Albina Ferko Nanaj, Këshilltare (PDIU) në Këshillin e Bashkisë Tiranë

Mbi vendimin e Këshillit Bashkiak për rritjen e çmimit të ujit - nga Albina Ferko Nanaj

Dje, si anëtarë të grupit të PDIU në Këshillin Bashkiak votuam pro miratimit të propozimt të UKT për ndryshimit e nivelit të tarifave të ujit të pijshëm, konkretisht për rritjen e çmimit të tij. Sigurisht që jemi aty për të marrë vendime, ndonjëherë edhe të vështira dhe të padëshiruara, por kjo është pjesë e përgjëgjësisë tonë, për të qëndruar besnik ndaj interesit të përgjithshëm qytetar për të cilin jemi votuar dhe mandatuar.

Përballë amortizimit të mëtejshëm të rrjetit, rrezikut të mosfurnizimit të zonave të caktuara me ujë në vitet e ardhshme dhe alternativës së furnizmit me ujë të pijshëm 24 orë brenda 5 vitesh, por me koston e rritjes së çmimit të ujit me 20 lek/m3 për qytetarët, ne zgjodhëm te votonim alternativën e dytë, ashtu siç besoj se do të bënte çdo qytetar i arsyeshëm. Tashmë, banorët e Tiranës do të paguajnë të njëjtin çmim uji që paguajnë banorët e Kamzës apo Pogradecit.

Sigurisht që propozimi ishte i mbështetur edhe mbi argumente teknike dhe financiare, por edhe nje Biznes Plan sesi furnizimi 24 orë në ditë mund të arrihej brenda 5 viteve në vijim, për të cilat eshte diskutuar gjatë në komisionet përkatëse. Kjo gjë është e mundur dhe e realizueshme, mjafton të marrim shëmbullin e bashkisë së Korçës ku falë një investim prej 80 mln dollarë sot furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë. Për një qytet me gati 1 milion banorë si Tirana investimet duhet të jenë më të mëdha.

Nëse 2/3 e ujit të prodhuar nuk faturohet kjo ndodh në përqindjen më të madhe për shkak të rrjetit të amortizuar të shpërndarjes, duke qenë se investimet e fundit madhore janë bërë në vitet ’70. Ky është një argument më shumë për rëndësinë e këtyre investimeve.

Uji është një e mirë publike, pasuri e përbashkët e qytetarëve, por shërbimi për sjelljen e tij në rubinetat tanë sigurisht që ka kosto dhe këto kosto duhet të mbulohen nga dikush, që në rastin në fjalë janë përdoruesit e ujit. Ky është një fakt që duhet ta pranojmë edhe pse shpesh nuk na pëlqen të shpenzojmë për të mira që i shfrytëzojmë dhe i kërkojmë falas, ashtu siç u abuzua për vite me radhë me energjinë elektrike. Organet shtetërore siç kanë detyrë garantimin e shërbimeve, kanë detyrë edhe garantimin e moslejimit të shpërdorimit dhe abuzimit me të mirat publike.

Si PDIU, u përpoqëm të përdornim forcën dhe mandatet që qytetarët na kanë dhënë për të përmirësuar dhe lehtësuar aq sa mundeshim impaktin e këtij vendimi për qytetarët, duke qenë të vetëdijshëm për lojërat e shumta politike të inskenuara nga opozitëra të shtira, të supozuara apo nënkuptuara, ku të gjithë përpiqen të hiqen çfarë nuk janë në të vërtetë.

Në thelb, ndryshimet apo garancitë që kërkuam lidheshin me sigurimin e furnizmit më ujë, si një e drejte themelore, për shtresat në nevojë që nuk kanë mundësi të paguajnë për rritjen e çmimit. Ky propozim u mbështet nga mazhoranca në këshill dhe pasi të zbardhet i detajuar do t’i dergohet bashkë me vendimin Entit Rregullator të Ujit, si autoriteti epror që thotë fjalën e fundit për ndryshimin e këtij çmimi. Po ashtu, kërkuam dhënien fund abuzimeve me ujin, që shkaktojnë trajtim diskriminues për ata që paguajnë rregullisht, edhe pse mendoj se në këtë aspekt gjatë këtij mandati është bërë shumë më tepër nga ç’mund të jetë bërë n vitet e mëparshme.

Kjo përvojë duhet të shërbeje edhe si një mësim për të gjithë, që të mos reagojmë në fund, ndërsa kemi toleruar shkatërrimin, amortizimin, degradimin, abuzimin ndër vite. Si një mësim që të kuptojmë rëndësinë jetike të ujit dhe të përdorimit të kujdesshëm të tij, por edhe të aseteve të përbashkëta në përgjithësi.

Të mos harrojmë se kjo rritje e çmimit është gjithashtu pasojë e keqmanaxhimit të shtrirë në vite, për të cilin përgjegjësit janë të shumtë, ndër zyrtarë dhe qytetarë. Me kapacitetin tonë njerëzor, të prirë nga interesi afatgjatë i qytetarëve, gjithashtu bazuar edhe në argumentet e parashtruara, ne morëm pikërisht këtë vendim, që shpresoj dhe uroj të jetë më i miri për qytetarët e Tiranes, dhe që brenda afateve të premtuara të kemi furnizimin më ujë cilësor dhe të pandërprerë. Sigurisht që në fund, suksesi apo dështimi i çdo vendimi politik gjykohet nga qytetarët, përmes votës së tyre.

PS: Sa per sinqeritetin e një vendimmarrjeje, jo gjithmone është i lidhur me produktin, prandaj Dikush tjëtër mund ta vleresojë më mirë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet