Të mos heshtim ! Shërbimet publike, si dhe kur mund të denoncohen ? - Av. Phd. Sabina META

Realiteti shoqëror dhe organizimi shtetëror është i ndërtuar dhe i konceptuar në atë mënyre që qytetari çdo ditë ndeshet me sektorin privat apo shtetëror për të realizuar të drejta përmbushur detyrime nga ku pret shërbimin përkatës kundrejt tarifave që i paguan. Si unë dhe ju jemi ndeshur me realitetin shqipëtar të shërbimeve që ofrojnë punonjësit e administratës publike i cili shpesh na ka lënë shije të hidhur sa të humbasim jo vetëm besimin në Shtet por dhe ekzistën e vetë Shtetit.

Administrata publike përfaqëson shtetin, dhe lidhja qytar - shtet ndodh pikërisht përmes përfaqësuesve të tij, që janë punonjësit e administratës publike. Secilit nga ne i ka ndodhur që të keqtrajtohet nga roja i një institucioni, sanitari, e më vonë nga punonjësi i administratës publike të cilët harrojnë faktin se janë aty për të vepruar në përputhje me ligjin dhe kodin e etikës në varësi të pozicionit të punës që ato kanë.

Keqtrajtimet mund të jenë të formave të ndryshme dhe sjellin si pasojë mungesën e dhënies së shërbimit, për të cilin ai ligjërisht është i detyruar ta japë, por kjo gjë nuk zgjat shumë. Kur ti si qytetar i ofron diçka në këmbim të përfitimit të shërbimit përkatës, njeriu që ti ke përballë, roja i institucionit, sanitari, punonjësi i administratës publike, ndryshon sjellje, gjallërohet, shkathtësohet, ëmbëlsohet dhe fillon të bëjë shaka apo të ndërhyjë tek kolegët e tjerë që të ndihmojnë për kryerjen sa më të shpëjtë të shërbimit. Nga 'askushi' shndërrohesh në mikun e tij, miku i mikut, apo miku i shefit dhe i ndonjë njeriu të rëndësishëm.

Këto fenomene ndodhin gjithmonë, çdo ditë, çdo moment në çdo dikaster që përballesh. Të përfitosh shërbim nga administrata publike, do të thotë ta përfitosh atë, pa burokraci, në mënyrë të mënjëhershme, pa zvarritje, shërbim të saktë dhe të drejtë, përmes së cilit ti je i kënaqur, nuk ke zvarritje kohore, përsëritje dhe ripërsëritje të proçedurave rutinë.

Fatmirësht në Shqipëri ekziston një ligj 'Për rregullat e Administratës Publike', e konkretisht referuar ligjit Nr 9131, datë 8.9.2003 PER RREGULLAT E ETIKES NE ADMINISTRATEN PUBLIKE citohet fakti se ky ligj shërben të vendosë rregullat e sjelljes së nëpunësve të administratës publike, sipas standardeve të kërkuara, t'i ndihmojë ata për arritjen e këtyre standardeve dhe të vërë në dijeni publikun për sjelljen që duhet të ketë nëpunësi i administratës publike.

Në kryerjen e funksioneve, nëpunësi i administratës publike duhet të respektojë parimet si më poshtë:

a) të kryejë detyrat, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

b) të veprojë në mënyrë të pavarur nga pikëpamja politike e të mas pengojë zbatimin e politikave, të vendimeve ose veprimeve ligjore të autoriteteve te administratës publike;

c) në kryerjen e detyrave duhet të jetë i ndershëm, i paanshëm, efikas, duke pasur parasysh vetëm interesin publik;

d) të jetë i sjellshëm në marrëdhënie me qytetarët që u shërben, dhe me eproret, kolegët e vartësit e tij;

e) nuk duhet të veprojë arbitrarisht në dëm të një personi ose organizate dhe duhet të tregojë respektin e duhur, për të drejtat dhe interesat personale të të tretëve;

dh) të mos lejojë që interesat e tij private të bien ndesh me pozitën e tij publike, të shmangë konfliktet e interesave dhe të mos shfrytëzojë asnjëherë pozitën për interesin e tij privat;

f) të sillet gjithnjë në mënyrë të tillë, që besimi i publikut në ndershmërinë, paanshmërinë dhe efektivitetin e shërbimit publik të ruhet e të rritet;

ë) të ruajë konfidencialitetin e informacionit, që ka në zotërim, por pa cënuar zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr. 8503, date 30.6.1999, "Për të drejtën e infomimit për dokumentet zyrtare"

Të gjitha ato që parashikjon ligji, në 85% të rasteve (për të mos thënë krejt) mungojnë, pasi mungon etika në komunikim, në sjellje e më vonë në shërbim. Punonjësit i kanë shpatullat e ngrohta sa të jenë miku i dikujt, dashnori apo dhe anëtari i ndonjë partie të caktuar, pasi vetëm në këtë mënyrë proçedohet për emërim në pozicione pune dhe edukata, sjellja, mirëkuptimi, përmbushja e detyrës, janë si premtimet elektorale apo përrallë nga e kaluara.

Por çfarë parashikon ligji për dhuratat e vogla, ato 200, 500, lekë-shat, ato kafet nën dorë që qytetarëve u janë bërë zakon të qerasin dhe 'atyre' zakon t'ua kërkojnë, në mënyrë të drejpërdrejtë apo indirekte ?

Referuar nenit i 10 të ligjit të sipërcituar citojmë se: Nëpunësi i administratës publike nuk duhet të kërkojë ose të pranojë, dhurata, favore, pritje ose çfarëdo përfitim tjetër, ose shmangie të humbjeve të mundshme, si dhe premtime për to, për veten, familjen, të afërmit, personat ose organizatat me të cilat ka marrëdhënie, që ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në paanësinë e kryerjes së detyrës, apo janë ose duket sikur janë shpërblim për mënyrën e kryerjes se detyrës zyrtare.

(Pika 1 e këtij neni nuk zbatohet në rastin e ftesave të zakonshme, të mikpritjes tradicionale, të dhuratave me vlerë simbolike ose tradicionale, të mirësjelljes, të cilat nuk krijojnë dyshime mbi paanshmërinë e nëpunësit.) Në rast dyshimi mbi paanshmërinë e përfitimeve, nëpunësi këshillohet me njësinë e personelit të institucionit. Në qoftë së nëpunësit i ofrohet një avantazh i padrejtë, ai duhet:

a) ta refuzojë, pa pasur nevojë ta pranojë atë për ta përdorur si provë;

b) të përpiqet që ta identifikojë personin që i bën ofertën;

c) të shmangë kontaktet e gjata me personin që bëri ofertën, por dijenia e arsyes për të cilën bëhet oferta, mund të shërbejë si provë;

ç) në qoftëse dhurata nuk mund të refuzohet që t'i kthehet dërguesit, duhet të ruhet, të përdoret sa me pak që të jetë e mundur dhe t'i raportohet menjëherë eprorit direkt;

d) të ketë dëshmitarë, nëse është e mundur, kolegët që punojnë me të;

dh) të raportojë përpjekjen, sa më shpejt që të jetë e mundur, tek eprori i tij ose te njësia e personelit;

e) të vazhdojë punën normalisht, sidomos për problemin për të cilin avantazhi i padrejtë është ofruar.

Nga eksperienca e ime deri më sot, s'kam parë punonjës të administratës publike-shteterore të thotë 'jo', apo të raportojë, por vetëm raste që kërkojnë para direkt ose indirekt (por ne e kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë) dhe e pranojmë me stil. Por nga ana tjetër kam vënë re gjithashtu se si trajtohen ligjërisht ato pak raste të denoncuara apo të zbuluara (mes qindra e mijërave që zhvillohen çdo ditë) që nga momenti i dhënies së masës së sigurimit, ndjekja e hetimeve, gjykimi, e dhënia e dënimit, duke u trajtuar si të ftuar special dhe jo si persona që kanë kryer vepër të rëndë penale, të vazhdueshme, me ndërgjegje dhe me dashje.

Pra në raste konkrete ndodhemi në një labirint pa krye, pasi nëse ndodhesh para një fenomeni të tillë maksimumi që mund të bësh është të shkosh dhe të ankohesh tek eprori, por ja dhe ky ngre supet sepse ia ka sjellë partia. Nëse bën denoncim duhen patjetër prova (për mitmarrje ), por se çfarë do nxjerrësh në dritë e cituam më lart. Historia vazhdon, përsëritet bashkë me fatin tonë të trishtë që s'kemi ku kërkojmë shërbime e s'kemi ku përplasemi kur nuk na i japin ato.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet