekonomisë së dytë botërore, dikur uzina e botës dhe tregu më i lakmuar.

Pyetur për këtë çështje, presidenti francez, François Hollande, në vizitë në Berlin, u shpreh optimist duke theksuar se ekonomia botërore ishte mjaftueshmërisht solide, pasi rritja e saj nuk lidhet vetëm me situatën në Kinë.

Ndërkohë që kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh e bindur se Kina do të bëjë gjithçka që është në pushtetin e saj për të stabilizuar situatën ekonomike, duke nënvizuar se ajo është një partner i rëndësishëm për të gjithë ne në Bashkimin Evropian.

“Mendoj se problem është rritja e ekonomisë kineze”, deklaroi ministri britanik i Financave, George Osborne, i pyetur gjatë një konference shtypi në Stokholm për rënien e tregjeve financiare kineze.

Muajt e fundit, qeveria kineze ka ndërhyrë disa herë në tregjet financiare, në përpjekje për të ruajtur “momentin” për ekonominë. Megjithatë, zhvlerësimi i juanit nga Banka Qendrore dy javë më parë ngjalli shqetësime të reja në mbarë botën se, gjendja mund të jetë më e keqe nga sa mendohej fillimisht.

Një monedhë kombëtare më e lirë ul çmimet e eksporteve kineze, duke i bërë më joshëse për firmat globale, e kjo u konsiderua si shenjë e vështirësive me të cilat mund të jetë duke u përballur vendi.

Turbulencat në tregjet e bursave botërore kanë ngjashmëri shqetësuese me përhapjen e virusit të krizës ekonomike aziatike në vitin 1997, por vendet e Azisë juglindore janë sot të mirëarmatosura për t’i rezistuar tronditjeve.

Presioni mbi monedhat rajonale, një degradim i perspektivave ekonomike dhe një ngadalësim i rritjes ekonomike kishin prekur rëndë në atë kohë ekonomitë në zhvillim.

Por, fundi i sistemit të kursit të këmbimit fiks është ndryshimi kryesor sot, që duhet të bëjë në fakt që këto ekonomi të dobësohen pa bërë kolaps, nënvizojnë ekspertët.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet