Ta pastrojmë Shqipërinë - nga Andi TEPELENA

Situata mjedisore në vend vazhdon akoma të mbetet një nga problemet më madhore që kemi por ndërkohë mjedisi akoma nuk është një prioritet kryesor në Shqipëri. Një nga problemet më kryesore është pikërisht menaxhimi I integruar I mbetjeve dhe mbledhja e diferencuar në burim. Pasojat negative direkte janë shëndeti publik, zhvillimi I qëndrueshëm I turizmit dhe bujqësia. Së fundmi një grup deputetësh të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit kanë ndërmarrë një nismë ligjore për lejimin e importimit të mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, me preteksin se kjo do të ndikojë pozitivisht ë përmirvsimin e situatës mjedisore në vend.

Aktualisht Shqipëria prej 26 vjetësh është kthyer në një kosh mbeturinash dhe askush nuk bën diçka për ta ndryshuar këtë situatë. Disa prej hapave që duhet të hidheshin nga pushteti qëndror e vendor për përmirësimin e situatës duhet të ishin mbledhja e diferencuar e mbeturinave në burim, rritja e investimeve në infrastrukturën dhe logjistikën për pastrimin e qyteteve, sensibilizimi i popullatës mbi pasojat e ndotjes, zbatimi rigoroz i parimit “Kush ndot paguan”, gjë e cila nuk ka ndodhur ose ka ndodhur në nivele shumë të ulëta, thuajse të papërfillshme.

Gjatë viteve të fundit Lëvizja Civile “Ta Pastrojmë Shqipërinë” është angazhuar intesivisht në organizimin e fushatave ndërgjegjësuese kombëtare, organizimin e aksioneve kombëtare të pastrimit të territorit, duke angazhuar mbi 600.000 vullnetarë dhe duke mbledhur mbi 50.000 ton mbeturina. Nëpërmjet këtyre aksioneve kemi synuar të ndërgjegjësojmë komunitetin dhe institucionet përgjegjëse si dhe të adresojmë këto problematika nëpërmjet aksioneve konkrete dhe gjithëpërfshirjes, si një çështje madhore që na përket të gjithëve dhe që ndikon direkt në jetën tonë, në mjedis, në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Edhe pse një çështje kaq e rëndësishme, bashkëpunimi dhe angazhimi i autoriteteve përgjegjëse për mdrojtjen e mjedisit ka qënë shumë i ulët.

Por le ti kthehemi projektligjit dhe relacionit të përgatitur për këtë projektligj. Nuk mund të mos e shprehim habinë tonë të madhe që një projektligj I tillë I cili do të ketë pasoja direkte në mjedis, bujqësi dhe turizëm, të propozohet nga Komisioni I Veprimtarisë Prodhuese, Tregëtisë dhe Mjedisit I cili është përgjegjës pikërisht për këto prioritete. Më poshtë po mundohemi të listojmë disa prej elementëve se ku çalon ky projektligj.

· Në hartimin e aktit nuk janë përfshirë apo nuk është janë konsultuar grupet e tjera të interesit siç e parashikon ligji sic janë: Ministria e Bujqësisë, Ministria e Turizmit, Ministria e Shëndetësisë, Grupi Këshillimor për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, Organizatat e Shoqërisë Cicile që mbulojnë fushën e mjedisit, turizmit, shëndetit dhe bujqësisë.

· Nuk specifikohet askund sesa është sasia e mbeturinave që gjeneron Shqipëria, ndarjen sipas materialeve të riciklueshme dhe jo të riciklueshme.

· Sa është niveli I riciklimit në Shqipëri.

· Sa është numri I kompanive ricikluese në vend dhe kapaciteti total I riciklimit që këto kompani kanë.

· Specifikohet që kjo industri ka rreth 35.000 të punësuar, por nuk specifikohet a janë këta të punësuar të regjistruar apo mbledhës informal nëpër koshat e mbeturinave anembanë Shqipërisë? As pushteti vendor në të gjithë Shqipërinë nuk besojmë se ka kaq shumë të punësuar në sektorin e pastrimit, plus po ti shtonim 35.000 të sektorit të riciklimit, atëherë Shqipëria do të ishte vendi më I pastër në Evropë.

· Importi nuk mundet kurrsesi të jetë një zgjidhje për industrinë e riciklimit dhe industria e riciklimit nuk mund të ngrihet kurrësesi mbi importin por mbi mbledhjen e diferencuar të mbeturinave në vend.

· Nuk ka një raport të hartuar nga ekspert mbi pasojat që ky ligj mund të sjelli në vend.

· Relacioni është I mbushur vetëm me hamendësime e jo me raporte vlerësimi.

· Një projektligj I tillë nuk mund të hartohet kurrësesi duke lënë jashtë procesit gjithë grupet e tjera të interesit por vetëm me një grupim që ka veç interesa ekonomike dhe duke lënë jashtë interesat dhe strategjitë kombëtare.

· Nuk është shpërndarë asnjë material dhe nuk është zhvilluar ndonjë dëgjesë publike mbi këtë projektligj.

· Në një vend si Shqipëria ku niveli I lartë I korrupsionit ka ndikuar direkt në shkatërrimin e mjedisit, nuk mund të ketë kurrsesi kontroll 100% mbi atë çka importohet.

· Krimi mjedisor është një nga problemet më të mëdha në vende më të zhvilluara se Shqipëria, imagjinoni në Shqipëri?!

Nuk jemi kundër industrisë së riciklimit, përkundrazi stimulojmë organet ligjëbërëse dhe ligjzbatuese të ndërrmarrin hapa konkrete dhe strategji afatgjatë për zhvillimin e kësaj industrie, por jo nëpërmjet importit por duke zhvilluar mbledhjen e diferencuar të mbeturinave në të gjithë vendin. Mbi 80% e mbeturinave të gjeneruara në Shqipëri, janë materiale të riciklueshme, janë burime të cilat përkthehen në vlerë monetare, të cilat nuk riciklohen por depozitohen nëpër Landfille, pra groposim të ardhura. Pa llogaritur që në Shqipëri vetëm 3 apo 4 janë landfille që plotësojnë standartet, të tjerat janë vend depozitime të “ligjëruara” nga pushteti vendor që jo vetëm nuk plotësojnë asnjë standart, por ndikojnë direkt në ndotjen e mëtejshme mjedisore dhe në ndotjen e ujërave nëntokësore duke ndikuar direkt në bujqësi dhe në shëndetin tonë.

Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend me burime të mëdha natyrore dhe me një potencial të jashtëzakonshëm turistik, por armiku numër një I turizmit dhe I imazhit të Shqipërisë janë mbeturinat e hedhura dhe të depozituara ngado, nëpër male, fusha, lumenjë, liqene, dete, rrugë nacionale, lagje, qytete e fshatra. Shqipëria është në një emergjencë mjedisore prej 26 vjetësh dhe akoma nuk po bëhet diçka për ta ndryshuar atë, por përkundrazi, tentojmë akoma ta kthejmë në një kosh mbeturinash.

Ndaj, për sa më sipër e për shumë arsye të tjera, Lëvizja “Ta Pastrojmë Shqipërinë” është KUNDER IMPORTIT TE MBETURINAVE.

*Projektligji: https://www.parlament.al/wp-content...

Relacioni mbështetës: https://www.parlament.al/wp-content...

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet