Si do të vepronit ju?

nga Albana LIFSCHIN

Në vitin ‘95, në Manhattan u bëmë bashkë një grup emigrantësh dhe kujtuam me nostalgji jetën e Tiranës, kafet tek Pallati i Kulturës, pastaj petat e Kafe Florës, xhiron e madhe në Bulevard, dhe diskutuam mbi: si mund të mbajmë edhe këtu po ato lidhje që kemi pasur në Shqipëri.

Një zotëri (M.M) që kishte studiuar në Paris, tha shkurt: "Nuk jetohet në një vend të huaj me mentalitetin e vendit tënd. Këtu ka tjetër psikologji, tjetër zhvillim e mentalitet."

Rast tjetër: Një mik i familjes dikur, kur u kthye nga SHBA mbaj mend që na pat thënë: "Në Amerikë gjen gjithçka, por fëmijët i humbet". Nuk e kishte fjalën që femijët i kishin dalë dore, siç mund t’i shkojë mendja dikuj. Jo. Fëmijët u rritën nën kujdesin e prindërve, dhe kur erdhi puna për të vazhduar studimet e larta filluan të kërkonin universitetet që ishin më të favorshme, nga ana financiare dhe që përputheshin edhe me dëshirat e tyre për degën që do zgjidhnin. Pra shkollën e bënë në shtete të tjera të USA, larg familjes. Personalisht në vitin ’90 në një seminar gazetarësh të organizuar nga Ambasada amerikane në Budapest, kam takuar mjaft studentë amerikanë që studionin në Budapest.

A kthehen të jetojnë sërish në familjet e prindërve? Edhe po, edhe jo. Sepse pas mbarimit të shkollës janë në kërkim të punës. Dhe puna mund t’u dalë në një shtet tjetër (obsionet janë të mëdha në këtë vend: 50 shtete!) Por edhe jashtë këtij vendi.

Eshtë puna që vendos se ku do të jetosh. Mund ta sjellë rasti që atje të gjejnë edhe shoqen e jetës. Po me prindërit kur takohen? Në Thanksgiving ose për Krishtlindje. Këto janë takimet më të bukura dhe më të përmallshme, kur e gjithë familja bëhet bashkë. Natyrisht edhe në ditët e tjera të pushimeve si weekend-e të gjata.

Tjetër. Lidhur me konceptin që u shpreh këtu se prindërit i përzenë “fëmijët” nga shtëpia. Dhe këtë punë s’e ka mirë shoqëria amerikane, apo shteti. Fëmija amerikan, konsiderohet i rritur dhe bëhet i përgjegjshëm për veten para ligjit në moshën (18/21 vjeç). Kjo do të thotë që prindi pas kësaj moshe nuk bëhet me përgjegjës për veprimet e “fëmijës”. Ai nuk është më fëmijë, fiton të drejtat e të rriturit, të votës dhe të martesës. Pra mund të dalë më vete. Megjithatë, në rastet kur adoleshenti ndjek shkollën e lartë, në të njëjtin qytet ai rri në familje. Ndjen nevojën e mbështetjes së prindërve e cila është gjithnjë e pakufishme.

Ka mjaft të rinj që largohen me dëshirën e tyre (për të qenë të pavarur) nga foleja e prindërve duke kërkuar vendin e dashurisë. Kur dështojnë, kthehen sërish tek prindërit. Shpesh kthehen së bashku me të dashurën (për mungesë pune, të ardhurash të pamjaftushme).

Kjo shikohet si periudhë e përkohshme sa të rimëkëmben përsëri. Nëse këta fëmijë të rritur, preferojnë të rrijnë aty për një kohë të gjatë në dembelizëm dhe apati, atëherë krijohen vështirësi të mëdha për familjen dhe madje dhe rreziqe. Cfarë rreziqesh? Jeta ka treguar që “fëmija” sillet keq me prindërit, u krijon dhimbje shpirtërore me fyerje që iu bën, madje edhe kur ata janë në moshë të thyer. Një mikesha jonë në Bruklin, Sarah, u largua në Teksas tek e bija e martuar, vetem që t’i linte krejt shtëpinë të birit me shpresë se ai do të bëhej “burrë” e do të krijonte familjen e tij. Sarah e mirë vdiq brenda 6 muajsh për të mos iu bërë barrë vajzës me familje, dhe nga dëshpërimi se nuk kishte më se ku të kthehej. E çfarë sakrificash nuk bëjnë prindërit për fëmijët! Por cila është mirënjohja e tyre? Kjo është çështje tjetër.

Nuk pergjithsoj, por për të qënë realistë, po iu tregoj edhe një rast tjetër përsëri transmetuar nga TV. Për të kam shkruar edhe këtu në Fb. Pas vdekjes së të shoqit gruaja jetoi në shtëpinë që i kishte ndërtuar ai, për të dhe për fëmijët, me porosinë: ”Mos e ler, as mos e shit kurrë shtëpinë deri në ditën e fundit". Kur u bë 80 vjeç, gruaja duke menduar se ndoshta nuk do jetonte gjatë, e bëri kalimin e shtëpisë në emër të djalit, por me një marrëveshje për të jetuar në të deri ditën e vdekjes. Ajo u be 90 vjeç dhe djali i cili tashmë ishte 60-të, kishte filluar të behej nervoz, e të mos dukej më në shtëpinë e prindërve për ta parë nënën si më parë. Një ditë prej ditësh gruas së moshuar i vjen një urdhër nga gjykata për ta lënë shtëpinë, pasi ajo i takonte të birit.

Nena. "Bir, ne ramë dakort që do të jetoja këtu deri sa të vdisja. Kjo qe dhe porosia e babait.

- Po, por ti u bëre 90 vjeçe, unë po bëhem 70, kur do ta gezoj shtëpinë? Më duhet shtëpia se kam nevojë për para, do ta shes. Shtëpia bën 350 mijë dollarë!

-Po për mua mendove?

-Zonjë, ti e ke vendin në azil, tani. Atje ke plot në moshën tende!

......

Do të shkruaj ndonjëherë tjetër me gjerësisht për këtë temë.

Shkurt, lidhur me fëmijët e sotëm. Amerika u afron mundësitë më te paimagjinueshme fëmijëve të sotëm, e rrit fëmijë të përkedhelur. Shpesh edhe në programet televizive thuhet që sot amerikani 25 vjeç sillet si 15, ai që është 35 sillet si 25, e madje nënat 40 vjeçare “konkurojnë” me të bijat.

Gjithkush në mendim e veprim duket më i ri se mosha. Senatori Ben Sasse në librin e tij për problemet e rritjes së gjeneratës së sotme dhe fateve të vendit, jep shembuj nga jeta e vet, e fëmijëve të tij. Domosdoshmëri për ta është njohja dhe edukimi me punën. Njohja me historinë e amerikës, edukimi me ndjenjën e patriotizmit. Një shembull që me bëri përshtypje ishte që gjatë pushimeve të verës, ai me të shoqen e dërguan vajzën e tyre 15 vjeç të punonte e jetonte në fermë. I thanë fermerit qe t’ja mësonte të bijës të gjitha proceset, dhe nuk do ta paguante asnjë dollar për punën e saj. Vajza u dashurua pas punës dhe i dërgonte nënës mesazhe entuziaste, të cilat kjo e fundit i percillte në Facebook. Presidenti Regan porosiste edukimin e brezit të ri si gjënë më themelore, për të ruajtur Amerikën nga dështimi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet