Letër prindërve, për zgjedhjen e profesionit të fëmijëve të tyre - nga Megi SHLLAKU

Të dashur prindër,

Po ju shkruaj këtë letër, jo për t'ju dhënë këshilla, por për t'ju ndihmuar të shihni problemin e zgjedhjes së profesionit të fëmijëve tuaj në disa këndvështrime që ndoshta fëmijët tuaj nuk arrijnë në këtë moment t'jua shpjegojnë. Kam zgjedhur t'ju shkruaj e nxitur nga esetë e disa adoleshentëve në klasat ku unë u mësoj atyre lëndën e Psikologjisë. Eseja kishte si titull "Zgjedhja e profesionit " dhe nxënësit duhej ta specifikonin vetë se në ç'këndvështrim do ta zhvillonin esenë.

Ajo që po provoj t'i mësoj është se si të mendojnë dhe jo se çfarë të mendojnë dhe këtë mund ta bëj më mirë nëse bashkëpunoj me ju, duke bashkëndarë atë që mendoj dhe ndjej. Nga shkrimet e tyre, kam kuptuar se një pjesë e konsiderueshme gjendet në dilemë mes propozimeve tuaja si prindër dhe dëshirave e prirjeve të tyre. Kam lexuar shumë fjali: "E kam ëndërr por do të mbetet gjithmonë një peng për mua sepse ka më rëndësi buzëqeshja e familjes se sa e imja". Ndjej t'ju them fillimisht që jeni me fat që keni fëmijë te mrekullueshëm që pranojnë të sakrifikojnë ëndrrat e tyre për buzëqeshjen tuaj. Ndjej t'ju them që shpresoj me gjithë zemër që edhe ata të kenë prindër po aq të mrekullueshëm sa të mos e lejojnë që fëmijët e tyre të heqin dorë nga dëshira e brëndshme për të bërë një punë të mirë dhe me pasion.

E di që frika juaj më e madhe është tregu i punës dhe kjo është një frikë reale dhe e kuptueshme. E megjithatë, unë që po ju shkruaj kam kaluar nëpër këtë rrugë dhe e di çfarë do të thotë frika për tregun e punës, në një vend si Shqipëria, ku profesionet e reja janë në hapat e parë. Po ju them edhe se përtej frikës e përtej presioneve për të ndjekur profesionet e quajtura "fitimprurëse", qëndron prirja që dikush me i madh se ne na ka dhënë dhe suksesi që mund të arrijmë duke bërë diçka që na pëlqen. Ne kalojmë gjysmën e ditëve tona në punë. A e mendoni sa plogështuese mund të jetë për fëmijët tuaj të qëndrojnë në një zyrë kontabiliteti kur ëndërrojnë një punë që ka kontakte me njerëzit ? A mendoni sa e vështirë mund të jetë për një student të mjekësisë që bëhet mjek dhe që nuk ka durim të komunikojë as pesë minuta me pacientin për të kuptuar problemin e tij ?

Të gjithë këto modele korrupsioni dhe pune të bërë sa për të pasur një pagë, janë puna e personave që nuk kanë zgjedhur profesionin e tyre. A do të donit që fëmija juaj të jetë një kompjuter që punon sa për të marrë një pagë ndërkohë që mund të punojë, t'i shërbejë komunitetit dhe edhe të paguhet për atë që bën ? E di që është e vështirë edhe për ju t'i rrezistoni presioneve por ajo pjesë "Fëmija im studion mjekësi" e shoqëruar me krenarinë zgjat një muaj, ndërkohë që vuajtja e tij për një profesion që nuk e do dhe ndjenja e tij e të qënit në vendin e gabuar, zgjat gjithë jetën. A ia vlen të sakrifikosh një jetë duke bërë diçka që nuk di dhe nuk do ta bësh për një muaj krenari ?

* Autorja është Psikologe, Master në psikologji klinike dhe komuniteti. Punon pranë Qendrës së këshillimit dhe shërbimeve psikologjike.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet