O Maaaaa, e dogjën shkollën...!

nga Bledi Mane

U thye xhami i dritares andej nga hyn drita e diellit por në vend të diellit skuqi flaka e një zjarri të vogël që u përplas te banga ime. Në fillim zjarri kafshoi abetaren, pastaj fletoren e detyrave të klasës. Flakët u përhapën deri poshtë e bashkë me çantën e shkollës mu dogjën stilolapsat, lapsat me ngjyra, librat e tjerë. Mu dogj edhe buka që kisha marrë me vete që nuk e hëngra në pushimin e madh. Mes flakëve të kuqe shikoja tek përcëlloheshin dhe shkrumboheshin gërmat e abetares, figurat ilustruese, numurat e matematikës, kujtimet e mia fillestare, lojërat. Ndërsa era e bukës së djegur depërtoi nëpërmjet vrimave të hundës dhe më mbeti si gulç në fyt, flaka e librave që digjeshin nga zjarri i injorancës talebaneske më mbeti njollë në tru. O maaa, o mami është më keq kur djegin pyllin, shkollën apo kur djegin fëmijërinë tonë? Zjarrfikēset erdhën, shuajtën zjarrin te shkolla por zjarrin brenda kokës time ende qëndron i ndezur. Megjithëse jam një djalë i vogël 7 vjeçar dua ta di: -Kur të rritem të bëhem zjarrvënës apo zjarrfikës? Cili prej këtyre dy profesioneve ofron më shumë lekë o maaaaaaaaaa?!

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet