Doriana Metollari, Editore Hermesnews.al

Ti harrojmë traditat!

nga Doriana METOLLARI

Prit! Nuk dua të më paragjykosh që në rreshtat e parë të këtij shkrimi. Duro. Lexoje deri në fund. Ti mund të mos jesh dakord, por dua të më lexosh, para se mania për të kundërshtuar gjithçka të jetë më e fortë se ti. Nuk po flas për vlera, por, për ca tradita që na mbajnë peng. Do të shkonim shumë më larg nëse do të kishim vendosur me kohë të mos kapeshim pas tyre si guackat pas shkëmbinjve, tu kushtonim vemëndje më pak, të ishim më pak të prirur ti fusnim në jetën tonë të përditshme. Të vjetëruara, por ky nuk është problemi, problem bëhen kur pengojnë të renë.

Kënget popullorë përshëmbull. Monto e çmonto prapë u sillemi rrotull. Nuk dua të humbas bukurinë e traditës, por kur kjo vjetërohet, le ti shijojmë në muze, dreqi e mori. Ku e çuat shpirtin e ri të artistit? Koha ecën e bashkë me të shijet muzikore ndryshojnë. Kam frikë, them frikë sepse realisht është një lloj frikë kjo që kapemi pas të kaluarës, se jemi pak dembelë për të shpikur diçka të re,që konkuron me botën. Kulturë antike e quan Europa, ajo pjesa tjetër e kontinentit tonë që e influencon botën.

Temat në emisionet televizive dhe spektakleve janë histori të tjera. Ndoshta ka ardhur koha të përballemi me realitetin e kohës, për të kuptuar si mund ta jetojmë më mirë, dhe si mund ta ndryshojmë më mirë. Jeta jonë sot ka bosht tjetër. Nevojat janë të tjera. Nuk besoj se jeta e shqiptarëve në çdo orë është vetëm politikë, apo më keq telenovela. Ngjyra të forta, make-up artificial dominues mbi personalitetin me vajza që po si nxorën të gjitha nuk e shohin veten të bukur para pasqyrës. Nuk besoj se argëtimi është një garë për nudizëm vulgar, por një vend ku të gjithë japin diçka nga ajo çfarë janë dhe çfarë duan të komunikojnë. Bukuria vjen si rrezultat i kësaj.

Por le ti kthehemi përsëri traditës. Njërëzit duhet të jënë gati ta bëjnë këtë ndarje neto nga e kaluara për të parë kohën në sy dhe për ta kuptuar. Europa ka plot shembuj në biznes, art, spektakel. Vlera që ka adoptuar, artistë që u ka dhënë hapësirë. Pra në një farë mënyrë të jemi të hapur drejt shëmbujve të rinj, që nuk ka nevojë të emigrojnë për të gjetur hapësirë diku tjetër.

Mbase do të donin të investonin në vendin e tyre, që ka më pak lekë, e shumë shpirt. Investoni për risinë, të bukurën, mbrojeni atë! Mos e shihni me antipati e paragjykim! Folklorin nuk mund "ta veshim" më, sepse koha të shkëput dhe do s'do të çon drejt së ardhes aty ku është bota. Pyetja është: ti a je gati?

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet