Terrorizëm islamik apo terrorizëm politik ?

nga Melsen Kafilaj

“Terrorizmi, ky tumor malinj i kohës sonë”, kështu u shpreh njëherë në lidhje me këtë fenomen shqetësues historiani i madh amerikan Paul Johnson. Fjalë që të ngjethin mishin kur sjell në vëmëndje ngjarjet e tmerrshme të ndodhura në Paris, Stamboll dhe së fundmi në kryeqytetin belg ,Bruksel. Fjalë që na trondisin thellësisht dhe e konfirmojnë të ardhmen tonë gjithnjë e më të pasigurtë.

Në fakt, ajo ç’ka e bën këtë fenomen kaq të frikshëm siç vëzhgon dhe psikologu i mirënjohur Laërence Freedman është paparashikueshmëria e tij. Fëmijët e Dexhallit (ISIS) godasin pikërisht atëherë kur besohet se ka rënë perdja e qetësisë. Të treja ngjarjet e përmëndura më sipër e konfirmojnë këtë dëshmi. Paaftësia e shërbimeve inteligjente për ta gjurmuar dhe e qeverive perëndimore për ta ndalur tregon që terrori “nuk ka fytyrë” dhe ai ndërmerr inkursione sipas parimit të gogolit. Një gogol që bota perëndimore e ka epitetuar që prej vitit 2001 si “terrorizëm islamik”. Por a mund të flasim për një terrorizëm islamik, lind pyetja?! A ka terrori fe?!

Çështja e mësipërme ngre një valë të gjerë diskutimesh me argumente “pro et contra” në funksion të analizës së saj. Por mendimi ynë është se nuk mund të flasim për një terrorizëm islamik. Për këtë do të na lejoni të shpalosim me radhë disa nga argumentat tona. Së pari, fetë historike (Judaizmi, Krishtërimi dhe Islami) janë religjione bioetike dhe fe të paqes. Ato janë në thelb pro mbrojtjes së jetës dhe ndajnë me njëra tjetrën të njëjtin angazhim ndaj vlerave morale, standarteve morale dhe ligjeve morale dhe e dënojnë botërisht keqtrajtimin e të pafajshmëve. Po ashtu si në të dy librat e tjerë, edhe në Qur’an kemi një maksimë tepër humaniste që e dëshmon më së miri këtë fakt: ”Kush vret një njeri,vret gjithë njerëzimin’’. Atëherë si mund ti njollosim fetë si “oaz terrori” kur në të vërtetë Profetët e ndalojnë dhunën dhe shprehen kundër derdhjes së gjakut të pafaj?!

Parë në këtë kontekst, nuk janë religjionet në vetvete ato që nxisin vrasje dhe kryejnë masakra por interpretuesit fetarë, të cilët e deformojnë funksionin e fesë dhe e përthyejnë atë në aspektin politik dhe radikal për interesat e tyre. Kështu psh, si Krishtërimi nuk mund të identifikohet me Bernardin Kryqtar po ashtu edhe Islami nuk mund ta shfaqë vetveten në epifaninë e një Ibn Baghdat-i gjakatar.

Së dyti, terrorizmi nuk ka fe. Atij nuk mund ti shtojmë nga pas asnjë pjesë tjetër religjoze. Do të ishte gabim logjik nqs do ta bënim këtë gjë. Sepse nuk mund të pranohet prej një logjike të shëndoshë dhe nuk ka aspak sens që ai që lan duart me gjak të pafaj të jetë edhe njeri i paqes. Terroristi është një vrasës dhe pikë. Një qënie “e pafe” që lëndon me vrasjen dhe vetvrasjen e tij zemrën e dhëmbshur të Zotit. Në të treja fetë monoteiste Zoti e urren vrasjen. Pra si mund të flasim për një qënie fetare dhe një qënie vrastare në të njëjtën kohë?! Terroristi nuk mund të jetë të dyja njëkohësisht. Ka disa që duan ta shikojnë këtë sintezë tek njeriu i Lindjes së Mesme. Por Zoti dhe Dexhalli s’mund të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Kush është me Zotin nuk i merr jetën as Tjetrit dhe as Vetes. Përkundrazi, kush është me palën tjetër e tërheq ekstaza e kasaphanave.

Së fundmi, si kumton edhe eruditi Bernard Leëis terrorizmi i llojit modern drejtuar ndaj qytetarëve, palëve jo luftuese dhe civilëve të pafajshëm nuk është islamik. Ai është më shumë një importim në botën islame siç janë edhe bombat apo armët që terroristët përdorin. Ai mban vulë ruse. Që prej “alkimistëve të Revolucionit” që përmënd Marksi, teknikave guerrilje të Trockit e deri tek importimi i tyre prej fidainjve palestinezë në këtë Rajon, terrorizmi modern ka pasur gjithmonë prapavijë politike. Ç’ka nënkupton rrjedhimisht se nuk mund të flasim për një terrorizëm “fetar” por mirëfilli për një terrorizëm politik. Fitili mund të jetë fetar(në kuptimin e nxitjes), por pasojat do të jenë gjithnjë të një natyre politike.

Terrorizmi i ushtruar në Evropë nga ISIS duke qënë prej natyre një terrorizëm politik, me goditjet e shpeshta dhe mediatizimin e tij kërkon të sjellë në vëmëndje bartjen e konfliktit prej Tokave të Sha’am-it dhe tek e fundit të tregojë që edhe Akili i fuqishëm pavarsisht hyjnizimit të tij e ka ende një pikë ‘’të cënueshme’’ dhe ata e dinë se ku.

Pyetja që ne shtrojmë është e një natyre klasike: Qui bono ?! Pra,kujt i leverdis ?! Ka gjasa që këto sulme të jenë “shfryrje” e një zemërate arabe të akumuluar prej kohësh si pasojë e Pranverave pa Diell, dhuruar nga Perëndimi - Pantokrator. Apo ndoshta rezultat i një bumerangu që të Mëdhenjve po ju kthehet pas si rezultat i tregëtisë pa kritere të armëve dhe projektit të dështuar për një Lindje të Mesme të Madhe. Por ç’është e Vërteta ?! Ne në fakt, nuk e dimë se cila është ajo. Prandaj na vjen në ndihmë Koha. Koha vërtetë i gëlltit bijtë e saj por në fund ajo është zbuluesja e çfarëdo të fshehte !

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet