Shtegu i ngushtë i Edi Ramës

nga Arben MANAJ

Përgjithësisht, ashtu si komshiun, edhe opozitën, nuk e zgjedh dot. Ajo ka marrë ato vendime që ka marrë, për të keqen e vet dhe të Shqipërisë apo anasjellas, ç’ka koha do e tregojë.

Por jemi këtu ku jemi, jo vetëm për faj të saj, por edhe të pushtetit dhe arrogancës dhe fodullëkut të saj tipik ballkanik, korrupsionit galopant dhe keqmenaxhimit të shtetit. Ç’ka ka shuar në një pjesë dhe për një pjesë, jo të vogël të shqiptarëve shpresën, se mund të jetojnë dhe rrisin fëmijët në atë vend, duke bërë që nga një samit diaspore në tjetrin, të ketë arritje më të madhe rritjen e numrit të saj nëpër botë. Tangërllëku, qoftë edhe ai pushtetit absolut dhe tepsisë, shkon kaluar dhe ka ardhur koha të kthehet në këmbë.

Kryeministri, edhe pse shpotitës për nga natyra, edhe pse me një shumicë komode të marrë shqiptarëve me tuta sporti, pa asnjë program të mirëfilltë dhe kjo është punë e votuesve shqiptarë në fund të fundit, sesi votojnë e si qeverisen me pas, kishte të gjitha shanset si çdo fitues, që të ishte të paktën, më pak acarues, konfliktuoz, dhe më shumë tolerant dhe gjithëpërfshirës, qoftë edhe për sy të xhihanit me opozitën në Parlament.

Të pranonte, qoftë edhe për t’i mbyllur gojën, nëse nuk e kishte për konsitucion të brëndshëm disa nga politikat e opozitës, në emër të bashkëpunimit me opozitën që ajo të mos ndihej totalisht e përjashtuar dhe e pavlerë politikisht, përballë arrogancës së kartonëve.

Kjo do kishte qënë shumë e mirë për të gjithë; si për ata që vjedhin në emër të pushtetit dhe i vendosin shifrat e tenderëve me lehtësinë e pas-marrjes së ndonjë vize të bardhë, ashtu edhe për ata që nuk ngopen ende, mesa kanë vjedhur, para atyre që i kanë zëvendësuar, si specialist më shumë, sesa si socialist.

Të ndodhur në mes të këtij sanduiçi kleptokratik, janë falë edhe përzgjedhjes së tyre, shqiptarët e thjeshtë, ku gjysma e vendit janë larguar, e gjysma që ka mbetur pas, janë sa minorenë e po aq të moshës se tretë me dinjitet minimal njerëzor, kurse pjesa tjeter e mbetur, zvarriten mes mbijetesës, frikës nga pushteti, korrupsionit të bërë ndër pushtete të ndryshme, e atyre ç’ka mbetet, një tjetër pjesë, që përpiqet të fitojë dhe të shndërohet në shtresë të mesme.

Kriza politike e këtij viti, nuk mund të injorohet dhe anashkalohet, as me gjeste të fortësh flakëvënës e gaz-hedhësish, por me mëndje të kthjellët dhe urtësi perendimore politikbërëse. Aq më pak, ajo s’mund të shuhet me dezertorë legjislativë, pasi do ishte naive nga pushteti që të mendohej se opozita reale, do t’i lejonte deputetët e pankinës, që të hynë fizikisht në fushë, kur tërë ekipi ka dalë nga fusha e lojës, pavarësisht nga drejtësia e motivit.

Edhe pushteti riskon që edhe deputetët e tyre, të mos mund të futen një ditë fare në godinën e Parlamentit, nëse gjërat lejohet të precitojnë deri në atë pikë, ku çdo deputet që do tentojë të hyjë në Parlament, ta gjejë veten, si në Ukrainë, të kapur zhelesh nga protestuesit e të futur në ndonjë kazan plehrash pranë Toptanit, si shkalla më e lartë dhe e padëgjuar e poshtërimit publik në Shqipëri.

Këtë e ka në dorë pushteti ta shmangë dhe opozita shumë të lehtë ta bëjë. Parlamenti është disfunsional, momentalisht. Për ata që jetojnë në një botë tjetër, do duhet ta mësojnë se çdo organizëm ka korpe dhe antikorpe, dhe kur mungojnë këto të fundit, trupi vdes, ashtu si edhe demokracia, sado perfekte ose imperfekte qoftë. Plus, këtë status-quo, edhe pse bota perëndimore mund të mos bjerë dakord me të, sërish nuk mund ta lejojë gjatë, pasi nuk e lejon në shoqëritë e tyre post-industriale.

Nëse gjendja përkeqësohet dhe nuk gjendet ujdia dhe dialogu, e gjendja përshkallëzohet, edhe burokracia e Brukselit dhe Uashingtonit që kanë interesat e tyre respektive në Shqipëri dhe rajon, nuk do jenë në këto nivele tonaliteti dhe impenjimi politik dhe diplomatik sa këto ditë.

Mos u gënjeni nga prononcimet e niveleve më të ulëta të politikës evropiane, siç janë fatkeqësisht, eurodeputetët, të cilët realisht janë fundi i kavallit dhe vulëvënësit në Strasburg të vendimeve të marra politikisht në përgjithësi në Bruksel.

Aq më tepër, si këta të këtyre ditëve që vizituan Shqipërinë, e që për ironi të fatit nuk e dinë nëse do jenë apo jo në atë Parlament dhe në ato grupime determinuese, pas zgjedhjeve të 23-26 majit për Pparlametin Evropian.

Parlamenti i ri Evropian pritet të ndryshojë shumë nga ky aktuali, ku e djathta dhe ajo me euroskeptikja, do jetë në vendin e shoferit, që gjëja e fundit që duan, është zgjerimi i mëtejshëm i BE-së.

Mazhoranca lipset urgjentisht, nëse ka mendje të ftohta dhe të painfluencuara substancialisht, që edhe për të mirën e vet, të gjejë gjuhën e paqes dhe bashkëpunimit me opozitën, e cila të mos kihet iluzion se do hyjë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Madje, nuk do i lejojë që ato të zhvillohen.

Kujtoni, se ishte ajo frikë se nuk do i lejonte opozita zgjedhjet e përgjithshme, një nga faktorët që e shtynë Ramën të bënte marrëveshjen me Bashën, i cili nuk do e hajë më karemin e kryeministrit, si në at’botë.

Hapjen e negociatave, Shqipëria me amulline, që është sot, dhe këtë pozicionim kokëfortë llogoresh dhe përplasje që nuk janë shfaqja më ekstreme e saj, do duhet ta harrojë deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme e të pakontestueshme.

Ajo se përse Shqipëria rrezikon të bjerë sërish në “de javu” të tilla, është nxitimi për të bërë ndryshime kozmetike dhe jo të ndryshojë shumë nga sistemi dhe mënyra sesi funksionon demokracia, ku liderët e partive jane mbretër dhe nuk do duan të abdikojnë nga absolutizmi i tyre.

Mosndryshimi i sistemit zgjedhor jo përfaqësues, ku praktikisht gjysma e kombit jeton jashtë Shqipërisë, e cila kontribon mbi gjysmë miliardë euro çdo vit, për të shfryrë valvulat e keqqeverisjes dhe moszhvillimit, dhe refuzimi konstant për t’u dhënë të drejtën e votimit në distancë, pasi e dinë se janë më pak të influencuar nga vështirësitë e mbijetesës dhe oportunizimit klasik në Shqipëri, janë premisat e mbajtjes së rekordit euvropianolindor të tranzicionit post-komunist.

Këto që po shkruaj mund të irritojnë shumë lexues, ashtu siç mund të trimërojnë shumë të tjerë. Rrugë tjetër nga aq sa dhe si e shoh unë, nga larg dhe qetë, nga ku ajo botë shqiptare e atjeposhtme, më duket goxha për të qeshur, por më shumë për të qarë. Ky është shtegu nga do duhet të kalojë Edi Rama, edhe pse i ngushtë si i atillë, përkundrejt drejtimit të kundërt, që shkon kah humnera.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Ana  e Diel 3 Mars, 2019

    Bravo!