Ambasadori i OSBEsë në Tiranë Bernd Borchardt

A do e ndryshojë Shqipëria sistemin zgjedhor?

Këtë herë e mendojnë të gjithë njësoj, partitë politike ulen të japin propozimet e tyre.

Një shtysë e fortë erdhi dje nga Gjermania, e cila i tha ‘Po’ çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, me kushte.

Pas kësaj u aktivizuan të gjithë aktorët politikë në vend, ambasadat dhe organizatat e huaja dhe sot po diskutohet për sistemin e ri zgjedhor.

Ambasadori i OSBEsë në Tiranë Bernd Borchardt bën thirrje për bashkim dhe dialog, mbi Reformën zgjedhore. OSBE kërkon që partitë politike të japin propozime konkrete për të. "Dialogu mes palëve është shumë i rëndësishëm. Vendi ka nevojë për unitet, dhe patjetër që kjo është sfidë e OSBE", përsëriti ai në një tryezë sot më partitë politike, me temë: “Të mohuar nga sistemi: ngritja e një sistemi gjithëpërfshirës për mbrojtjen e demokracisë”.

Mazhoranca është e hapur për të reformuar sistemin zgjedhor dhe bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri tha sot në tryezën e OSBEsë se: “Duam që gjithëpërfshirja të jetë motoja e vërtetë e këtij komisioni. Menduam bashkë me OSBE-në ta organizojmë këtë tryezë me qëllim që të gjithë pjesëmarrësit të kontribuojnë dhe të ndihen të përfshirë në një akt madhor”.

Ndërsa deputetja socialdemokrate, Nezahat Baradari vlerëson vendimin e parlamentit gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përshëndetur pjesëmarrjen e partive opozitare në tryezën për reformën zgjedhore.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në konferencën për reformën zgjedhore bashkërenduar nga parlamenti dhe Prezenca e OSBE në Shqipëri. Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij tregojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara mbështesin miratimin e reformave të nxitura nga ekspertët zgjedhorë të OSBE/ODIHR në mënyrë që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje që janë të lira nga shtrëngimi, trysnia politike, dhe blerja e votes. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo,” thuhet në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet