Të shohim pak nga Gjermania

nga Elvis Hoxha

Është mirë të shohim pak nga Gjermania dhe jo nga Erdogani e apo udhëheqësit tanë të deritanishëm. Të shohim për të kuptuar mënyrën sesi respektohet shteti dhe institucionet e tij. Gjermania e respekton administratën e lartë të saj, shembull edhe letra e drejtuar z. Ditmir Bushati. Kancelarja e Gjermanisë nuk ka për këshilltar një pronar të dyshimtë mediash. Ndërsa Edi Rama ka për këshilltar Baton Haxhiun, dhe askush nuk e di se ç’mund të këshillojë një tip si Batoni. Madje dimë se të dy, Edi dhe Batoni na rekomandojnë masën e gjenialitetit të Gent Cakajt, a thua se këta të dy janë gjeni të diplomacisë dhe i ndjejnë me erë gjenit ë e tjerë.

Gjermania nuk respekton kërpudhën dhe të kërkojë të shkatërrojë teatrin kombëtar, ta mbajë mbyllur Muzeun Kombëtar të Arteve dhe ta djegë e ta përmbyti Bibliotekën Kombëtare. Gjermania nuk e jep me koncesion tërë pasurinë publike dhe infrastrukturore të Gjermanisë. Ndërsa Edi Rama punon vetëm me ca emra biznesmenësh a thua se Shqipëria është një atdhe për t’u shitur dhe Rama trashëgimtari i vetëm dhe i fundit i saj.

Gjermania nuk vë një nxënës anglishteje ministër financash, gjë që mund ta bëjë Edi Rama me Arbenin e vet. Gjermania nuk tallet me studentët dhe profesorët, pikërisht dhe sidomos me ata që e kanë vërtet shqetësim Universitetin. Edi Rama poston dhe faqe në fb të fryra nga ironi bajate dhe banalitet i përsëritur.

Gjermania nuk vendos zv.ministreshë të arsimit personin që ekspozohet plazheve me çizme në poza seksi. Por këtë mund ta bëjë Edi Rama. Gjermania nuk tallet nga një qytet me kryeqytetin. Por këtë mund ta bëjë Edi Rama në Vlorë. Sepse vetëm Edi Rama mund t’i ndajë shqiptarët në të mirë e në të këqinj. Sipas tij ata dhjetëra mijëra të mbledhur në bulevardin e Tiranës janë barbarët.

Gjermania është kundër dhënies së territoreve të Kosovës Serbisë, Rama punon që t’i falim territore Serbisë. Merkel do të kishte dhënë dorëheqjen nëse gjermanët do të largoheshin prej atdheut të tyre në masën 10% gjatë mandatit të saj, ndërsa Ramës aq i bën.

Merkel do të kishte dhënë dorëheqjen nëse administrat e saj do të dilte e tëra me grada e tituj të marrë me plagjiaturë. Ndërsa Rama i ngre në detyrë, sepse aq i bën nëse publikisht armata e tij janë kopjacë dhe hajdutë. Merkel nuk do të shiste mend te biznesmenët e huaj se Gjermania nuk ka sindikata dhe se rrjedhimisht populli i saj është turmë skllevërish. Rama e shet publikisht e me krenari të qenit kryeministër i një bande skllevërish.

Kostumi dhe zyra e Merkelit janë shenja e vënies sa saj në shërbim të GJermanisë, ndërsa veshjet dhe zyra e Ramës janë shembull se ai i shërben vetes dhe këmbëve të ngritura mbi tryezën e ekzekutivit. Merkel nuk rri në fb duke iu përgjigjur komenteve të qytetarëve të saj, ndërsa Edi Rama luan deri aktorin injorant në mediat sociale.

Merkel nuk e shndërron institucionin e saj në ekspo, sepse nuk ia lejon vetes profanizimin e institucioneve të shtetit, ndërsa Edi Rama e denatyron kryeministrinë në media televizive personale dhe espozitë për lëpirësit e vet. Për Merkelin zyra e saj është zyrë e ekzekutivit të Gjermanisë, ndërsa për Ramën është atelier bojrash e ngjyrash, sallë dekori dhe ndoshta dhe fushë e vogël basketbolli.

Lista mund të shtohet natyrshëm. Udhëheqësit tanë nuk kanë mësuar kurrë se ç’është politika dhe atdheu. Kur qytetarët ta kuptojnë se profanizimi që i bën Edi Rama institucioneve të shtetit nuk është gjenialitet, por cinizëm vulgar dhe arrogancë e pështirë, atëherë shoqëria do të ketë fituar një gram dije mbi çfarë është politika publike dhe historia e institucioneve.

Author
Hermes News

Redaksia

Lajme të ngjashme

Opinion

Palo parti

e Hënë 18 Shkurt, 2019

Shkruaj një koment

0 Komentet