Hetim i Prokurorisë, PD përdori fonde nga Rusia për të lobuar në SHBA

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, foli në Kuvend për hetimin ndaj lobimit të PD në Shtetet e Bashkuara me para të dyshuara me origjinë ruse. “Sot u njohëm me refuzimin e kryetarit të PD-së për t’u paraqitur në institucionin e Prokurorisë. E kemi thënë para pak javësh, që po i lënë mandatet sepse e kanë hallin te Reforma në Drejtësi, por një pjesë e atyre që paguhen për të dhënë opinione thanë: ç’lidhje ka kjo reformë me lënien e mandateve. Sot shqiptarët kanë marrë përgjigjen”, tha Balla. Kreu i PD-së, Lulzim Basha refuzoi të paraqitet këtë të enjte përpara prokurorëve për një hetim. “Ky është rasti i parë sesi kryetari i opozitës, pasi ka lënë mandatin për hir të interesave të vendit dhe jo për të bllokuar Reformën në Drejtësi, nuk respekton detyrimin që ka çdo shtetas, nga Presidenti i Republikës deri te më i thjeshti”, tha Balla. “Hetimi nuk po kryhet vetëm nga Prokuroria shqiptare, por po kryhet njëkohësisht edhe nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga autoriteti i drejtësisë së Skocisë. Si mund të guxojë dhe të pretendojë besimin e shqiptarëve, kur Prokuroria e njofton për ta marrë në pyetje për një çështje që i ka lënë gojëhapur miqtë tanë perëndimorë, sesi kryeministri në hije paskësh qenë dy vite më parë i sponsorizuar me parà, që nga hetimi i medieve amerikane shkojnë në 950 mijë dollarë, nga të cilat Basha justifikon as 10 për qind të tyre. 90 përqindëshi nuk ka dalë nga Shqipëria, nuk ka dalë nga financat e PD-së”, tha Balla. Kryetari i grupit socialist tha se nga investigimi rezulton se, “janë edhe dy shtetase të tjera ruse të përfshira në pronësinë e kompanive guackë, që nga dashuria e madhe për Lulzimin kanë përzgjedhur të mbështesin atë për të financuar fushatat e nxirjes së faqes së Shqipërisë në mediet e ndryshme ndërkombëtare, apo fushatën e promovimit të liderit në zbritje të Partisë Demokratike”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet