Sot vrava vëllanë tim, nesër do të të vras ty!

nga Bledi MANE

Nga gjumi më zgjoi e ulëritura e babit. Po zihej me mamin, po e qëllonte e po e shante. Ti je kurva e fshatit, kam dëgjuar fjalë për ty te llotoja e fshatit!-këshu ulëriste babi dhe nga goja e tij veç sharjeve, derdhej edhe afshi i rakisë. Ishte bërë tapë qysh në mëngjes. Unë zbrita nga krevati ku fle me vëllain, shkova bëra shurrën te oborri, nuk lava as sytë por rrëmbeva çantën e shkollës dhe drejt shkollës u nisa pa ngrenë mengjes. Mami nuk kishte kohë të gatuante, po priste sa të mbaronte babi grushtat dhe shpullat që po ia kërciste fytyrës dhe kokës së saj, e pastaj do na e bënte gati ushqimin. Nuk kisha nerva të prisja babin kur të mbaronte së rrahuri mamin, ndaj ika.

Në oborrin e shkollës unë isha i vetmi nxënës i përgjumur, gjithë të tjerët flisnin e tregonin për një vrasje që ishte bërë në Bllokun e Tiranës pse një çun kishte ngacmuar një këngëtare. Edhe kur u futëm në klasë e njëjta histori por kur erdhi mësuese Drita në klasë ra qetësia. Asnjë nuk fliste e të gjithë dëgjonim mësuesen që fliste në telefon e i tregonte një shoqes së saj për nipin që ia kishin vrarë në Belgjikë.

Tek dëgjonim me kureshtjen e provincialit dialogun e një krimi, Blerta, vajza e ulur në bangën e tretë nga rreshti i dritares filloi të qante. Belgjika i kujtonte motrën e saj që ia kishin trafikuar atje dhe nuk e dinin nëse ishte e gjallë apo e vdekur...

Pas orës së tretë dolëm jashtë në pushimin e madh dhe as drejtori nuk na la të qetë. Na bërtiste edhe ne të vegjëlve e na kërkonte të bënim kujdes, mos të shoqëroheshim me ata të klasës së nëntë që tymosnin hashash mbrapa shkollës. Gjithë paraditja mu bajatos e nuk po duroja dot sa të shkoja në shtëpi. Ndoshta babi kishte mbaruar së rrahuri mamin e mami do na kishte gatuar diçka për të ngrënë. Rrugës për në shtëpi u kujtova që kisha një pesëqindëshe në xhep e nuk përtova të shkoja të llotoja e xhaxhi Samiut për të luajtur me gara me qen. 3 qentë që zgjodha për të dalë të parët e përfunduan garën të fundit e porsi qen edhe unë shkova në shtëpi.

Shtëpia bosh, tavolina bosh, mami kishte shkuar të ushqente lopën, babi kishte shkuar të pinte raki përsëri. Vetëm vëllain e gjeta tek shihte televizor i fiksuar pas një filmi me disa të fortë që kishin vjedhur një bankë dhe kishin vrarë dy polica. Uria e madhe po më gërryente stomakun e vogël dhe ashtu i këputur edhe nga mërzitja e përditshme, gjumi më ndihmoi të harroja torturën.

Kur u zgjova, nata kishte mbuluar edhe fshatin, edhe dhomën ku isha shtrirë. U çova vertik dhe me mendjen te ushqimi, i thirra mamit. Ata të tre, vëllai, babi, mami ishin ulur para televizorit dhe as nuk ma përfillnin fare. Xhaxhi Artani, xhaxhi Blendi, Lorenci, teta Klodi, Ylli, Andi, Fatosi flisnin si çdo natë gjithë pasion e me zë lart:

-Krimi, droga, vrasjet, arrestimet, gjykatat, opozita, qeveria, bandat, toyotat, gjaku, vjedhjet, korrupsioni, llotot, bixhozi, permbysje pushteti, Xhisiela, Balilajt, Habilajt, Rexhepi, Sajmiri, Fatmiri!

-O maaaaaaa, o maaaaaa dua bukë. Dua bukë o maaaaa!, klitha gjithë nerva. Mami ktheu kokën e më pa e mbytur nga faji. Syte e saj ishin nxirë nga dhuna e mengjesit të babit. Babi, u çua e pa folur me goditi ne kokë, vëllai me shau pse ua prisha qetësinë.

Nuk qava, ula kokën që më dhimbtte më shumë nga mënxyra e së përditshmes time, shkova tek dollapi i bukës që ishte bosh. Rrëmbeva thikën dhe i pafuqishëm për të vrarë më të rriturit, thikën e ndryshkur nga mungesa e bukës, ia ngula qetësisht vëllait tim...

Kështu do tu vras të gjithëve një e nga një. Do u vras të gjithëve ju që ma veremosët fëmijërinë time!!!

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet