Korrupsioni dhe shteti i së drejtës në Shqipëri

nga Komiteti shqiptar i helsinkit

Komiteti Shqiptarë i Helsinkit (KSHH) studioi me vëmendje Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, për praktikat e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2015. KShH, duke mbështetur dhe vlerësuar gjetjet e rëndësishme të këtij raporti, i kërkon institucioneve shtetërore të reflektojnë dhe të marrin masa efektive për adresimin e problematikave dhe përmirësimin e gjendjes së respektimit të të drejtave të njeriut në vend gjatë vitit 2016.

Departamenti Amerikan i Shtetit evidenton si probleme më të rëndësishme, korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe në sistemin e kujdesit shëndetësor si dhe dhunën në familje dhe diskriminimin ndaj grave. Në mbështetje të këtij konstatimi, KSHH i rekomandon institucioneve ligjzbatuese në vend, të veprojnë me efikasitet në luftën kundër këtij fenomeni, i cili po pengon përparimin dhe zhvillimin e reformave të qëndrueshme në vend. Me këtë rast, KShH risjell në vëmendje faktin se, mbas liberalizimit të vizave për vendin tonë, vërehet se numri i shtetasve shqiptarë që largohen drejt shteteve të Bashkimit Evropian është rritur. Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve të azilit në BE dhe European Stability Initiative, azilkërkuesit që largohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Shqipërinë, në shumicë dërrmuese ikin për shkak të varfërisë, papunësisë dhe mungesës së perspektivës në vendet e tyre.

Gjithashtu niveli i lartë i korrupsionit po ndikon negativisht në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe ndëshkueshmërinë e veprave penale në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë të veprave penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se refoma në drejtësi do të jetë thelbësore në luftën kundër korrupsionit. Deri në miratimin e paketës kushtetuese dhe ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë, KSHH vlerëson se policia, prokuroria dhe gjykata kanë në dispozicion të gjitha mjetet ligjore për të vënë para përgjegjësisë penale çdo person që korrupton dhe korruptohet, pavarësisht nga statusi politik, funksioni, gjendja ekonomike ose çdo shkak tjetër që ka çuar në rritjen e nivelit të pandëshkueshmërisë në vend.

Raporti i Departamentit Amerikan, duke j'u referuar monitorimeve të kryera nga Avokati i Popullit dhe KSHHja në komisariatet e policisë dhe në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, vëren se problematikat e evidentuara në këtë drejtim, kanë të bëjnë me rastet e keqtrajtimeve nga policia, rastet e keqtrajtimeve të personave të dyshuar gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, rastet e ndalimeve të tejzgjatura të kryera nga policia pa akuzë si dhe kushte të rëndomta në burgje. Mbipopullimi në burgje dhe paraburgime sipas këtij raporti vlerësohet të jetë mesatarisht 24% më shumë se kapaciteti i këtyre institucioneve, ndërkohë që Institucionet ku ndeshet më shumë ky fenomen janë paraburgimet.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se, rritja e popullimit në institucionet penitenciare ka ardhur si rrjedhojë e ashpërsimit të politikës penale dhe kriminalizimit të disa formave të reja të veprave penale, ndërkohë që kapacitetet e institucioneve tona penitenciare nuk i përgjigjen politikës penale që është ndjekur në këto vite. Gjithashtu, Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se masa e sigurimit arrest në burg është ndër masat që aplikohet më shumë nga gjykatat, ndërkohë që arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit.

Zvarritja në hetimin dhe gjykimin e çështjeve është një tjetër problem që trajtohet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se kjo zvarritje sjell zbehjen e provave, nuk i shërben parandalimit dhe goditjes së kriminalitetit, ndikon në mbipopullimin në paraburgime dhe lëkund ndjeshëm besimin e shtetasëve ndaj organeve të drejtësisë. Në raportin e Departamentit Amerikan përmenden probleme lidhur me dhunën në familje, abuzimet ndaj fëmijëve, martesat e detyrueshme në moshë të re, numrin e shumtë të fëmijëve të rrugës kryesisht nga Minoriteti Rom, marxhinalizimin dhe abuzimin me komunitetin Rom dhe Egjyptian, diskriminimin për shkaqe te orientimit seksual dhe identitetit gjinor, angazhimin e fëmijëve në punë të detyruar, etj.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se, edhe pse kuadri ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme, në përputhje me standartet dhe direktivat e BE-së, zbatimi i këtij legjislacioni në praktikë është i dobët. KShH i rekomandon Komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi të jetë më aktiv në ushtrimin e kompetencave që i ngarkohen me ligj, ndërkohë që institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin më shumë masa pozitive që synojnë vendosjen e barazisë midis shtetasve si dhe nisma sensibilizuese anti diskriminim.

Së fundmi, Komiteti Shqiptar i Helsinkit e quan të nevojshme të shprehet për një bashkëpunim më të mirë, më të koordinuar dhe më efektiv, sidomos me ato organizata jofitimprurëse që veprojnë në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të shtetasve. /komunikatë/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet