Armand Bajrami, gazetar

Pesë ''sëmundjet'' që prekin më shpesh gazetarët në Shqipëri

nga Armand BAJRAMI

1. Iafutkotia

Gazetari ka gjithmonë një argument që kolegu i tij ia ka futur kot. Sëmundje e lehtë që prek zakonisht të rinjtë në këtë profesion. Duhen pak vite eksperiencë për të kuptuar nëse kolegu duhet këshilluar, korrigjuar, apo përgëzuar.

2. Parasetidija

Është një problem që i kap gazetarët për shkaqe të mistershme. Kjo të bën të shprehesh se ti ishe në dijeni të lajmit që ka publikuar kolegu kohë më parë. Është infeksion që nuk prek gjithkënd. Ka gazetarë që janë imunë.

3. S’kabravosia

Gazetarit i krijohet një ngushtim në stomak, çka e pengon për të përgëzuar kolegun për një punë të mirë. Sëmundje që është e varur thelbësisht nga karakteri i personit. Zemërmirëve u qëndron larg kjo patologji.

4. Egombirëtësia

Gazetari pretendon se lajmi që ai ka bërë është më i miri i kohës, i kohërave të kaluara dhe të atyre që do të vijnë. Konsiderohet problem serioz. Është i kurueshëm përmes leximit deri në pikën ku bëhesh i vetëdijshëm se “di një gjë, që s’di asgjë”.

5. Gjithëdija

Gazetarit i krijohet ideja se bota rrotullohet rreth tij dhe se është në dijeni të gjithçkaje. Kjo zakonisht prek ata persona që kanë punuar si gazetarë për herë të fundit para një dekadë. Të infektuarit janë të pashpresë. Ende nuk ka një kurë konkrete për të.

p.s.

Unë pretendoj se jam i vaksinuar nga të pesta, por mos më paragjykoni. Në Shqipëri jemi. Bën vaki ndonjë vaksinë ka qenë e skaduar.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet