Vota e diasporës si fillimi i fundit të tranzicionit në Shqipëri

Nga Përparim GJEKA

"Një burrë dashuron fort dy herë të njëjtën grua. Herën e parë kur bie në dashuri dhe herën e dytë kur fal dhe zgjedh ta dashurojë edhe pas zhgënjimit me të, me përjashtim të aktit të tradhtisë". Le ta shohim këtë shprehje të përshtatur të urtësisë kineze në marrdhënien që populli dhe Diaspora jonë ka me qeveritë e saj në këto 30 vjet tranzicion nga diktatura komuniste në demokraci funksionale.

Dashuria dhe besimi ynë tek qeveritë dhe politika në masë filloi zhgënjimin në zgjedhjet e deformuara te vitit 1996, vazhdoi me rebelimin e armatosur të vitit 1997, kulmoi me flijimin e katër protestuesve më 21 Janar 2011 me kontributin e të gjitha palëve politike dhe vazhdon me shpopullimin masiv vitet e fundit si rezultat i kapjes së shtetit nga krimi. Opozita politike në Shqipëri pati rastin që vitin e kaluar në Mars 2019 me daljen nga Parlamenti, të bashkonte opozicionin shqiptar brenda dhe jashtë vendit në një luftë të pakrompromis me mjete demokratike kundra tranzicionit të zgjatur, por e humbi shansin rrugës sidomos së fundmi duke bashkëpunuar me pozitën qeverisëse për të ruajtur pozitat e tyre monopol në tregun elektoral.

Në këto kushte, kur rotacioni politik nuk siguron daljen nga qerthulli i tranzicionit dhe hapjen rrugë të konkurrencës së lirë duke filluar nga politika si baza e demokracisë funksionale, shpresa për ndryshim pritet të vijë nga forca të jashtme që nuk janë pjesë dhe të varura direkt nga politika aktive në vend. E vetmja force kombëtare e aftë ta bëjë këtë ndryshim, me kapacitetet e nevojshme është vetëm Diaspora Shqiptare.

Aktivizimi së fundmi i Diasporës për ndryshimin e ligjit elektoral duhet parë si detyrë kombëtare e saj, thirrur nga historia si gjithmonë për të shpëtuar fatet e atdheut dhe jo si ambicie personale e anëtarëve të saj per protagonizëm politik. Deri tani Diaspora e cila përbën gjysmën e zgjedhësve të regjistruar ka qenë në kushtet e zhgënjimit prej klasës politike, por përsëri në "dashuri" me të. Nëse kalohet vija e kuqe, kalimi nga zhgënjim në tradhti, pritet një reagim tjetër nga Diaspora.

SHKOQUR

Premtimi i votës për emigrantët në vendet ku banojnë nga të gjitha krahët e politikës në marrveshje burrash, dhe mos diskutimi fare në tavolinë, eventualisht mos implementimi në ligjin e ri elektoral do të thotë jo vetem tradhëti, por edhe tallje e pacipë me gjysmën e kombit, me ata që literalisht kanë mbajtur banorët vendas me bukë me punën dhe kursimet e tyre dërguar familjarëve, madje kanë mbajtur edhe shtetin në këmbë me të hyrat në valutë. Tranzicioni i shtetit shqiptar nuk qe në gjendje të prodhonte thuajse asgjë për eksport përveç krahut të punës dhe rrjedhjes së trurit jashtë vendit. Si ka mundësi që të lihet jashte liste kjo gjysmë vitale e kombit? Ku e ka Shqipëria jonë e varfër luksin të mohojë gjysmën e trupit të vet? Kush e merr këtë guxim deri kriminal nëse nuk janë në lojë interesa madhore deri kriminale? Ku fle lepuri dhe kush e ka lepurin në bark nga vota e Diasporës me lista të hapura kur kjo votë do të jetë në dobi të vendit? Sepse vota e Diasporës nuk mund të shitet dhe blihet në pazar të Roskovecit dhe as të shantazhohet dhe duke mos u llogaritur dot nga anon, provokon që partitë politike të jenë të detyruara të venë në lista personalitete me reputacion në Diasporë për të tërhequr vota.

Këto personalitete nga ana e tyre në parlament duke mos qenë të varur nga kryetari, nuk do votojne PPP-ra dhe pazare të tjera okulte ku pasuria publike shkon në xhepat e oligarkisë kriminale që ka blerë deputetë e deri parti politike. Shumë deputetë të diaspores bashkë marrin nisma ligjore në dobi të përparimit të ekonomisë, në dobi të rritjes së fuqisë së shtetit tonë përkundër ndërhyrjes së serbëve, grekëve, turqve etj. në politikat e brendshme të vendit tonë deri në faljen apo gllabërim in e tokave dhe detit shqiptar fqinjëve.

Thjesht, nëse nuk përfshihet vota e diasporës, përfaqësuesja kombëtare e Shqipërisë në parlament, do të përbëhet vetëm nga çunat e kampionatit kombëtar të futbollit duke lënë jashtë gjithë Canat me shokë që luajnë në kampionate europiane, me të cilët Kombetarja jonë pretendon të përballojë kundërshtarët historikë. Kush janë ata trajnerë dhe cilët janë ata që mbështesin trajnerët të cilët nuk duan të thërrasin në kombëtare lojtarët më të mirë që angazhohen jashtë shtetit? Shikoni pak 11 futbollistët tanë të formacionit atë ditë kur mundën Greqinë kampione të Europes dhe shikoni sa prej tyre nuk luanin jashtë. Ose shikoni edhe grumbullimet e De Biasit apo ato aktuale. Atëherë përse gjëra kaq të thjeshta për logjikën më normale bëhen aq të vështira, nga kush dhe pse? Sepse vota e diasporës është një penallti në minutën e fundit që i humb ndeshjen tranzicionit dhe krimit duke parashkruar fundin e tyre.

SHKOQUR FARE

Klasës politike që ka në dorë topin e reformës zgjedhore i është dhënë një penallti nga ne “DIASPORA SHQIPTARE” për ta bërë “GOL”, si dhe të miratojë pa humbur kohë dy kushtet e vendosura, votën dhe listat e hapura, në peticionin që Këshilli Kordinues i Diasporës i ka dërguar për të dëshmuar që nuk janë të kapur nga krimi ashtu siç pretendojnë. Një tjetër pike e panegociueshme është edhe depolitizimi i procesit te administrimit zgjedhor e sidomos numerimi i votave nga persona jo të varur nga qeveria si gjykatës, prokurorë, bankiere etj. Kush mbështet pa kompromis këto pika në bisedimet e ligjit zgjedhor provon që është i pakapur nga krimi dhe do ketë mbështetje politike nga Diaspora.

Në të kundërt, mosmiratimi i këtyre pikave provon jo vetem tradhtinë, talljen me diasporën por dhe më keq, guximin për të luajtur me fatet e vendit gjë të cilën Diaspora nuk do ta pranojë dhe do detyrohet të futet fuqishëm në zgjedhje me alternativat e saj duke ndërmarrë disa nga hapat e duhura.

1. Organizimi i gjithe shoqatave të diasporës, entiteve shqiptare kudo që ndodhen nëpër botë për sensibilizim dhe regjistrim të pavarur të secilit emigrant dhe shtetas shqiptar në marreveshje me shtetet ku jetojmë për të marrë bazën e të dhënave që ekziston në çdo shtet, të cilat do te behen publike.

2. Kontraktohet një organizatë e pavarur ndërkombëtare e pakontestuar me eksperiencë në manaxhimin e zgjedhjeve dhe referendumeve (1% e sa para dergojme çdo vit në Shqipëri mjafton) për të organizuar një fushatë dhe proces zgjedhor model ku Diaspora do të zgjedhë përfaqësuesit e saj politikë me renditje sipas votave të marra.

3. Lista DIASPORA SHQIPTARE do të marrë pjesë si e pavarur në zgjedhjet politike të radhës si subjekt politik për të kërkuar votën e zgjedhësve. Të shikojmë nëse shqiptarët do të zgjedhin ata që jane përgjegjës për fatkeqsite kombëtare të 30 viteve apo ata që i kanë nderuar në botën e lireë me dijet, sakrificat, ndershmërinë, guximin, inteligjencën dhe arritjet e tyre.

4. Nëse listës DIASPORA SHQIPTARE i krijohen probleme në zgjedhje, i tjetërsohet vota me makinacione të tipit ” tërmet, tërmet" apo vota në kuti të “gabuara”, Diaspora do të lobojë në të gjitha format e mundshme që Parlamenti shqiptar të detyrohet të votojë me 140 vota pro sanksionimit me Kushtetutë të rezervimit të së drejtës së diasporës të përfaqësohet në Parlament me deputetë aq sa përqindja e saj në raport me popullsinë e përgjithshme të shtetasve shqiptarë kudo që janë. Kjo si e drejtë legjitime e një populli unik në botë që mbron veten dhe mbrohet nga UNESCO si specie në zhdukje (shpopullim).

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Ylli Zariu  e Martë 9 Qershor, 2020

    Komplimentohem me shokun tim te femijerise Perparim Gjeka...per kontributin energjik kundrejt atdheut tone.Historia fatmiresisht ose fatkeqesisht varet nga pike veshtrimi i gjithekujt,....perseritet.Ishte diaspora qe ne 1912 ngriti flamurin ne vlore dhe mbajti te bashkuar shtetin shqipetar ......pershendetje....