Nuk janë ambientalistë, ca më pak, të gjelbër !

nga Edlir Petanaj, Kryetar i Partisë së Gjelbër

Cilido ka shëtitur në Shqipëri para viteve ‘90 e krahasonte këtë vend me një mrekulli natyrore. Po sot ? Një katastrofë mjedisore !

Masive pyjesh të shkatërruara, sipërfaqe të gjelbra të ‘mbjella’ me beton, burime natyrore të rrënuara, lumenj që protestojnë ndaj heceve dhe marrjes së inerteve, dallgë deti që rrëmbejnë çdo pëllëmbë tokë që u del përpara, e gjitha kjo jo për shkak të motit por prej dorës së njeriut që i ka shkaktuar mjedisit dhe burimeve naturore shumë plagë të thella.

Shpresa për një politikë më miqësore me mjedisin sa vjen dhe venitet. Politikanët tanë ndryshe thonë gjatë fushatës elektorale dhe ndryshe veprojnë kur qeverisin. Shumë nga gjërat për të cilat akuzojnë paraardhësit, i bëjnë sërish vetë, madje shkojnë përtej.

Sjellja ndaj mjedisit flet vetë për klasën politike që na drejton. Politika e konsideron mjedisin si pronë të saj dhe zërin qytetar si një pëshpërimë që kumbon mbi ‘rrënojat’ e qytetit të vjetër dikur të gjelbëruar të cilit i ‘mungonte’ infrastruktura e betonit të një qyteti modern.

Sot debati më i madh po zhvillohet për Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Jo pse ky është problemi mjedisor më i rëndësishëm krahasuar me prerjen e pyjeve edhe pse ka një moratorium, me gjuetinë e zogjve edhe pse ka një moratorium, me hecet që jepen në zonat e mbrojtura dhe pse ligji nuk e lejon, me shrytëzimin e lumenjeve apo shkatërrimin e mejdisit, etj, por për identitetin që ka ky park dhe vëmendjen mediatike që po i kushtohet.

Parku i Liqenit Artificial të Tiranës është identiteti i Kryeqytetit dhe i tillë duhet të mbetet. Ai duhet të jetë një zonë e mbrojtur natyrore. Çdo ndërhyrje i ndryshon identitetin këtij parku. Me të drejtë dikush mund të thotë që Tirana ka dhe parqe të tjera naturore si: parkun e Dajtit, Farkës, Kasharit, Pezës, etj, por asnjëri prej tyre nuk është i lidhur aq ngushtë me jetën e qytetarëve të Tiranës sa Parku i Liqenit Artificial. Kjo gjë e bën këtë Park të ketë një status të veçantë për qytetin. Nëse sot do të ndërhyhet qoftë me qëllimin e mirë për të bërë një kënd lojrash për fëmijët apo nesër një kënd rekreacioni për moshën e tretë, etj, ai park humb identitetin e vet. Qytetarët e Tiranës, së bashku me fëmijët e tyre, do të dëshironin më shumë ta shijonin parkun ashtu siç është, vetëm bar dhe pemë, ku pasi të lozin së bashku, të ulen dhe konsumojnë ushqimin e marrë më vete. Kjo është një kënaqësi ndryshe që qytetarët e Tiranës i marrin ditës, ndryshe nga të përditshmet ku lënë fëmijën në këndin e lojrave të ndërtuar qoftë poshtë pallatit apo buzë liqenit. Këtë magji e ofron Parku i Liqenit Artificial me virgjërinë e tij.

Parkun i Liqenit Artificial është i qytetarëve dhe qytetarët duhet të vendosin. Nëse ata nuk janë dakord që të ndërhyhet në park, ata të gjithë sëbashku duhet t’i imponohen politkës aktuale duke shkuar, pse jo, dhe drejt një referendumi lokal.

Qytetarët e duan mjedisin më shumë se politikanët. Sot qytetarët duhet ta shikojnë këtë situatë si një moment kthese ku zëri i tyre të dëgjohet.

Politikanët tregojnë çdo ditë se nuk e duan mjedisin. Ata bëjnë ligje dhe marrim vendime në favor të mjedisit sepse ua kërkon integrimi europian. Por gjithësesi ligje dhe moratoriume të tilla nuk gjejnë zbatim, sepse politika rast pas rasti bën një vesh shurdh dhe një sy qorr për interesat e saj. Si pasojë e kësaj politike qytetarët vazhdojnë ta ‘konsumojnë’ jetën e tyre duke thithur më pak oksigjen, por duke shëtitur mbi një sipërfaqe rekreative aq shumë të “munguara” por të betonizuara. Në fund të fundit ky është qyteti modern që ata kanë ‘premtuar’. Nuk janë ambientalistë, ca më pak të gjelbër! Janë ‘rekreativistë’!!

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet