Kur ikën gjermani i fundit - aty fillon fatkeqësia jonë - nga Edmond KAÇELI

Erdhi dhe iku ! Erdhi dhe iku një gjerman këto ditë. Këto ditë festash të mëdha për popullin shqiptar.

Sa për kujtesë:

28 nëntori - Festa e Flamurit dhe Dita e Largimit të gjermanit të fundit -për partinë demokratike dhe përkrahësit e sajë.

28 dhe 29 nëntori - Festa e Flamurit dhe Dita e Largimit të gjermanit të fundit, për partinë socialiste dhe përkrahësit e sajë.

Unë për arsye asnjanësie festoj vetëm Festën e Flamurit, ndërsa atë të largimit të gjermanit të fundit e quaj një ndër ditët më të zeza të popullit shqiptar. Pra nuk e festoj. Madje po ti referohemi historisë shqiptare, qysh prej luftës së parë botërore e këtej, vërtetohet katërcipërisht se ikja e gjermanëve është shoqëruar me fatkeqësi të mëpastajme për popullin shqiptar:

1914 - Ikja e Princ Vidit - Ishte ikja e parë në historinë e ikjeve të gjermanëve nga Shqipëria. Copëtimi i mëtejshëm i shqipërisë dhe lënia nën mëshirën e fatit të kohës, ishte rezultati fatkeq i kësaj ikjeje.

1944 - Me ikjen e gjermanit të fundit nga Shkodra (ne mbetemi edhe sot e kësaj dite rob të diskutimit idiot 28 vs 29 nëntor), filloi historia më e dhimbshme e popullit shqiptar. Duke kujtuar e festuar se ia futëm gjermanit të fundit, në fakt ia futëm vetes dhe nuk ia hoqëm për vite e vite të tëra sundimit terrorist të bandës së komunistëve të udhëhequr nga kryebanditi Hoxha.

1984 -1987 Erdhi nja tre herë edhe një gjerman tjetër i quajtur Shtraus. Pas tre vizitave të maskuara turistike, e me misione të qarta politike, ai iku në 1987ën duke na lënë, si gjithëherë fatkeqë, në fatkeqësinë tonë të përjetshme nacionale.

2016 - Këto ditë iku dhe Krichbaum, një gjerman që shumë prej nesh nuk e kishte në listë se ekzistonte! E njohëm vetëm pasi iku duke na shkruar nja shtatë urdhëresa. Shtatë urdhëresa që në përpjekjen për të hyrë në Europë, bëhen më të rëndësishme se Dhjetë Urdhëresat e Librave të Shenjtë.

E pas kësaj ikjeje fatkeqe për ne njerëzit e thjeshtë, jemi të detyruar të dëgjojmë rrugaçërinë e politikanëve shqiptarë të pozitës dhe opozitës; rrugaçërinë e bandës parlamentare të gjitha ngjyrave; arrogancën e pashoqe të qeveritarëve dhe kryeministrit (që kujton se vendi qeveriset me barcoleta); sahanlëpirjet dhe bythëlëpirjet e analistëve që për hir të pushtetit të sotshëm e për hir të pushtetit që do të vijë nesër, bëjnë sofizma njerëzish të ditun që kënaqen duke dëgjuar dhe replikuar pafundësisht dhe budallakisht me sho-shojnë.

E ne populli fatkeq, kthehemi në barcoletë, ku gjermani i fundit, me emrin e vështirë Krichbaum, duke na lënë në një tjetër fatkeqësi shqiptare na thotë: Hipni këtu e shihni STA... TUSIN!

(Post Scriptum: shpresat e fundit janë varur në aftësinë e kryeminstrit të qeverisjes me barcoleta për ti treguar ndonjë barcoletë për të qenë kancelares Merkel)

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet