Po me Ardit Gjebrean, ç’keni?!

nga Luan Kurti

Intervista e kantautorit të njohur Ardit Gjebrea, për emisionin e tij e “Diela Shqiptare” në TV Klan, ka zgjuar një reagim të paparë negativ. Arditi është kryqëzuar në varjantin melodramatik “Armik publik”. Gjithë veprimtaria e tij e suksesshme në lëmin e muzikës dhe si moderator duket se tentohet të zhbëhet si diçka që nuk ka ekzistuar. Dikur në kohën e monizmit “armiqve të partisë” përveçse ju merrnin “kokën”, i nxirrini jashtë nga çdo faqe libri apo broshurë ku përmendej emri i tyre, si “konseguent dhe me partishmëri”. Dhe me gjasë ky turravrap ka për ta shoqëruar për disa kohë, Arditin. Nejse, nuk është për t’u mërzitur, në këtë vend historikisht heroin nga armikun një qime i ka ndarë! Do ishte vërtetë mirë, po të qemë kaq strikt dhe të purifikuar! Tani le të kthehemi tek mëkati, në një analizë socio-psikologjike, aq sa në lejohet. Gjebrea zgjodhi të bëjë një intervistë me një të burgosur me dënim të përjetshëm. Nuk është se kjo ndodh për herë të parë. Nuk ka dyshim që ka prekur dashur pa dashur plagën e pambyllur të familjarëve të lënduar nga humbja tragjike e dy të dashurave të tyre. Arditi mund ta kishte bërë më parë një takim me ta, për t’i shpjeguar thelbin e intervistës, të kujdesej për detajet. Ja që se bëri! Gabimi nuk meriton ndëshkim kësisoj! Nëse u përpoq të tregonte çfarë fshihet në shpirtin e atij njeriu që zgjodhi krimin në emër të “dashurisë së mohuar” nuk na çnderoi kolektivisht, ne puritanëve fanatik. Ndoshta tregoi se ku të shpie, nxitimi, instikti që zëvendëson arsyen e shëndoshë, “unin” që në kushtet e një shoqërie të shpërfytyruar gjen terren të shfaqet si obsesivë dhe protektor. Dhe pas aktit kalbesh brenda dhe fantazmat si në tragjeditë shekspiriane, do të përndjekin sa të jetë jeta, “dhe më dhe”. Prandaj t’i thërrasin arsyes ata që janë në prologun e kësaj situate. Kemi përditë ngjarje makabre, që të dredhin mishtë! Ekzekutori i dy femrave me retorikën e vet, mesa duket nuk ja doli të jetë më social; në vend të mëshirës zgjoi urrejtjen e komunitetit, për këtë mënyrë makabre të zgjidhjes së gjërave! Në fakt, kjo është për t’u përshëndetur, është një rizgjim shoqëror që shpesh ka munguar. Madje siç bëjnë mediat tifozllëk me krimin dhe të shëmtuarën për klientelizëm, përfshihemi edhe Ne emocionalisht, duke i kundruar cubat si heronj! Arditi qortohet se ka ngatërruar zanat, se nuk e bën dot intervistuesin. Më një fjalë po të qe i fushës do gabonte më pak, do ta sillte në version më të asimilueshëm. Por këtu janë të shumtë ata që bëjnë atë që s’u takon dhe marrin duartrokitje dhe “like” pa fund. Sindroma: “nga asgjëja e asgjësë mund të dalë gjithsesi diçka!” Në gazetari “lajmi i keq është lajm i mirë”, se krijon audiencë. Dhe fatkeqësisht pragmatizmi, rregullat e tregut sfidojnë moralin, shoqëroren. Duhet të vëmë kufizime, pullë të kuqe për disa gjëra. Ja që nuk e kemi bërë, ose nuk i kemi qëndruar korrekt ligjeve. Pra Arditi është i punësuar dhe nuk bënë politikat e televizionit, dhe për më tepër nuk mund të privohet nga ambicia për të eksploruar në një fushë tjetër, jo aq të panjohur për të. Mund të sillni në vëmendje plot e plot raste nga praktika botërore, kur janë bërë poet, shkrimtar, piktor në një moshë relativisht madhore dhe pa pasur asnjë akses të mëhershëm. Pse Arditi nuk u lejuaka! Apo kjo është zeje për disa VIP-a, “tokë e xanun”?! Edhe Viktor Hygoi ka shkruar një roman me temë burgu, të një njeriu vrasës që pret ekzekutimin dhe e përshkruan me aq pasion dhe ndjenjë sa të prek në thellësi. Nuk pajtohet me aktin, dënimi për të është dhënë, por thekson se e keqja nuk luftohet me të keqe, me ekzekutim dhe gjykimin final e ka Supremi! Parajsa apo ferri, janë portat ku do hyjmë dhe është jashtë juridiksionit tonë. Disa kanë zgjedhur të besojnë, disa jo, sepse ne njerëzit nuk kemi zgjidhur themeloren: “cilët jemi? misionin për të cilën u sollëm?”, dhe në emër të padijes dhe cinizmit tonë japim gjykimin dhe bëjmë avokatinë e gjithçkaje. Revisitat televizive, mediat janë plot e për plot me lloj - lloj perversitetesh dhe ne jemi konfirmuar ekstremisht, duke vënë në pikëpyetje të sotmen dhe të ardhmen tonë. Jo fshehja, lënia në harresë, por zbulimi i së keqes nga skutat e errëta, do na bëjë të mos harrojmë dhe të kuptojmë rëndësinë e jetës, paqes dhe dashurisë. Ashtu si në një ekranizim të mirë personazhet duhet të shpalosin gjithë karakterin e tyre, dhe kësisoj na bëjnë të urrejmë apo të afeksionohemi, të solidarizohemi me ta dhe t’i kemi si model në jetët tona. Në përfundim theksoj se “gabimi” i Ardit Gjebrea-s është një mundësi që na u dha për të tejkqyrur absurdin dhe brutalitetin që na rrethon, një apel në emër të shenjtërisë së jetës!

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet