Shqiptarët lihen jashtë derës për festën kombëtare nga Ambasada në Pekin. Festojnë vetëm

Shqiptarët që jetojnë në kryeqendrën e kinës Pekin, kanë festuar 28 Nëntorin ashtu si të gjithë bashkëkombasit e tyre në të gjithë botën. Por ky vit, ka qenë shumë ndryshe nga të tjerët. Të lënë totalisht në harresë për këtë ngjarje të rëndësishme për vendin, institucioni i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, nuk ka ftuar asnjë shqiptar “përveç të ftuarve me njohje personale”, duke u dhënë më tepër përparësi të huajve sesa shqiptarëve të ciët kanë festën e tyre kombëtare dhe duhet të kishin mbushur sallën e aktivitetit për këtë ngjarje.

Gjithçka e përgatitur me ftesa të veçanta dhe askush nuk ka mundur të hyjë tek salla e takimit festiv të organizuar nga Ambasada, pa patur ftesën në dorë. Burime nga personat pjesmarrës në këtë takim, theksuan për Hermesnews, se nuk dihet pse këtë vit është vendosur që festa kombëtare e Shqipërisë të zhvillohet kaq e përzgjedhur imtësisht për personat pjesmarrës, por mendohet se shkak kryesor ka qenë gjendja financiare, e cila më tepër se ftesën ndaj diplomatëve të huaj duhet ta kishin vetë ata që e festonin përvjetorin, shqiptarët.

Të njohur publikisht me një vendim të tillë të ndërmarrë nga institucioni i ambasadës, shumë shqiptarë të ciët jetojnë në Pekin, janë shprehur të pakënaqur ndaj lënies totalisht jashtë vëmendjes për një ngjarje të tillë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve nga zona të ndryshme të pekinit, kanë menduar se lënia totalisht pas dore e tyre nga institucioni më i lartë përfaqësues i vendit këtu në Kinë, nuk do të bëjë që ata të mos festojnë. Madje disa prej tyre janë shprehur hapur se “në takim do të shkonin për të festuar për vendin e vet dhe aspak për të ngrënë apo pirë diçka. Ambjenti shqiptar, muzika dhe vallet tona janë ato që do të më bënin të kënaqesha pa masë”, ka thënë një shqiptare e ardhur prej jo shumë kohësh në Pekin.

Por zgjidhja ka qenë e menjëhershme. Pa patur aspak lidhje me takimin zyrtar të ambasadës, shqiptarë nga zona të ndryshme të pekinit, janë mbledhur së bashku për të festuar. Nën bisedat shqiptare, muzikën, flamurin kombëtar apo edhe veshjeve kombëtare, shqiptarët kanë festuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Dollitë e ngritura me raki alla shqiptarçe, kanë bërë që takimi festiv të kulmojë duke ftuar tek tavolina festive edhe të rinj kinezë të interesuar për shqipërinë.

Author

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Bledi  e Mërkurë 29 Nëntor, 2017

    Sa turp dhe sa tmerr. Turp per ambasaden ne Kine