Dom Gjergj Meta

Kjo Shqipëri-foshnje ...

nga Dom Gjergj Meta

E dini si më duket nganjëherë Shqipëria dhe problemet e saj në krahasim me Europën?

Kur isha fëmijë, e në familje vinin njerëz, të afërm ose jo, dhe ishin të angazhuar në biseda shumë serioze për të zgjidhur një çështje apo disa syresh, unë gjeja mënyrën për të sajuar ndonjë rreng që vëmendja të kthehej nga unë.

Shpesh, sidomos herët e para e fitoja vëmendjen, por herë të tjera situatat e të mëdhenjëve ishin aq të rëndësishme saqë nuk i binte kujt ndërmend për mua. Por edhe ishin mësuar me mua.

Atëherë filloja e zihesha me vëllanë më të vogël e ai me mua. Por qëllonte që ai nuk ishte fare ose ishte në gjumë.

Në këtë rast filloja e zihesha me veten time, ngatërrohesha me ndonjë objekt ose litar aty nëpër shpi, e lidhja dhe e zgjidhja kot vetë, me shpresën se dikush do vinte të më çlironte nga gjërat që vetë kisha sajuar. Por me kalimin e kohës askush nuk e kishte më mendjen te unë.

Fati i madh është se ky fëmijë u rrit e, mirë a keq, ka bërë zgjedhjet e veta, gabimet dhe arritjet e tija. Si unë edhe shumë të tjerë sigurisht.

Por rritja nuk qenka e mirqenë për të gjithë. Prandaj duke dalë jashtë metaforës, kjo shqipëri-foshnje, ende e parritur, vazhdon të kapet me veten e vet, zien ndër vete e nuk vendos të rritet.

Ndërkohë "të mëdhenjtë", Evropa & USA, kanë punët e veta e ndoshta do të vijë një moment që nuk do pyesi kush më, do të mësohen me mbrapshtitë tona e do na lënë, sikurse na lanë 50 vjet nën komunizëm. Çështja është se "nën kë" mund të ndodhë të mbetemi?

Megjithatë larg qoftë e mos e thashtë Zoti. E Shqipëria u rrittë e hyftë në familjen evropiane. E kjo familje e prittë krahapur, së paku te dera, në qeshor që do të thotë në zhargon të thjeshtë: hajdeni të merremi vesh (këtë kuptim ka fjala negocim e përkthyer për ata që ndoshta nuk e kuptojnë).

Ndoshta deri atëherë jemi marrë vesh me njëri-tjetrin e nuk zihemi me veten ... Ndoshta!

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet