Basha: lidhjet e politikës me krimin e organizuar shkak i krizës

“Shkaku i kësaj krize politike janë zgjedhjet e blera me krimin e organizuar në vitin 2017”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një prononcim për mediet, i pyetur nga gazetarët për deklaratën e kryeministrit Edi Rama se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale. Basha paraqiti si zgjidhje të situatës propozimin e opozitës për largimin e qeverisë.

“Është e qartë për çdo shqiptar, është e qartë për mbarë botën demokratike se Shqipëria është në një krizë të thellë politike.Shkaku i kësaj krize politike janë zgjedhjet e blera. Për të mbrojtur veten e tij dhe të gjithë kupolën e organizatës së “Rilindjes” të kapur nga Prokuroria në mënyrë zyrtare, në bashkëpunim me rrjetet kriminale të drogës, Edi Rama ka kapur edhe drejtësinë, ka shkatërruar pushtetin e tretë, ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese. Pra, jemi në kushtet e një krize totale politike, kushtetuese dhe pa dyshim në kushtet e një krize ekonomike”, vijoi Basha. Basha shtoi se zgjidhja e vetme politike është ajo që ka propozuar Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar. “Së pari, rikthimi i sovranitetit tek populli, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme, parakusht është largimi i Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore, e cila do të zgjidhë duart e Drejtësisë, do të çojë përpara drejtësisë politikanët e kapur duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet e 2017-ës dhe do të kthejë kushtet e besimit qytetar për një proces të rregullt zgjedhor”, tha ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet