Kur sulmohet biznesi i ndershëm - nga Shpëtim LUKU

Ka disa kohë kur  ndonjë media, portale apo edhe individë të ndryshëm nëpërmjet profileve të tyre në Facebook kanë vënë në fokus të sulmeve të tyre kompani të mirënjohura në vendin tonë. Mjafton gjetja e një pakojë orizi të prishur dhe menjëherë nis fushata negative karshi kompanisë që tregton me shumicë atë. Mjafton gjetja e një kutie margarine të prishur mes mijëra produkteve që tregton një rrjet i mirënjohur supermarketesh dhe fushata negative bëhet me intensitet të lartë. Mjafton një kuti kos jo e rregullt dhe mjerë kompania, emrin prodhues të së cilës mban ky kos, pasi mbi të do derdhet i gjithë vreri i “denoncuesve”.  Mjafton një pako fruta të thata të prishur dhe atëhere lajmi merr dhenë dhe bateritë antireklamë shkarkohen pa kursim mbi kompaninë që i tregton me shumicë ato. Duket pra se një dukuri e tillë po bëhet trend nën emrin e të ashtuquajturës “gazetari investiguese”, por që në të vërtetetë nuk është asgjë tjetër vecse një sulm që  i bëhet biznesit të ndershëm.

Natyrisht, të jesh vigjilent në emër të mbrojtjes së interesave të konsumatorit është një gjë për tu përshëndetur dhe një nga funksionet bazë të gazetarisë publike. Mirëpo ky funksion duhet bërë sic duhet, pasi për të realizuar një mision të tillë duhet aftësi dhe kompetencë. Ndryshe rrezikon të kalosh në anën tjetër të gardhit duke u shndërruar në person apo grup personash që përpiqesh të nxish punën e të tjerëve, t’i dëmtosh ato, që përpiqesh të stimulosh panik tek konsumatorët, të kontribuosh në përhapjen e krizës së besimit karshi kompanive të caktuara e produkteve që ata nxjerrin në treg. Kjo nuk është as realizim misioni e as ndershmëri. Të nxjerrësh konkluzion mbi një rast e të përgjithësosh një rast është njësoj sikur të konkludosh që udhëtimi me avion nuk është i sigurtë meqënëse qëllon e rrëzohet ndonjehërë ndonjë i tillë.

Të gjitha kompanitë që sulmohen janë liderë të fushave të tyre. Janë kompani që e kanë konsoliduar statusin e tyre të liderit me dedikim karshi konsumatorit, seriozitet në punën e tyre, me cilësi produktesh. Janë kompani që kanë krijuar një imazh të mirë, që kanë kredenciale të shkelqyera në treg. Gëzojnë besimin e konsumatorit me të drejtë sepse këtë e vërtetojnë statistikat ndër vite. Aktivitetet e tyre kanë ardhur vetëm në rritje. Puna e tyre sa vjen dhe përmirësohet. Është pikërisht konsumatori ai që takohet cdo ditë me produktet e tyre dhe nëpërmjet blerjeve të tij ka dhënë konfirmimin se këto produkte janë më të mirat në treg.

Aktiviteti i tyre ka ardhur gjithnjë në rritje dhe kjo sigurisht nuk do të ndodhte nëse këto kompani, stafi menaxhues i tyre do të punonte me parimin për ti shitur konsumatorit “sapunin për djathë”. Përkundrazi, baza e suksesit shumëvjecar të tyre është pikërisht strategjia afatgjatë për të fituar zemrën e konsumatorit, besimin e tij për cilësinë dhe leverdinë e produkteve që këto kompani hedhin në treg. Këto kompani janë të krijuar e drejtuar nga biznesmenë që para së gjithash janë njerëz me integritet, personalitet, karakter, cilësi këto më se të nevojshme për të gatuar një sukses të cimentuar. Drejtuesit e këtyre kompanive e ushtrojnë biznesin edhe si mission e përgjegjësi sociale, duke punësuar qindra e mijëra vetë secili, persona të tillë meritojnë epitetin e “kuajve që tërheqin ekonominë shqiptare”.

Sigurisht, procesi i nxjerrjes së një produkti në treg i ngjan një zinxhiri me shumë hallka dhe ku kompania e prodhimit dhe e tregtimit të shumicës është kryesorja, por që pas saj janë edhe një sërë aktorësh të tjerë që marrin pjesë në proces. A është normale të mendohet se ata që furnizohen nga kompanitë kryesore të prodhimit apo tregtimit të shumicës janë aq syleshë sa të marrin prej këtyre kompanive, produkte me probleme?! Kjo është e vështirë të besohet.

Po a mund të ndodhë, që ndonjë pako produkti pasi del nga magazina kryesore dhe shpërndahet nëpër qindra banakë supermarketesh në pronësi të aktorëve të tjerë minimarketesh të shitësve të tjerë minimagazinash e raftesh të personave të ndryshëm  të pësojë ndonjë problematikë? Sigurisht, kjo edhe mund të ndodhë. Sepse edhe e gjitha infrastruktura tregtuese dhe burimet njerëzore të saj nuk janë në nivele perfekte sa  të mos presupozohet asnjë gabim.

Ndaj, përpara se të ulemi përpara kompjuterit e të lëshojmë të gjitha baterita tona stigmatizuese karshi kompanive të caktuara, përpara se të vrapojmë e të vëmë gishtin tek fajtori, duhet të mendojmë se kjo është një përpjekje mendjelehtë. Dhe e dështuar, pasi përpjekje të tilla nuk janë të afta të rrëzojnë frytet e një pune të gjatë e të lodhshme të bërë nga bizneset e ndershme.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet