Kollaj të kërkosh një kupon

Nga Doriana Metollari

TIRANE - Është një velo morali që Kryeministri Rama po përpiqet t'i hedhë të vetëve, në tentativën për të vënë një standard në radhët e socialistëve dhe për të dalë një ditë në një fushë me lojtarë të pastër publikisht. Një standard që - të paktën - Europa e ka aprovuar me kohë, pastaj dihet që dhe 'i forti' ka tjetër konsideratë në Shqipëri e tjetër në Europë. Imagjinoni se çfarë sigurie dhe respekti për policinë ka një deputet kur qëllon me armë në Komisariat. Çfarë koncepti për ligjin dhe shtetin ligjor ? Që një konflikt të zhvendoset në Komisariat kërkon pak kurajo dhe për kriminelat më të regjur, por ndoshta nuk janë të regjurit më të rrezikshmit. Më të rezikshëm akoma janë ata të cilët qëllojnë me armë para policisë ku pak më parë kanë shkuar të sqarohen ndoshta për konflikt. Çfarë shoqërie është kjo e jona ? Si duhet t'i kërkojë kuponin kamerierit qytetari kur një deputet gjuan me armë - të paktën kështu pretendohet - në polici ? Këto janë kontraste shumë të mëdha për një vend normal. Dhe nuk është e drejtë që opozita t'a trajtojë në formë kaq të cekët. Cilat prova po ekzaminohen shkencërisht kur ngjarja ka ndodhur para policisë dhe arrestimi në flagrancë ? A do t'i hiqet mandati, deputetit ? A ka politikan të dënohet në këtë vend ? Dhe le të mos kërkojmë të bëjmë avokatin e djallit po le t'i themi të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë për t'u çliruar njëherë e mirë nga mjegulla. Në fakt duhej të ishim të gjithë në rrugë sot, për të kërkuar heqjen e mandatit, por shqiptarët kam për të patur vështirë t'i kuptoj. Askush nuk ka kurajon të dalë e të thotë "mbreti është lakuriq". Preferoj të mos largohem nga pyetjet sidomos kur nuk marr përgjigje. A do t'i hiqet mandati deputetit apo do të spostohet butësisht, në tentativën për të ndërtuar standarte të reja në politikë ? Rama dje nxori një femër për të dënuar një 'të fortë'. Është në stilin e tij. Në mënyrën sesi ai kërkon t'a kthejë plumbin në pambuk, por nuk është ky thelbi. Në Shqipëri nuk ekziston ndjenja e lartë për shtetin, nuk ka respekt për rregullin, ligjin. Nëse një i fortë nuk do të ndëshkohet, si mund t'i kërkohet që një fshatar të lirojë trotuarin ? Që të fortët të kalojnë ?

Author
Doriana Metollari

Doriana Metollari, është gazetare dhe Editore e platformes informative online Hermesnews.al, themeluar në Itali në vitin 2006. Ka menaxhuar dhe disa gazeta të tjera online po në Itali, një prej tyre dhe në bashkëpunimin me kompaninë 'Edizioni Vivere' në Le Marche. Ajo ka drejtuar po ashtu projekte për Bashkimin Europian dhe për OKBnë në fushën e të drejtave, kulturës, teknologjisë dhe gazetarisë. Libri i saj i parë 'G-online' është një manual bazë për komunikimin online, gazetarinë dhe mediat sociale.

Shkruaj një koment

0 Komentet