Samiti i Dytë i Diasporës. Intelektualë paralajmërojnë për politizimin e diasporës

Marrë nga Deutsche Welle

S(ulltan H)amiti e quan me ironi shkrimtari gjuhëmprehtë Agron Tufa Samitin e Dytë të Diasporës që po zhvillohet në datat 1 dhe 2 mars në Tiranë. Ironia pasqyron paksa edhe pakënaqësinë që ndjehet tek gjithnjë e më shumë qytetarë të Shqipërisë prej tashmë disa muajsh ndaj politikës aktuale në vend e që Tufa e përmbledh me fjalët: "fasadë, propagandë, korrupsion". Shkrimtari nga Tirana, i njohur për gjuhën e tij polemizuese, nuk është i vetmi që përdor fjalë kaq të ashpra ndaj samitit.

As Ardian Vehbiu nga Nju Jorku, shkrimtar dhe administrator i blogut "Peizazhe të Fjalës", nuk heziton ta quajë samitin një "shaka të shpëlarë". Ndërsa Tufa bën analogji me periudhën osmane, Vehbiu sjell në kujtesë një periudhë më të afërt nga e kaluara e Shqipërisë, nisur dhe nga motoja e samitit "E gjithë vëmendja për diasporën”, që sipas Vehbiut, rimerr një moto të Partisë Socialiste: "E gjithë vëmendja për ju.” Për mua, ky "samit” është diçka midis karnavalit dhe festivalit folklorik – një festë me kostume dhe buzëqeshje të subvencionuara. Ndoshta pushteti në Shqipëri ka nevojë për vaki të tilla – shqiptarët që jetojnë anembanë botës dhe që nuk kontribuojnë për këtë klasë politike jo", përfundon Vehbiu për DW. Ai vetë, megjithëse tashmë një figurë e njohur ndër intelektualët e diasporës, nuk është ftuar në këtë samit. Blogu i drejtuar prej tij nuk i ka kursyer kritikat ndaj politikave në vend, sidomos në fushën e kulturës dhe mjedisit.

Shumë fjalë e pak vepra

Por nuk janë vetëm të paftuarit ata që janë kritikë ndaj Samitit të Dytë të Diasporës. Rando Devole, sociolog dhe ekspert në fushën e migracionit, ka marrë pjesë në samitin e kaluar dhe madje për këtë samit është propozuar për Këshillin e Kombëtar të Diasporës, por pa dijeni te tij. Por ai e vëzhgon për së largu, nga Roma, tubimin e dytë madhështor të mërgatës në atdhe. Edhe ai i thotë DW-së se sheh një rrezik që Samiti i Dytë të shndërrohet në "një fasadë për retorikën e radhës". Devole konstaton se përparimet e bëra nga samiti i parë i diasporës, në nëntor të vitit 2016, janë shumë të vogla: Deri tani janë ngritur Agjencia Kombëtare të Diasporës. Fondi i Zhvillimit të Diasporës dhe Qendra e Botimit për Diasporën, por sipas Devoles, aktiviteti i tyre është minimal.

"Diaspora ka vite që i kërkon shtetit shqiptar akte konkrete, të prekshme, fundja të realizojë atë që ai vetë deklaron e premton me të madhe në dokumente zyrtare, por, në thelb, jemi ende në nivelin e fjalëve dhe njoftimeve", i tha Devole Deutsche Welle-s. I pakënaqur është Devole edhe me përgatitjet për Samitit të Dytë. Rando Devole kërkonte këto ditë me dëshpërim në rrjet listën e folësve në panel, e cila u bë e njohur vetëm një ditë para samitit, për të një mangësi që flet për mungesën e seriozitetit në lidhje me çështjet e diasporës.

Mendime dhe plane

Në katër panelet e së premtes (01.03.) që zhvillohen pas panelit hyrës është paraparë të flitet për votat, identitetin, ekonominë dhe turizmin. Veç konferencës që zhvillohet të premten, është paraparë në mbrëmje edhe një mbrëmje gala ku do të jepen çmime dhe tituj, si dhe një aktivitet tjetër të shtunën që parasheh festimin në Lezhë të 575-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Se çfarë pritet të dalë konkretisht nga këto panele, kjo nuk është shumë e qartë.

Anduena Stephan, konsulle nderi e Shqipërisë në Dyseldorf të Gjermanisë, dhe presidente e Shoqatës Integrative Gjermano-Shqiptare (IDEAL), e cila, nga emigrantët që pyeti DW, ishte ndër të paktat aktiviste të Diasporës që do të shkonte sërish në samit, nuk e konkretizon pritshmërinë e saj: "Pres që të strukturohen në një plan veprimi për dy vitet e ardhshme rezultatet e Kuvendit 2019. Pres një ndërveprim proaktiv me aktore të diasporës, të shoqatave të saj, me propozime të tyre, me projekte e iniciativa që të ndërthuren, rrjetëzohen dhe të kenë efekte veprimi si ne vendet ku është diaspora, ashtu dhe në ndërrjetëzime mes shtetesh e kontinentesh. Po kaq e rëndësishme është edhe përgatitja dhe ndjekja e një plani pune në nivel projektesh konkrete në të mirë të vendeve te origjinës, e cila ne fund te ditës prodhon efekte pozitive ne te mire te familjeve te diasporës që jetojnë e punojnë aty", thotë ajo për DW.

Artur Elezi, profesor matematike dhe aktivist i kahershëm në Uashington, i cili ka marrë pjesë gjithashtu në samitin e parë është mirëkuptues që pritshmëritë ndaj Samitit të Dytë nuk jan aq konkrete. "Pa pasur një strukturë bashkëbisedimi nuk mund të bëhet gjë," thotë ai dhe vë në dukje se organizimi i miliona shqiptarëve në diasporë është një punë shumë e vështirë. "Me kë do të flasë qeveria? Ka milionë emigrantë dhe kushedi sa zëra! Duhet një strukturë si fillim, që të jetë përfaqësuese e Diasporës, në bisedim me qeverinë për hartimin e një strategjie afatgjate", thotë Elezi. I cili sheh disa , duke përmendur si arritje pozitive "bashkëpunimin deri diku të mirë midis qeverisë dhe diasporës për mbarëvajtjen e shkollave shqipe."

Shumë para për pak punë

Por një gjë ia vret sytë shumë vetëve në këtë samit, dhe kjo jo vetëm Elezit: Kostoja që ai do t'i kushtojë tatimpaguesit shqiptar. Në rrjetet sociale qarkullon një listë me shpenzimet e samitit që në total janë 67 milionë lekë (afro 500 mijë euro) që do të thotë, më shumë se dyfishi i samitit buxhetit vjetor të paraparë për projekte me diasporën. Ndërkohë që vetë vizitorët vijnë me shpenzimet e tyre. Kostot janë vetëm për eventin, transportin, kancelari dhe dekor etj., shuma këto, që në Shqipërinë e varfër konsiderohen tepër të majme.

Përfaqësuesit e shoqatës GERMIN, Liza Gashi nga Prishtina dhe Mark Kosmo nga Bostoni, i kanë nisur prej kohësh një letër ministrit të diasporës, Pandeli Majko, ku ndër të tjera i luten që t'i ulë shpenzimet e samitit dhe, ç'është më e rëndësishmja, që shpenzimet në lidhje me politikat e Diasporës të bëhen transparente. Por, Mark Kosmo i thotë DW-së se deri tani nuk ka marrë ende përgjigje. "Ndoshta e merr kolegia ime Liza Gashi, e cila është një nga folëset në program", sqaron ai më tej. Edhe Deutsche Welle u përpoq në disa mënyra të merrte një përgjigje nga Ministria e Diasporës për buxhetin e samitit, por pa sukses.

Rrezik politizimi dhe instrumentalizimi

Në letrën në fjalë, kërkohet edhe që qeveria të mos ketë një rol kaq ndikues mbi diasporën, por që diaspora ta bëjë vetë organizimin e saj. Kosmo dhe Gashi kritikojnë se diaspora është "mysafire, dhe jo partnere". Sepse, me gjithë organizimin e madh dhe shumë tradicional të shqiptarëve në diasporë, samiti është organizuar direkt nga qeveria, dhe të ftuarit janë përzgjedhur nga ambasadat përkatëse në këto vende. Po ashtu, ambasadat kanë perzgjedhur edhe kandidatët për Këshillin Koordinues të Diasporës. Artur Elezi, megjithatë, mendon se kush ka dashur të shkojë në samit, nuk ka pasur nevojë për ftesë speciale. Mjafton të shprehje dëshirën. Ai tërheq vëmendjen se gjërat nuk duhen parë ose bardhë ose zi.

As Jozef Radi, president nderi i shoqatës "Aquila" të Anconës, i cili me anë të blogut të tij radiandradi është kthyer në një tjetër përçues të rëndësishëm të diskursit intelektual të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, nuk ka marrë ftesë. Në bisedë me DW ai thotë se parimisht e përkrah idenë e një samiti, nëse ky do të ishte i vërtetë. Por sipas Radit, ajo që do të sjellë tubimi është për "të ndarë mallin e të mërguarve me vendin". Radi e sheh me skepticizëm edhe projektin e votës së diasporës, përsa kohë që demokracia në Shqipëri nuk është konsoliduar ende. "Politizimi i diasporës është një manovër që s'mund të prodhojë ndonjë efekt pozitiv, por vetëm sa do ta përçajë më tej atë," thotë ai.

Një përçarje e parë vihet re edhe nga pritja që po i bën diasporës elita vendore: Në samit janë ftuar të mbajnë fjalime presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por jo ai i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, por jo ai Kosovës, Ramush Haradinaj. I ftuar ka qenë edhe Lulzim Basha, kryetar i opozitës, i cili para pak fillimit bëri të ditur nëpërmjet një mesazhi në Twitter-it se nuk do të shkonte në samit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet