Doriana Metollari, Opinioniste

Pse duhet të protestojmë z.Basha? nga Doriana METOLLARI

Protesta nuk është mjet i gabuar asnjëherë në një demokraci, sidomos një si kjo e jona, që ende nuk e di çfarë kërkon, e si ta zgjidhë belanë me qeverinë. Çdo qeveri për opozitën është bela me vete, e zeza e vendit, sorra që paralajmëron emigrimin e qytetarëve. E bën qeveria, i largon të gjithë, i përzë. Sapo vjen në pushtet kthehet në ogur të zi. Qytetarët e nëmin nga mëngjesi deri në darkë.

U mor vesh, tani ti kthehemi jetës së vërtetë.

Një qytetar i thjeshtë u mbijeton pa i zgjidhur problemeve të përditshme. Nga mëngjesi deri në darkë përballet me sfida, si mungesa e sigurisë në punë, rryshfetet nëpër spitale, zyra, korrupsionin në administratën publike. Një mori problemesh praktike, që zmadhohen vit pas viti, si rrjedhojë e paaftësisë, mungesës së vullnetit apo me keq dashakeqësisë.

Në mungesë të profesionistëve të vërtetë që t'i japin dum këtyre problemeve, fillojnë e çelen fjalimet e ripërsëritura në Parlament, mbi krimin, drogën etj etj. Dhe njerëzit ikin.

A nuk do të ishte vëmendja e opozitës mbi problemet e përditshme të njerezve, ajo që do të luftonte dhe mbjelljen e drogës, meqë fshatarët do të preferonin të mbillnin fruta për eksport? A nuk do të ishte puna e opozitës për ndërtimin e alternativave solide për të rinjtë, ajo që do t'u jepte një shans, për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri?

A do të shërbente impenjimi i opozitës njerëzve, nëse do tu garantonte siguri sociale, për punonjësit e fabrikave, administratës shtetërore, pensionistëve? A do të shërbente puna e opozitës, për të filluar një fushatë për ta transformuar mentalitetin e dheniës së bakshisheve për mjekët e mirëpaguar nga taksat e qytetarëve?

Ku janë alternativat e përditshme, alternativat që prekin ekonominë reale, kulturën qytetare, sigurinë sociale? Pse askush nuk i bën këto beteja të përditshme në emër të qytetarëve brenda opozitës? A ka profesionistë të fushave të ndryshme brenda Partisë Demokratike, që mund të flasin për këto probleme? Akuzat politike shërbejnë vetëm për të spostuar vëmendjen nga problemet, që po u pinë gjakun njerëzve. Qytetarëve iu duhet një opozitë, mbi të gjitha të mos jetë kaq politike, një opozitë e problemeve praktike, të përditshme, të kapshme, dhe që mund të sistemohen akoma më shpejt, tani.

Nëse një ditë rezultati do të rritet pozitivisht, atëherë alternativën madhore qeverisesë të vërtetë do ta vendosë vota e lirë dhe opozita tjetër do të ketë një rol akoma më të rëndësishëm.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet