Unë jam me banorët e Astirit!

nga Doriana METOLLARI

Unë jam, ashtu si dhe shumë shqiptarë, e vëmendshme ndaj banorëve të Astirit, jo vetëm emocionalisht afër tyre, por e di se pas këtij halli fshihet një fenomen. Mungesa e politikave afatgjatë në këtë vend është një fenomen, që u ngec 'peshqesh', qeveri pas qeverie, shqiptarëve.

Kushdo që nxirret jashtë shtëpisë meriton solidaritet njerëzor, dhe si qytetare pyes: çfarë mund të më ndodhë nesër, nëse dikush nxjerr nga sirtari një projekt të cilin qeveria paraardhëse nuk e vuri dot në zbatim. Çfarë ka menduar Parlamenti për 60% të ndërtimeve në vend, pa leje?

Post komunizmi i hapi dritën jeshile një lloj kaosi, që për 30 vjet iu duk 'një drejtë’ shumëkujt, me ligje të propozuara nga një politikë që nuk mendoi kurrë për të nesërmen, por e vetëdijshme se një ditë Bashkimi Europian nuk do t'ua falte. Nuk e besoni? Thuaji sot një 30 vjeçari se ajo nga e cila po e flakin nuk është shtëpia e tij! Koha kalonte nga një qeveri në një tjetër dhe ndërsa ata që hodhën paratë hodhën dhe rrënjët, politika i milte si lopët në çdo mandat. U premtonin reforma, legalizime, tapi. Qytetarët pohonin nën zë se kjo punë zgjidhej vetëm me rryshfete dhe miq, dhe i pagonin rryshfetet. U bënë mal ndërtimet pa leje në Shqipëri pa bërë kurrë një strategji mbi të. Askush nuk mendoi të shtonte numrin e ndërtesave sociale. Askush nuk mendoi të mbantë një fond të posaçëm.

Një ditë dikush u kujtua 'ii quantë "uzurpatorë". Në fakt uzurpatorët ishin politikanët dhe vetë shteti i përkohshem që krijonin çdo mandat. Ne jemi qeverisur nga uzurpatorë të ligjeve. Nëse nuk do të ishte kështu do të kishin menduar të ndërtonin politika për uljen e çmimit të qirave në treg. Asnjë politikë nuk ka menduar të ulë çmimin e shitjes së banesave në treg, që për një vend si Shqipëria është tejet i lartë. Paskemi jetuar me një politikë "shpellare", qenkemi udhëhequr nga politikanë "shpellarë", të padenjë për një vend demokratik. Shteti është përceptuar një barrakë, ku sot vendoset një tullë, nesër e heq tjetri, dhe pasnesër kujt t'i takojë. Politika ka baltosur principin e shenjtë të pronës.

Sa më shumë ka kaluar koha, aq më e lartë kostoja. Nuk është halli vetëm një projekt urban. Hall janë dhe gjykatësit e korruptuar deri në fyt, dhe ekonomia informale, dhe politikanët me të cilët po humb durimin dhe policia.

Të gjithë po vuajmë një të kaluar post diktatoriale nga e cila ka vetëm një rrugëdalje. E para çdo qytetar i ndershëm që gëzon të drejta mbi tokën shqiptare ka të drejtë ligjore të mbrohet dhe meriton që personi i tij jo vetëm të respektohet por dhe vetë institucionet të kenë një qasje me njerëzore. E dyta, tani boll! Duam institucione dhe Shtet Ligjor. Duam njerëz që na përfaqësojnë denjësisht! Duam debat mbi alternativa dhe duam figura të pastra në Parlament! Vota nuk mbrohet nga cubat! Vota mbrohet nga ligji, nga institucionet, nga kultura. Mbrohet nga truri, jo ai që ka rrjedhur kanaleve të pushtetit, por nga truri i ri i vendit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

2 Komentet

  1. Doriana  e Premte 30 Nëntor, 2018

    Artan ti ke te drejte. Ky vend ka pare shume cmenduri deri tani. Reformat teresore jane te domosdoshme. Gjykatesit jane te paret ata qe e kane zhytur vendin ne llumin e kriminalitetit. Lere pastaj pronat. A mund te na e sjellesh rastin tend ne redaksi? Nese po kontakto ne dorianametollari@yahoo.com

  2. Artan  e Enjte 29 Nëntor, 2018

    Nga ana humanitare nuk e ke keq por cdo te duhet te them kur kam 20 vjet qe bredh neper gjyqe e nuk me japin te drejten e prones pasi diku ka hyre njeri qe ja legalizuan marrjen e prones time, diku eshte nje i forte qe megjithese nuk e ka te legalizuar perseri gjykata nuk ma kthen etj etj pericepi nga me te cmendura ... Ne fakt per ata te asaj zone thuhet qe do te çdemtohen sipas gjendjes aktuale qe jane, kush e ka te legalizuar do te marre shperblim. Nese ngrihet ceshtja per vleren e cdemtimit eshte teme tjeter, por keta nuk duan fare tu prishet e keshtu kerkund ne Bote nuk ndodh te ndalen vepra sociale se nuk duan pronaret. Paramendo sikur te mos jene dakort pronaret e tokave nga ku do te kaloje TAP ose ndonje autostrade qe eshte ne projekt. Ndersa per ata pa legalizim ose ne proces ju eshte premtu shtepi sociale dhe 3 vite qera, qe presupozon te mos paguajne edhe taksen e prones. C'duan me shume?