Në Shqipëri ka një problem të madh!

nga Edmond KACELI

Në Shqipëri ka një problem të madh! Një problem që po e gërryen këtë vend të bekuar dita -ditës. Po e shkatërron nga brenda. Po e rrënon!

Ju mendoni se problemi më i madh është varfëria!

Jo! Shqiptarët, në varfërinë e tyre, janë njërëzit më të pasur në botë!

Ju mendoni se problemi është kufiri detar me Greqinë apo probleme të tilla të mëdha që shqetësojnë një nacion normal!

Jo! Shqiptarët janë në gjendje të jetojnë në fqinjësi të mirë me gjithkënd. Janë aq dashamirë me të huajin sa kur të ftojnë për vizitë në shtëpi të thonë (turqisht përzier me shqip): Hoshgjedën! Shtëpia është e mikut dhe e Zotit! Për këtë arsye nuk e kanë pasë për gjë të shkatërrojnë të gjitha shtëpitë e Zotit, për hatër të ideve që pruri një mik nga populli vëlla kinez!

Disa mendojnë se problemi më i madh i shqiptarëve është opozita! E ky problem harrohet kur shqiptarët kuptojnë se opozita është thjeshtë një pozitë e ardhshme! Që në rastin më të keq do të vijë në pushtet me një emër të bukur, psh "rilindje"! Duke zëvendësuar, sipas një rrotullimi perfekt, ciklin e zëvendësimit të komunistëve të kuq (rozë) me komunistët blu!

Të gjithë e dinë se shqiptarët e Shqipërisë kanë një problem të madh! Por askush nuk është në gjendje të thotë me të parën, se kush është problemi më i madh që shqetëson Shqipërnë dhe banorët e sajë!

Nuk është pozita! Nuk është opozita! Nuk është varfëria!Nuk është pasuria! Nuk janë fqinjët!

Shqipëria ka një problem të madh! Një problem jashtëzakonisht të madh! Shqetësues deri në ekstrem! Një problem të pazgjidhshëm! Një problem...

Problemi më i madh i Shqipërisë është se në të jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh!

Dhe kjo nuk është gjë e vogël!

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet