Shen Tereza do ti falte 1000 herë - nga Ilir CUMANI

Dje ishte një ditë e bukur jo vetëm për shqiptarët, por mbarë njerëzimin. Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës. E gjithë bota drejtoi sytë, mëndjen dhe zemrën aty, në ceremoninë e shejntërimit në Vatikan. Kryeqendra e katoliçizmit botëror u pushtua nga pjesa më e mirë dhe më krenare e shqiptarisë. Nuk munguan shumë prej protagonistëve të jetës politike shqiptare nga të gjitha krahët. Mes tyre edhe mëkatarë, por edhe të mbijetuar nga rregjimi i kaluar që me blasfeminë e zhytur në injorancën e verbër, e gjuajtën shejntërinë në gjallje të saj.

Dje me praninë e tyre në këtë ceremoni, të krekosur me veshje firmato dhe me look-un hipokrit, guxuan të vjedhin edhe pak "lavdi" nga shenjtërimi i saj në këtë ditë, dhe mirë bënë. Mbase, po të ishte gjallë Nënë Tereza, me zemërgjerësinë dhe bujarinë që e karakterizonte, do ti falte 1000 herë këta mëkatarë. Ajo do t’ua jepte e para shansin për ti mbajtur pranë saj, me qëllim që të pendohen dhe të reflektojnë duke kthyer sytë, mendjen dhe zemrën nga Zoti.

Pastaj do t’u linte këtë porosi të cilën, këta politikanë mëkatarë e kanë lexuar dhe rilexuar sa e sa herë në librat e saj të shenjtë, të ulur mbase edhe në poltronat e avionave carter dhe nga zyrat luksoze, por që për fat të keq ende nuk e kanë përvetësuar në bindjen dhe vetëdijen e tyre, për shkak se janë marrë më shumë me veten, se me popullin që kanë drejtuar.

NDAJ SHËN TEREZA EDHE ATJE KU NDODHET VAZHDON TË MOS LODHET DHE TI APELOJË SHKAKTARËT E VËRTETË TË VARFËRISË DUKE I KUJTUAR SE: "Nëse nganjëherë të varfërit vuajnë nga uria, kjo nuk do të thotë që Zoti nuk kujdeset për ta, por që unë dhe ju nuk kemi dhënë, pasi nuk kemi qenë një instrument dashurie në duart e Tij për t’u çuar atyre bukën dhe veshjen e nevojshme, pasi nuk e kemi dalluar Zotin kur ka ardhur sërish, i veshur në mënyrë mjerane nën petkun e njeriut të uritur, të njeriut të vetmuar, të fëmijës pa shtëpi dhe në kërkim të një strehe. Jetojmë në një botë që vuan nga uria. Jo vetëm nga uria për një copë bukë. Por edhe nga uria për dashuri. Ka njerëz, të cilët ndihen të padëshiruar, të papërfillur, të harruar, të lënë pas dore. Ndërkaq ne jemi tepër të zënë, aq sa nuk kemi kohë t’i buzëqeshim njëri – tjetrit... O Zot, mësoma më shumë Dashurinë!”

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet