PROGNOZAT E "OKTAPODËVE PAUL" TË KOSOVËS

Nga Bilall Sherifi

HermesNews - Gjykata Speciale kaloi, u miratua, u themelua etj. Këto ishin disa nga titujt e mediave të shkruara dhe elektronike në Kosovë pas miratimit të amendamentit 24. I tërë ky proces që zgjati disa muaj u shoqërua me një debat të gjerë publik. Sikur për çdo çështje me rëndësi kombëtare edhe për këtë pati pozicionime PËR dhe KUNDËR.

Që nga fillimi i debatit kam marr pjesë në mënyrë aktive dhe konsideroj se kam sjellë mjaft argumente për të arsyetuar qëndrimin tim kundër krijimit të saj prandaj në këtë shkrim nuk do t’i përsëris ato. Ata që u angazhuan për miratimin e amendamentit 24 ia arritën qëllimit. Shumë prej tyre që me ngulm mbështesnin krijimin e saj udhëhiqeshin nga parimi “për inat të resë më vdektë djali”. Por, e ardhmja do të dëshmoj se ky ishte një vendim shumë i dëmshëm për vendin dhe se gjenerata të tëra do të pësojnë nga ky vendim.

Kjo ishte pjesa e parë e SAGËS “gjykata Speciale”, pjesët tjera do të pasojnë. Gjithashtu, pas miratimit të amendamentit 24 filloi periudha e “lajmeve ekskluzive” se kush do të jenë ata që do të akuzohen nga kjo gjykatë. Besoj futbolldashësve ju kujtohet kampionati botëror që u mbajt në Afrikën e Jugut në vitin 2010. Për të marr vëmendjen e medieve botërore shumëkush përdorte kafshë të ndryshme për të prognozuar rezultatet e ndeshjeve. Më i famshmi nga ato ishte oktapodi Paul. Fundja oktapodi ishte vetëm një kafshë dhe s’kishte si ta dinte se kush do të fitoj dhe kush do të humb, ai thjesht ia qëllonte ose jo.

Tani “Oktapodët Paul” të Kosovës pa pasur fare respekt për njerëzit të cilët i apostrofojnë, pa pasur fare ndjeshmëri ndaj familjeve të të apostrofuarve janë hedhur në aksion për të prognozuar se kush do të akuzohet. Por, akuzat nuk janë ndeshje futbolli, ku si humbësi edhe fituesi shkojnë në shtëpi të tyre, ato përcaktojnë fate të njerëzve dhe familjeve të tyre. Madje, ato do të përcaktojnë edhe fatin e vendit tonë për një periudhë bukur të gjatë kohore. Krijimi i Gjyaktës Speciale është i ngjashëm me hedhjen e një topi të vogël prej bore mbi një masë të madhe të borës, të cilin e hedhim të vogël por na kthehet si një ortek shkatrimtar.

Prandaj, nëse askush nuk ua ka kërkuar këto prognoza, do të bënin mirë të mos i bënin fare dhe në vend të tyre të shohin se çka mund të bëhet që dëmi që do të sjell ky ortek të jetë sa më i vogël.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet