Zyra e Regjistrimit të pasurive të paluajtëshme dhe loja e stërzgjatur e regjistrimit

nga Av. Phd Sabina Meta

Zyra e Regjistrimit të Pasurive te Paluajteshme, referuar ligjit Nr 7843 dt 13-07-1994 “Për regjistrimin e Pasurive të Paluajtëshme”, vendodhjes së tyre pranë qëndrave administrative të çdo zone të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për pasuritë e paluajtshme, merret mes të tjerave dhe me regjistrimin e pasurive të shtetasve referuar këtij ligji.

Forma dhe mënyra me anë të së cilës proçedon apo duhet të proçedojë kjo zyrë janë të parashikuara në ligjin e sipërcituar, megjithatë referuar korrektësisë, shpejtësisë, efikasitetit në realizmin e shërbimeve nga ana e ZRPP, është diçka për të cilën qytetarët shqiptarë janë ballafaquar me qindra herë duke qenë dëshmitarë të “Shërbimit Exellent të ZRPP” për të cilën nuk dua të ndalem në këtë shkrim.

Fakti shqetësues për të cilin qytetarët rrinë indiferent dhe nuk ankimohen është mungesa e përgjegjësisë nga ana e tyre për të mos denoncuar faktin e cënimit të të drejtave të tyre për një proçes të rregullt ligjor, ku pjesë përbërëse është regjistrimi i vendimeve Gjyqësore të formës së prerë nga ana e kësaj zyre, edhe pse në rastin konkret qytetarët vijnë pas një kalvari të gjatë zvarritjesh në organet administrative dhe gjyqësore për të hasur sërisht në pengesën e rrallës, pengesën e pakapërcyeshme që has gjatë fillimit, vazhdimit, por jo përfundimit të proçedurave përmbarimore, pasi këto të fundit nuk janë të destinuara për të përfunduar.

Duke qenë në këto kushte Gjykata Kushtetuese e R.SH me vendimin Nr 1 dt 21-01-2016 , ka theksuar se ekzekutimi brenda një afati të arsyeshëm i vendimit të formës së prerë të gjykatës duhet konsideruar si pjesë përbërëse e së drejtës për një proçes të rregullt ligjor, në kuptim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ai konsiderohet si faza përfundimtare e realizimit të një të drejte të fituar gjyqësisht pas shumë viteve dhe përballjeve në proçese gjyqësore, dhe vetëm pas realizimit të kësaj faze mund të konsiderohet se individi e ka vendosur plotësisht në vend të drejtën e tij të fituar. Persa me lart, çmoj se qytetarët Shqiptarë mbesin peng të realizimit të drejtave të tyre të cilat për hir të së vërtetes nuk përmbushen kurrë pasi ZVRPP, e ndjen veten aq superiore sa me refuzon regjistrimin e të drejtave të fituara gjyqësisht nga ana e shtetasve Shqiptare duke shkelur haptazi, Kushtetutën Shqiptare, Konventen Europiane të të Drejtave të Njeriut, Ligjin, duke ndikuar në këtë mënyrë cënimin e të drejtave ligjore të tyre.

Duhet të kemi të qartë që proçesi i vendosjes në vend të një të drejte të shkelur përfshin jo vetëm vendimmarrjen e gjykatave, por edhe veprimet konkrete të organeve përgjegjëse të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Asnjë organ shtetëror nuk mund të vërë në diskutim ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe për rrjedhojë detyrohet të marrë masat përkatëse për zbatimin e tyre. Perfundimisht te gjithe ne , apo nje pjese e konsiderueshme ku me shume e ku me pak ballafaqohemi me situatat dhe pengesat e pakapercyeshme qe vijne si rrjedhoje e mosveprimit te institucioneve shteterore , duke na bere spektator të lojës së fuqishme të dy aktorë të fuqishem e konkretisht kërkuesi i cili vazhdimisht ndjek rigorozisht të gjitha veprimet e nevojshme juridike për të finalizuar të drejtën e tij të fituar gjyqësisht, dhe Autoriteti Shteteror ne rastin konkret ZVRPP të cilët (në të shumtën e rasteve) kanë refuzuar vazhdimisht të regjistrojnë vendime gjyqësore të formës së prerë me argumenta të ndryshëm, apo duke mos dhënë argumenta fare, duke cënuar në këtë mënyrë të drejtën për një proçes të rregullt ligjor dhe duke sjell si pasojë mosrealizimin kurrë të të drejtave të tyre.

Eshtë detyrë jo vetëm e qytetarëve që të ngrenë zërin e tyre, duke denoncuar fuqishëm dhe duke e bërë problem madhor, por njëkohësisht dhe detyrë e Ministrisë së Drejtësisë, në varësinë e të cilit ndodhet ZRPP, pasi është detyrë funksionale e organit epror të monitorojë dhe të kontrollojë veprimtarinë e organeve vartëse, duke marrë masat përkatëse që funksionimi i këtyre të fundit të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi, mosushtrimi i këtyre tagrave, për të siguruar që të drejtat e shtetasve të garantohen ose për të korrigjuar gabimet e organit vartës. Për ta mbyllur, më vjen ndër mend shprehja e famshme “Drejtësi e vonuar, Drejtësi e mohuar” dhe shqiptarët më mirë se kushdo e dinë domethënien e kësaj shprehjeje, pasi jane peng i lojës së institucioneve të tyre.

Author

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Egesta Kadillari  e Martë 8 Mars, 2016

    Nje punim shume i realizuar dhe nje realitet i hidhur permes se ciles ende nuk po gjindet zgjidhja , pasi me te vertete eshte shume e trishtueshme qe pas shume vitesh zvarritjesh ne rruget e gjyqesorit , te fitosh me ne fund te drejten tende , dhe ZRPP te mos realizoje detyren e saj sipas ligjit ..........ceshtja qe do shtrohej per diskutim , c fare duhet bere dhe si duhet zgjidhur ky ngerc..... Bravo Sabina shume interesante si teme .