Basha, Kryeministri po mban në burg kuksianët

“Ky parlament nuk mund të funksionojë pa përjashtimin nga salla e Kuvendit të kryeministrit, prandaj të ngremë zërin dhe të qëndrojmë kundër çdo padrejtësie”, tha sot në parlament kryetari i Partisë Demokratike, Luzim Basha, pasi sipas tij kryeministri është autori që mban në burg 11 kuksianët e arrestuar në protestën e “Rrugës së Kombit”.

Kryetari i Partisë Demokratike tha se duke nisur me ditën e sotme ky parlament nuk mund të funksionojë në seancë parlamentare pa përjashtimin nga salla të kryeministrit të vendit.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e ka këshilluar liderin e opozitës, Lulzim Basha që nuk mund të ndërmarrë veprime për pezullimin e seancës së Kuvendit sepse është në kundërshtim me ligjin, ndërsa fton deputetët të diskutojnë për marrëveshjen me Kosovën.

Më tej, Kryetari i kuvendit, pasi ka ripërsëritur disa herë për vijimin e seancës, pezullon seancën e kuvendit për të normalizuar punën e kuvendit.

Lideri i opozitës Lulzim Basha solli në vëmendje rastin e 11 kuksianëve të burgosur për protestën e “Rrugës së Kombit” si argument për të ndërprerë seancën e kuvendit.

“Sot është dita e trembëdhjetë që 11 kuksianë të pafajshëm mbahen në burg. 11 njerëz të varfër të shpërfillur dhe të rrëmbyer nga shtëpitë e tyre nga prokuroria politika janë në burg. Ky kryeministër që bëri deputet njerëz me precedentë kriminal, vuri në pranga kuksianët e ndershëm”, tha Basha.

Më tej, Basha tha se dua t’u drejtohem sot të gjithë shqiptarëve, mos i harroni kuksianët, ata janë ende në burg, liria dhe dinjiteti i tyre janë të dhunuara.

“Ndaj ne nuk duhet të tolerojmë asnjë padrejtësi sepse ajo është kërcënim kudo në Shqipëri, prandaj të ngrejmë zërin dhe të qëndrojmë kundër çdo padrejtësie”, theksoi Basha.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet