Thirrja e fundit e shqiptarëve

nga Doriana METOLLARI

Shqiptarët votuan për të ngritur një sistem të ri, për herë të parë. Anormaliteti i këtyre zgjedhjeve pa opozitë u bë për të vendosur një normalitet që do ti shërbejë në radhë të parë institucioneve të këtij vendi, nesër. Ata që nuk ndodheshin jashtë dhe që panë jashtë mjegullës së lojës së partive, votuan. Megjithëse jo të shumtë në numër, mjaftojnë për ti dhënë një shtysë vendit për të filluar mbi baza të reja.

Pavarësisht se kishim të bënim më një sistem demokratik në letër, vullneti për ta kthyer vërtet në të tillë mungoi. Ajo që e dallon të bardhën nga e zeza në këtë vend, është Shteti, jo partitë. Prandaj e jona nuk ishte një votë “për Ramën” por për të zbatuar rregullat e lojës, kusht bazë për tu integruar në BE.

Vendit i ka munduar themeli, dhe qytetaret nuk kanë mundur kurrë të mbështetin diku tjetër përveçse të fortit, rol që shpesh herë e kanë patur partitë. Njëherë që vendi do të fillojë të ecë mbi binarë, mund të thyejmë mure të tjera, por e rëndësishme është që marëdhëniet mes njerëzve të jenë më të qeta dhe më normale, sepse një rregullator i jashtëm i drejton.

Prandaj e vërteta dhe zgjidhja është gjithmonë tek institucionet. Një ekuilibër i ri shoqëror do të zërë vend në Shqipëri, sepse një mekanizëm do të fillojë të verë bazat e demokracisë, ku askush nuk do të mund më të shkelë mbi të drejtat e askujt, asnjë qytetar nuk do të mund të sugjestiohet më nga një kriminel që bën presion nëpërmjet shtetit.

Do të jemi më të vetëdijshëm se jemi qytetarë të një Republike që ka vend për të gjithë ata që duan të ndërtojnë.

Kjo nuk ka qenë kurrë një luftë për të mbajtur socialistët në qeveri, por që të jetë shumica të vendosë për fatin e ardhshëm të vendit. Ligjet e demokracisë janë të shenjta sepse nëpërmjet tyre vendosim për fatin tonë.

Kemi vuajtur nga paaftësia dhe politika e keqe, mungesa e kauzës, e frymëzimit, e debatit mbi programe. Tani ka ardhur koha që secila parti të firmosë një pakt moral. Nuk duam më kriminelë të deklaruar nëpër prokurori. Koha e pastrimit të partive.

Në Shqipëri nuk duhet më të pretendohet pushtet pa votën e qytetarëve, as nën kërcënim, as me dhunë, e as më shkatërrim.

Duam të fillojmë që sot. Fëmijëve tanë nuk u interesojnë më hakmarrjet e vjetra, duam ti japim fund tranzicionit plak, që kapet pas energjisë së re të këtij vendi që po shterron përditë. Kjo nuk ka qenë një votë për Ramën, ka qënë një votë për qytetarin, për fëmijën, për shkollat, për gjykatat. Ka qenë një votë më e thjshtë se interesat e komplikuara të partive politike. Ka qenë një votë për klasën e mesme, për pensionistët, për kategoritë e lëna pas dorë. Ka qenë një votë që e hodhëm për fëmijët tanë.

Eshte thirrja e tyre e fundit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet