Po sikur t'ia nisim nga e para?

Koronavirusi. Po mendoj a mund t'ia nisim nga e para. Mbase gjithçka ka ardhur për një qëllim, por gjatë kësaj rruge, apo në rastin tonë ndenjeje, mund të fshijmë atë që nuk na duhet dhe, të mbajmë atë që na bën të ecim para, që na bën më të mirë, më të plotë.

Po, them se mund ta transformojmë gjithë errësirë në një dritë të mrekullueshme. E thënë në këtë moment mbase është pak e tepërt, sepse hë për hë na duhet të mbahemi fort, të fshihemi e të qëndrojmë vigjilent për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë. Nuk i druhem vullnetit të shqiptarëve, por luftës që po bëhet jashtë. Prandaj është e rëndisishme që po të solidarizohemi dhe të ndihmojmë, kush më pak e kush më shumë, vendet më në nevojë.

Përsa i përket situatës brenda, realisht mjetet në dispozicion, spitalet që po ngrihen, ato provizore, numri i mjekëve është mbi lartësinë e situatës, dhe Shqipëria ka krijuar një lloj gardhi të padukshëm, rreth asaj luftë për jetë që po bën bota, por ne duhet të mendojmë paralelisht për situatën ekonomike, dhe dobësimin që po i bëhet Lekut, nga dita në dita.

Në këtë situatë të rëndë epidemia ka ngadalësuar ekonomitë e atyre vendeve që nuk mund t'ia lejojnë vetes këtë luks, por të paktën për tani kanë të bëjnë një të papritur më të madhe. Jetët njerëzore. Edhe superfuqitë gjunjëzohen kur kujtojnë se janë vetëm njerëz. Ky virus nuk zgjedh para races njerëzore.

E pra tani është koha të përqëndrohemi kundër këtij armiku të përbashkët, të bëhemi më pak të ngurtë, e më shumë fleksibël, të japim optimizëm.

Nuk mjafton vetëm mjekësia, nuk mjaftojnë vetëm vetëm spitalet shtesë, në këtë botë duhet dhe një shtysë e re shpirtërore.

Njerëzimi nuk e ka patur kurrë rrugën e lehtë, por jo për këtë nuk ia ka dalë në fund të mbijetojë. Ajo çfarë nuk e kemi kuptuar është se në këtë luftë nuk do të ketë fitues mbi tjetrin, nuk do të ketë superfuqi, nuk do të ketë medalje ari, argjendi. Vendi i parë, i dytë. Harrojeni. Do të na duhet të luftojmë për jetën. Absurde, një njeri mund të shpëtojë ose mund të vrasë shumë jetë, (secili nga ne mund ta bëjë), një njeri mund të infektojë një planet. Por nuk ka armë e njeri, që mund të vrasë Jetën.

Ka njerëz që e mbrojnë dhe do t'ia dalin, sepse për fatin tonë të mirë, kur prekim fundin, ia nisim nga e para, e atëherë me siguri kemi evoluar të gjithë si qënie.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet