Kthejeni në një fushatë normale

nga Doriana METOLLARI

Nuk duam të na zërë koka këtë fushatë. Duam një fushatë ku njerëzit të ndalojnë vetëm një ditë për të votuar dhe jeta e tyre të mos përmbyset me ikjen e një Qeverie.

Administrata dhe bizneset të mos ndjejnë presione. Problemi i shqiptarëve nuk është vota, por shkelja e ligjit. Problemi i shqiptarëve nuk është partia politike, por kapja e tyre nga klanet. Problemi i shqiptarëve nuk është as e majta e as e djathta, por korrupsioni në vetvete. Për të gjitha këto njerëzit nuk kanë nevojë që t’i bindin se cila parti do ti nxjerrë në dritë, por të shohin eficensën e funksionimit të programeve që ato kanë.

Unë uroj që debati në këtë fushatë të mos e çojë vendin prapa me vite. Opinioni publik të mos marrë të njëjtën shije përçmimi, urrejtjeje, agresiviteti, servilizmi ndaj një force politike. Nëse njerëzit vendosin për forca të reja, pushtetit i duhet medoemos një kalim i butë, por me fytyrë të re përfaqësimi. Një debat ku primar të jetë qytetari, jo politikanët. Idetë, jo akuzat.

Orientimi i këtij debati shpresojmë të jetë mbi funksionimin e institucioneve të drejtësisë, SPAK, Gjykatës Kushtetuese dhe uroj fort që këto institucione të mos përdoren për të bërë presion mbi palët, por për të qëndruar në krah të ligjit. Uroj që partitë ta shkëpusin vëmendjen nga ''trupi i vet'' për të ndjekur dhe për të zbatuar një program politik, ku secili të ndjehet palë.

Uroj që këto zgjedhje t’i sigurojnë vendit një frymë demokracie, ku çdo qytetar të ndjehet i mbrojtur në lirinë e vet. Bëjini këto zgjedhje një ditë të zakonshme të diele, jo një periudhe me ngërçe stomaku për biznesmenët, dhe shqetësim për policinë e shtetit. Kjo është në duart e partive. Duam fushatë normale, duam te ndalojmë vetëm një ditë, jo një vit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet