Anisa Markarian

Në arenën e mërgimit - nga Anisa Markarian

Nganjëherë, i bëj vetes ca pyetje-gjëegjëza. Drejtpërdrejt, pa asnjë njoftim paraprak. Pa humbur kohë për t‘i kërkuar leje (as edhe për edukatë): a më lejon ti, vetja ime, të të bëj ca pyetje «me spec»? Jo, jo! Zelltare për ta vënë në vështirësi, ia lëshoj pyetjet «në derë» befasisht.

- Ç’bëre me jetën që t’u dha?

- Ç’jetë do të kishe jetuar, po të mos kishe qenë një «e mërguar»?

- Ç’kuptove nga jeta gjer këtu?

Oh, sa zbavitem kur ia shoh faqet t‘i përskuqen, vetësigurinë t‘i lëkundet! Truri i kridhet në hamendje filozofike; buzët vonojnë të formulojnë përgjigjen. I peshon mirë fjalët, i përzgjedh me shumë kujdes, sepse e di që s‘do ta ketë të lehtë të më bindë, sado i thellë të jetë argumentimi.

Unë dhe vetja ime? Një duel pambarim! Një «më do - s’të dua» i pamëshirë. Një marrje në pyetje pa të drejtë replike.

Nuk paska gjyqtar më të rreptë se vetja! Sidomos, kur duhet hartuar bilanci i jetës.

- I cilës jetë, saktësisht?

- I jetës së ëndërruar, apo i jetës së merituar?

- I jetës që ndërtove, apo i jetës që pësove?

* * *

Me një valixhe nën krah (në mos, veç me të linjtat e trupit për katandi), zbarkon një ditë në një tokë ku s‘të pret kush. Ku kurrkush s‘të pyet: si ndihesh sot? Sepse nuk mund ta dinë (madje, as duan ta dinë), që dje mund të kesh qenë pak paqejf. Dje, për ata, ti nuk ekzistoje. (Ç’pret, atëherë?! Shpejto të vish në jetë!)

Detyra fillestare është të çlirohesh sa më parë e pa keqardhje nga zinxhirët e së kaluarës, nga robërimi vetëmburrës se, dikur, paske qënë «dikush»-i! (Nuk më njihni ju mua?! Nuk më keni parë në ekran?!)

Në tokën «e premtuar» luhet një muzikë e shfrenuar. Për të qëndruar në pistë, duhen përveshur llërët e nxituar këmbët. Sidomos, kur je një e mërguar pa rekomandim. Një profesioniste e pabarasvlerësuar, si një pasaportë pa vizë. Mund të të bllokojnë tek pragu, pa hedhur dot as edhe hapin e parë.

Eh, hapat e parë në tokën e huaj… Të brishtë, të pasigurt, ngurrues, si hapat e një çilimiu që ka nisur të çapitet. Vetëm se, në ndryshim me të, ty të kërkohet të vraposh. Madje, edhe më tepër. Maratonën të fitosh!

Jeta në mërgim është një luftë e përminutshme për t’i bërë një vend vetes atje ku nuk është vendlindja jote; për t’u qëndruar besnike idealeve atje ku vlerat t‘i masin me okje kandari; për të ruajtur të pacënuar veten e dëlirë atje ku maskat ndërrohen disa herë në ditë. (Maskat e çastit, maskat e rastit…)

Sa e mundimshme është të mbetesh vetvetja në mërgim! Të mos nxjerrësh shpirtin në ankand, të mos humbasësh fytyrën. Ndonëse, bixhozi i kohës të kërkon t‘i hedhësh në tryezën e lojës: fytyrën të luash kundër një maske, shpirtin të lësh peng për një pakt me djallin.

Mbijetesa në xhunglën metropolitane s‘është veçse një ballo e përhershme maskash. Je edhe ti e detyruar të ngjeshësh një «maskë». Maskën-parzmore të gladiatorit zgjedh, sepse ballo e jetës luhet në arenë.

Për të fshehur pezmin që të ther përbrenda, ndonjëherë edhe maskën e klounit gaztor vesh. Paksa për krenari femërore, ca për edukatë familjare, e shumë për traditë dykombëtare, nuk mund t’ia lejosh vetes të të shohin të trishtuar, të drobitur, ndoshta… të penduar.

* * *

Në pistën e mërgimit me dredha e kthesa, vrapohet një garë e ashpër olimpike: maratona me pengesa. S’janë gardhe, sfrate, hullì, a mezhda, por mure të trashë betonarmeje, fortifikuar me llogore e bunkerë. Për t’i kapërcyer e prekur vijën e finishit, tjetër rrugë s‘ka maratonisti i mërguar, veçse ta kapë jetën për brirësh.

- Ejjj, ti, jeta ime! Jepu duarve! S’është vakti për t’u shullëhur në diell. Duhet t’ia dalim në krye sëbashku. Ta shembim murin që na ndan nga «lëndina e fatit»!

Me djersë e me gjak, dhëmbët shtrënguar për të mos qarë, gjunjët të ënjtur, shputat të bëra plagë, pengesave shkëmbore u turresh me gjoks, i mësyn me grushta, i godet me kokë! Brenda teje, një zë i njohur shpresëdhënës të murmurit: mos u dorëzo, akçigës, kam besim tek ty!

Nëpër krisjen (mikroskopike) që i shkaktove murit, më në fund, përbirohet fitorja. Fillimisht, nën trajtat e një fijeje bari të hollë. Më pas, si një luleshqerrë që bulëzon gonxhen e parë… me forceps.

Pak e nga pak, me mundim, (me stërmundim!), arrin të kalosh njërën shpatull nëpër të çarën e ngushtë. Ndalesh një çast. Mbushesh me frymë. Pastaj shtyn tjetrën. Më pas bustin, në vijim belin e, fundazi, të gjithë trupin.

Dhe i shpalos diellit lulen e parë! (Të zbehtë, të ndrojtur, po ç’rëndësi ka?!)

Më vonë vjen e dyta, që hap kalimin për simotrën. Ja edhe e treta, …e katërta, …e pesta lule, …e të tjerat me rradhë. Rrezja e diellit që të ngroh fytyrën, të përgëzon: të lumtë, mërgimtare, ia dole mbanë!

Ëndrrat për të cilat luftove, u realizuan. Ç’mrekulli! Për më tepër, pa asnjë ndërhyrje hyjnore. Është kryekëput merita e mosmposhtjes dhe e vullnetit tënd buldozer. Çdo herë që jeta të thërriti në arenë, iu përgjigje: jam gati! Ja përse, nën maskën, munde të ruash të pafëlliqur fytyrën tënde të vërtetë, që ia shpërfaq botës me një krenari shpagimtare.

- Tungjatjeta! Jam njëra nga të paepurat!

***

- Mjeshtre e Madhe, ju takon kolltuku i nderit në zemër të tribunës. Uluni të shijoni spektaklin!

- Jo, ju falemnderit.

- Vendi më i lakmuar, zonjë e nderuar. Ju jep të drejtën e vetos mbi jetën e gladiatorëve.

- Kurrësesi! - përgjigjesh me neveri dhe ringjesh parzmoren.

- Zonjë! Ku po shkoni?! … Nuk i dëgjoni si ulërijnë bishat brenda kafazëve?! Mezi presin të ngrihen kangjellat. … Është shumë e rrezikshme, zonjë! Ju s’keni më nevojë të sakrifikoheni!

Por nuk ia vë veshin. Heshtën rrëmben dhe zbret në arenë, të përfytesh me shtazët; hienat t’i bësh sus, gojëzat t’u vësh grabitqarëve…

Sepse, kjo, është jeta që zgjodhe.

*Tablloja «KLOUNI» realizuar e dhuruar për ditëlindje nga piktori e mik prej një jete, Dashamir TURKU; foto e realizuar nga mjeshtri Roland TASHO.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet