Kur pushtetin e ka ajo - nga Alketa LUARI

Pushteti të ha kokën. Pushteti i fronit, i lekut, nuk ka rëndësi, në çdo vend të botës gllabëron njerëz të çdo race, harron virtytet më humanitare. Në Shqipëri pushteti sundon, nuk drejton. Ai është hakmarrës. Por ajo që dua të theksoj në këtë shkrim, flet për pushtetin që mban taka. Çdo ditë ndeshim me histori nga më të ndryshmet, duke filluar nga më të zakonshmet. Unë vetë jam bërë protagoniste e shumë ngjarjeve kur jam ndeshur me figura të shumë femrave që falë një pozicioni të caktuar që kanë në një institucion qoftë shtetëror apo privat, për hir të së vërtetës nuk kanë treguar aspak profesionalizëm. Sjellja e tyre arrogante, jo profesionale më ka lënë një zhgënjim total. Të mos flasim për solidaritet mes femrash. Vetë ne gratë në çdo aktivitet që bëjmë, kërkojmë një solidaritet shoqëror mes nesh, por kur vjen puna që kjo të konkretizohet, nuk zbatohet. Ja një shembull nga eksperienca ime: para ca ditësh mu desh të shkoja në një institucion për një çështje pune. Personi që duhej të kontaktoja ishte një vajzë jo më shumë se 25 vjeç. Jo vetëm që nuk pati mirësinë të thotë as 'mirëdita', por nuk denjoi të hidhte sytë tek unë. Me shpërfillje sikur të ishte në një pozicion më superior se ç’ka, gjë e cila nuk e përjashton mirësjelljen, më kthehu një përgjigjje të ftohtë dhe me kaq...mbaroi. Të kesh pushtet nuk do të thotë që ti të sundosh. Ti je aty te zbatosh ligjin për të cilin të kanë caktuar, atë ligj për të cilin ti ke studiuar, që kur vjen puna në realitet nuk e zbaton. Ti vetëm kërkon, kërkon atë, më të keqen që pushteti të jep, sundimin total, harron njerëzoren. Ambicia, cinizmi, egoizmi sundojnë qënien tënde, të mbushin me vrer që ti pastaj e hedh mbi tjetrin, atë të pambrojturin. Madje për me tepër që je femër. Ti që deri dje, ishe e përulur, qaje në supin e shoqes tënde më të afërt, ti që bëje be e rrufe që sikur të kishe një pozitë, do ndihmoje më të varfërit. Ti je në karrige, ose në fron siç të pëlqen ta quash. Unë shoh tek ti femër, vetëm një makiazh të rëndomtë, shoh tek ti mëndjemadhësi vulgare, ti që deri dje...eh...nuk kishe buke të ngopje barkun. Ju drejtohem të gjitha femrave, sidomos të vajzave të reja që kanë ardhur nga rrethet. Nuk e di sa prej jush do ta lexojnë këtë shkrim: mos keqpërdorni pushtetin që iu është dhënë. I madh apo i vogël, nuk duhet ta keqpërdorni. Tek e fundit tek secili prej nesh fle njeriu, mos e mbytni atë, vendi ka nevojë për njerëz mbi të gjitha më shumë se pushtetarë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Merita Dabulla  e Martë 20 Shtator, 2016

    Keni te drejte zonja Alketa. Nuk ju njoh por shkrimi juaj me beri pershtypje. tamam ashtu eshte si theksoni dhe ju "' VENDI KA NEVOJE PER NJEREZ MBI TE GJITHA ME SHUME SE PUSHTETARE "".