Të rinjtë e vjetër të politikës...

nga Luan Kurti

Pluralizmi shqiptar ka qënë që në thelb i deformuar dhe ditë pas dite është bërë më i sofistikuar, duke krijuar modelin e pandëshkueshmërisë, pavarësisht nga shkalla e lartë e korrupsionit, e abuzimit me detyrën apo me ligjin. Ky model i së keqes nuk ka molepsur vetëm politikën, por është përcjellë deri poshtë në çdo hallkë, në çdo qelizë dhe shtresë të shoqërisë tonë. Sot fatkeqësisht aspak nuk përbën turp, por është kthyer në normë, çdo formë sjellje dhe veprimi të kundraligjshëm, që shpie drejt realizimit të qëllimit, suksesit, pasurimit të shpejtë dhe sigurimit të një pozite shoqërore të privilegjuar. Në terminologjinë e re populiste dhe jo vetëm, të këtyre 22 viteve tranzicion, individët e tillë cilësohen të “zotët” “njerëz që s’ua ha qeni shkopin”, “me vizion”; madje krijojnë mite dhe nevojë për imitim. Kriza e identitetit, e humbjes së sensit të masës dhe arsyes është më e rënda që po kalon sot shoqëria shqiptare. Përsa u përket të rinjve, të paktën atyre më tipikëve që na janë shfaqur në media dhe ekrane jo rrallë herë në këto kohë, vihet re se janë po kaq cinik, po kaq konfliktual, po kaq me cene dhe vese të mbrapshta sa të vjetrit, madje paraqiten shpesh më të avancuar. Ata kanë kuptuar që në krye të herës, se çelësi i suksesit është t’i bindesh, të tërheqësh vëmëndjen e liderit, të adaptosh sjelljet dhe qëndrimet e tij, pa pyetur për nevojat, apo sensibilitetet e publikut. Këtu nuk bëjnë dallim, të rinjtë e shkolluar në fakultetet tona apo në perëndim, me diploma të rregullta apo fallso; është thjeshtë çështje inteligjence dhe shpejtësie adaptimi me sistemin. Nuk di nëse ata mund të bëjn ndonjë hop cilësor, të purifikohen nga ndotja që u ka zënë frymën, apo të kalojnë ylberin dhe të bëhen luftëtarë të së nesërmes. Performanca e deritashme nuk ma ka lënë këtë ndjesi…Megjithatë shpresoj të jem i gabuar!...Nëse do më pyesnit se ku i kam varur unë shpresat, do t’u thoja se kam kohë që e mendoj, por ende nuk e kam një përgjigje. Por bindja ime e thellë është se këtij vendi nuk i mungojnë kapacitetet, talentet, njerëzit idealist dhe me vizion, por hë për hë ata janë jashtë politikës, në minorancë dhe të veçuar, peng të një sistemi të mbyllur që të dekurajon dhe të shterpëzon që në embrion. Mbase gjërat kanë nevojë jo vetëm për kohën e ngjizjes por edhe të maturimit dhe përkundër gjithë skepticizmit, frikërave tona, ndryshimet do të ndodhin…

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet