Rasti 'Lesi' dhe sirenat mediatike për policinë - nga Arben MANAJ

Rasti i mediatizuar i botuesit të “Koha Jonë”, Nikoll Lesi me policinë shqiptare në lidhje me vlefshmërinë e një leje për ndërtimin e një shkalle në rast zjarri nga policia, përbën një plumb të qitur jashtë tabele. E kuptoj frustrimin e Lesit dhe shkuarjen e tij në polici, me dëshirë ose jo, për sqarim, por nuk e kuptoj se përse duket herezi, që një njeri i medias të ndihet i shantazhuar, sidomos në Shqipëri.

Politizimi i çështjes dhe trajtimi i saj si një akt dhune policore ndaj medias, është i ekzagjeruar qëllimisht, dhe bëhet fatkeqësisht për të ruajtur atë palo status-quo, që ne të medias, kërkojmë të shihemi si njerëz që duhet të jemi, medoemos, mbi shtetin dhe të paprekshëm nga hetimi i policisë, se përndryshe, ajo përbën presion ndaj medias së lirë!! Lesi është njeriu që do duhet të kuptojë më mirë se çdokush, dallimin mes policive, kur atij ia dogjën gazetën dhe jo vetëm atij, por edhe gazetën ‘Tema’, që e” mbron” sot, dhe kësaj policie, që kërkon të verifikojë, edhe pse paradoksalisht, një leje për ndërtimin e një shkalle, që të shpëtojë në rast zjarri.

Do të ishte ndryshe, në rast se pas verifikimit të rastit “Lesi”, ai dhe gazeta e tij të keqtrajtohej dhe t’i bëhej presion, kur ai do ishte, siç është në fakt, në rregull me letrat. E nëse policia bën verifikim, pas çdo lloj sinjalizimi, kjo është gjëja më normale në botën ku jetojmë; unë të paktën, por edhe aty, ku Lesi vjen shpesh se i pëlqen Anglia, dhe ka shkolluar fëmijët bashkë me shumë kolegë të nderuar e respektuar. Në këtë vendin tim të dytë, policia ka gjithë atributet të të arrestojë dhe të verifikojë dhe pas hetimit, të të çojë në gjyq ose të lirojë, pa marrë asnjë veprim ligjor ndaj teje, duke u konsultuar me Prokurorinë, për faktet e hetimit.

Kjo është praktika. Dhe nuk pyesin nëse je gazetar i një gazete apo portali periferik dhe të palexuar, nëse je kryeredaktor i “Daily Mail”, “The Sun” apo “The Times” e “The Guradian”, apo nëse je publicist si Baroni, Jeffrey Archer, deputet, po deshe, siç ishte edhe ish-gazetari i kthyer deputet laburist, deri në zv-ministër i Jashtëm në ‘Foreing Office’ , mik i shqiptareve, Denis MacShane, i arrestuar dhe dënuar me disa muaj burg.

S’ka rëndësi nëse je gazetar ose jo, të gjithë duhet të jenë njësoj. E thjeshtë. Shqetësuese për median shqiptare, do duhet të jenë rastet me emër e mbiemër të trajtimit preferencial, siç pretendohet të të “fortëve”, që sipas disa analisteve, para të cilëve “Policia ri si”m..” Nëse kjo nuk bëhet kur duhet, por bëhet si kundërargument kur një nga ne të medias ndeshemi me policinë, është simptomatike dhe nuk duhet të ndihemi keq kur në opinionin publik, na vënë çdo lloj etiketimi, si një e keqe e madhe në atë vend, deri si “gjobëvënës”.

Para disa javësh isha në Shqipëri dhe në Bulevard në Tiranë mora një gjobë, pasi policia e trafikut më tha se u futa në të verdhë. Për habinë time, në vendin ku unë jetoj, futja në të verdhë nuk përbën automatiisht futje në të kuqe. Megjithatë, polici i trafikut rrugor më preu gjobën, dhe jam sorollatur dy ditë nga pushimet e mia, për të dalë në komision tek Kinostudio, për të marr një gjobë me zbritje në 160 mije leke, ose mbi 100 Sterlina angleze, që është sa rroga mesatare ditore, por gjysma e mesatares në Shqipëri.

Në këtë aspekt, u ndjeva i frustruar me këtë gjobë drakoniane, për xhepin e një shqiptari të thjeshtë. Përveç kësaj, dhe burokracisë së marrjes së pamjeve filmike  nga kamerat e Bashkisë, nëse doje të sfidoje gjobën, por sjellja e policisë ishte mëse korrekte. Dhe nuk mora në telefon as Erjon Velinë, që e kam mik dhe ia kam numrin e as dikë tjetër.

Dhe nëse doni ta dini, u ndjeva shumë mirë, që policia në Shqipërinë që unë shpesh e kritikoj me dashamirësinë e një shqiptari, nuk më fali, por bëri punën e saj, për një kundërvajtje në rrugë, që do duhet të jetë shumë më e rreptë nëpër autostrada, ku ndodhin shumica e aksidenteve vdekjeprurëse, dhe jo dhe aq, në Bulavardin qendror të Tiranës, ku duket sikur dalin here pas here, për të prerë gjoba për buxhetin e shtetit, pas reklamës televizive në mesnatë të Kryeministrit.

Thënë kjo, përshtypja ime, të paktën në aspektin formal dhe vizual, është konstatimi ngazëllyes se policia shqiptare meriton një përgëzim të madh për ata djem e vajza të rinj që janë mjaft korrekt dhe të bëjnë të ndihesh mirë, kur i sheh dhe punojnë nëpër rrugët dhe mbarë Shqipërinë.

Nëse duam të bëhet shtet në atë vendin tonë mjaft problematik, policia do duhet te jetë padyshim korrekte dhe të zbatojë ligjin me këdo, njësoj, pavarësisht nga statusi dhe vendi i punës. Por, ne shqiptarët e medias ose jo, do duhet të heqim dore nga ideja autoritare se ne të medias, sidomos, nuk duhet të prekemi, sepse jemi të medias. Jo.

Ne jemi shtetas si gjithë të tjerët, si edhe ju që lexoni këto rreshta, dhe si të tillë, do duhet të ankohemi edhe mediatikisht, biles fortë, kur abuzohet me të drejtat tona, nëse polica jo perfekte shqiptare gabon. Rasti i Lesit, që merr mbështetje, pa më habitur, edhe nga LSI, e bën akoma më të cenueshëm çështjen.

Problemi më i madh i yni, si të medias, është vetëlejimi që ne bëjmë, për t’i shërbyer pushtetit dhe për t’u bërë kobure në dorën e botuesve, pronarëve,  apo dhe politikanëve me pushtet dhe ofiqarëve të shtetit, për përftime dhe pasurim okult, ose me saktë, atyre që vetëshiten, se jo të gjithë gazetarët janë të atillë.

Problemi më i madh mes nesh, është kur lejojmë veten dhe shitemi përpara pushtetit të ditës dhe në median shqiptare ka shumë të tillë, fatkeqësisht dhe nuk është nevoja t’i përmend, pasi kjo shihet në pasurimin e tyre të tejskajshëm, të cilin shqiptarët e thjeshtë e shohin dhe e dëshmojnë.

Rreziku ne nuk na vjen nga policia e Çakos, sesa nga “policia informative” e Fugës dhe Ramës me ERTV, apo ajo e Metës, njëlloj si ajo e Berishës dikur, që ndaj Lesit e shumë prej nesh, jashtë e brenda Shqipërisë, ndonjë që e mbron sot, ishin “punonjës efektivë” të saj, duke guxuar të sulmonin edhe median ndërkombëtare dhe gazetarët e saj.

Kësaj lloj policie i duhet trembur që, ndjesë për termin, por nuk më vjen në mëndje një tjetër që të përshkruaj më mirë gjendjen; e ka ”shkërdhyer” median shqiptare, përmes korruptimit të saj financiar, ku do duhet të jesh patjetër në një anë të caktuar të llogores, se në të kundërt, s’ke asnjë lloj aksesi, pasi që, botueseve e pronarëve u mohohet luksi i jetës që jetojnë, si edhe luksi i të qenit të paprekshëm.

Ndaj dhe Mero Baze, duke bërë apologjinë solidare të radhës, dhe përmes referencës, i thotë Nikollës, me mënyrën e vetë finoke se; “mirë” ia bën Nikoll Lesit, kur ky i fundit nuk diti të shmang, këtë polici të pushtetit, që i duhet bërë fresk.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet