Krimet e komunizmit nuk parashkruhen - nga Oerd BYKYLBASHI

E njihni atë shprehjen e urtë: Djallëzia më e madhe e Djallit ishte atëherë kur i bindi njerëzit, se ai nuk ekziston. Djallëzia më e madhe e komunistëve ishte atëherë kur i bindën shqiptarët, të harronin krimet e komunizmit.‎

Stalini vrau 20 milionë rusë. Mao Ce Duni, nën shembullin e Stalinit vrau 70 milionë kinezë. ‎Pol Poti, nën shëmbullin e Stalinit dhe të Mao Ce Dunit vrau 3 milionë kamboxhianë, ose një, në tre veta.‎ Hitleri nuk ua kaloi në sadizëm këtyre kriminelëve. Thjesht ishte një prej tyre.

Enver Hoxha vrau me mijëra shqiptarë, madje më shumë seç vranë gjermanët (për këtë sfida është e hapur për këdo që të provojë me fakte dhe emra po aq të vrarë nga pushtuesi, sa janë vrarë nga komunistët). Shumë prej tyre nuk u dihet varri, dhe kriminelat që i vranë nuk e pastrojnë ndërgjegjen, as duke treguar varret e atyre që vranë, e aq më pak duke kërkuar ndjesë.

Madje sot kanë marrë zemër e krenohen për regjimin e tyre kriminal. Edi Rama e filloi këtë me rehabilitimin e fotos së Enver Hoxhes, dhe sot po ngre në majat e pushtetit ekzekutiv ata që në fundin e diktaturës torturuan apo dhanë urdher për vrasje, në sheshe apo në kufi.

Por as Stalini, as Mao Ce Duni nuk i vranë vetë milionat.‎ Krimet e komunizmit janë krime kundër njerëzimit. Cdo krim ka një kriminel pas. Ky kriminel duhet çuar para drejtësisë. Duhen dënuar, jo vetëm hirarkët e Byrosë dhe Komitetit Qendror, por të gjithë ata që morën pjesë në krim.‎ Ashtu siç u bë me nazistët në Nuremberg, siç u bë me ta më pas nga Izraeli dhe të gjitha shtetet e civilizuara. Ashtu siç dënohen sot e kësaj dite. Janë krime që nuk parashkruhen kurrë.

Duke u vënë emrin e kriminelëve dhe dënimin e tyre përkrah çdo viktime, vetëm ashtu 23 Gushti do të ketë kuptim për shqiptarët si përkujtim i krimeve të komunizmit dhe fashizmit.

Vetëm kështu do ndahemi nga e keqja më e madhe, që u është bërë atyre ndonjëherë, Komunizmi.‎

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet