Basha: Ngjarja në aeroport mund të ishte parandaluar

“Ngjarja në aeroportin ‘Nënë Tereza’ tregon dështimin e policisë dhe rënien e shtetit para krimit”.

Kështu deklaroi sot, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa theksoi se “ngjarja mund dhe duhej të ishte parandaluar nëse do të ishte zbatuar urdhri i ministrit të Brendshëm i datës 5 gusht 2018, që blindat të shoqërohen nga policia e shtetit”.

“Qeveria do që rënien e shtetit para krimit t’ia faturojë një kompanie private. Si për gjithçka, vjedhje apo korrupsion nuk mban përgjegjësi, por fajin e kanë të tjerët. Ngjarja e Rinasit nuk është e shkëputur, por pjesë e grabitjeve tronditëse, apo rrëmbimeve, atentateve dhe zhdukjeve”, tha Basha.

Sipas Bashës, “për të mbuluar këtë aferë të tmerrshme, u urdhërua nxjerrja e ushtrisë, pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe autorizim nga Kuvendi, siç e kërkon qartë dhe prerë Kushtetuta dhe ligji për FA”.

Zgjidhja e vetme për të zbardhur dhe çuar para drejtësisë përgjegjësit, sipas kreut të PD-së, është vetëm revolta popullore. Ai ftoi qytetarët për t’u bërë pjesë në protestën e 13 prillit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet