Arrestohet deputeti Dardan Moliqaj, mori pjesë në protestën për lirimin e Albin Kurtit

Policia e Kosovës arrestoi në orët e para të mëngjesit të sotëm deputetin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Në një njoftim për shtyp Policia e Kosovës bën të ditur se ka zbatuar një urdhër-arrest të Gjykatës Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamentit të Përgjithshëm.

“Urdhër arresti është nxjerrë më 12 maj dhe në të janë specifikuar detyrimet, për policinë, që i pandehuri D.M, të dërgohet në Objektin e Pallatit të Drejtësisë, saktësisht në Prokurorinë themelore”, theksohet në njoftim.

Sipas policisë, po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për të përmbushur plotësisht urdhrin e gjykatës.

Ndërsa PSD thekson se “Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”.

Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj. /k.s/j.p/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet