Sistemi i ri që duam

nga Doriana METOLLARI

Vetingu dha sot rezultatin e parë të sistemit të ri të drejtësisë, atij që presin qytetarët e Shqipërisë që prej shumë vitesh. Që nga ardhja e komunizmit dhe më vonë demokracisë, ky është momenti më i rëndësishëm që po kalon Shqipëria, dhe që lidhet me vendosjen e një sistemi të ri. Shtylla e drejtësisë ka qenë në thelb një kancer agresiv në vend. Problemet me korrupsionin në gjykata kanë qenë të ushqyera fort dhe nga influenca e politikës. Kjo e fundit me kohë i pati marrë peng të gjitha pushtetet, duke penguar ndarjen dhe pavarësinë e tyre. Ka qenë pikërisht kjo e fundit ajo që ka ushqyer dhe stërvitur një kastë, e cila i ka shërbyer interesave klienteliste, dhe u ka pirë gjakun të tjerëve nga mëngjesi deri në darkë gjithe të tjerëve, duke paguar për emërimet e veta sigurisht.

Ende më kujtohet një fjali, e cituar më pas nga mediat, ku familjari i një të vrari, u kishte thënë gazetarëve se: filan gjykatës "zgërdhihej" nën hundë, gjatë kohës që lironte nga salla e gjyqit një vrasës.

Shqipëria nuk mund t'ia dilte vetëm të hiqte këtë kancer nga trupi, dhe kjo jo se ata që kanë ardhur janë të përsosur, por sepse kanë më shumë eksperiencë dhe kapacitete profesionale sesa ne. Kjo duhet të na mjaftojë, për të marrë atë që na shërben. Tek e fundit po paguhen, mos gaboj me taksat tona. Eshte punë si çdo tjeter.

Asaj që unë i druhen është përsëri influenca politike, në këtë proçes. Dhe pse një pjesë e gjyqtarëve mund ta ketë fjetur mendjen me idenë se lidhjet politike mund ti "shpëtojnë" nga rrjeta, drejtësia duhet të bëjë drejtësi. Politika ti mbajë duart larg, sepse ua ka këtë borxh qytetarëve. Nëse kjo do të thotë largimin e 80% të gjyqtarëve nga ky sistem i kalbur, sinqerisht mirë tu bëhet! Atje jashtë janë plot të rinj, të sapo dalë nga shkolla e magjistraturës, apo të sapo diplomuar në universitetet më të mira të cilët presin një shans të punojnë me integritet në vendin e tyre dhe që deri tani janë penguar nga ujqërit e vjetër të sistemit të drejtësisë në vend.

Sistemi i ri i drejtësisë në vend kërkon më tepër hapësirë për të rinjtë. Nuk mjafton të jesh i ri, por duhet dhe të besosh tek e nesërmja. Prapë nuk mjafton, sepse duhet dhe të punosh për të nesërmen. Shqipëria sot ka nevojë pikërisht për njerëz që largojnë mentalitet e vjetra, dhe mbjellin ato lulet e para, të cilat ndoshta nuk mund të sjellin pranverën, por me siguri e fillojnë atë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet