Bashkimi europian i bind përfundimisht. OK Byrosë Kombëtare të Hetimit

Qeveria i dha 'OK' sot një prej projektligjeve më të debatuara kohët e fundit, pas shtysës vendimtare të Bashkimi Europian. Përfundimisht, aprovohet themelimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, sipas modelit të propozuar nga demokratët, nën varësinë e Prokurorit të përgjithshëm. Struktura e re, e para në vendin tonë, ngrihet për të luftuar korrupsionin dhe funksionon si pjesë e strukturave policore. Pas kalimit të reformës në drejtësi, ajo do jetë pjesë e njësisë speciale Antikorrupsion.

Objekt i punës së BKH-së janë: a) veprat penale të korrupsionit që janë kompetencë lëndore e Prokurorisë për Krimet e Rënda;

b) veprat penale të parashikuara nga nenet 245/1, 248, 256, 257/a, 258, 287, 294, 295/a dhe 328 të Kodit Penal kur një ose më shumë autorë të dyshuar janë funksionarë të lartë ose të zgjedhur vendorë; c) veprat penale të përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, kur autorët e dyshuar janë subjekte të posaçme, sipas parashikimeve të nenit 75/b, të Kodit të Procedurës Penale.

Organizimi dhe funksionimi administrativ i saj do të bëhet me udhëzim të ministrit të Brendshëm me propozim të Drejtorit të policisë së shtetit. Veprimtaria e tij kontrollohet dhe drejtohet nga prokurori i Përgjithshëm.

Drejtori (Drejtues i lartë) duhet të vijë nga radhët e policisë së Shtetit. Pas mbarimit të mandatit, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e mëparshëm ose në një funksion të të njëjtin nivel. Drejtori ka të drejtë të përfitojë të njëjtën pagë, kur ky funksion mungon.

Figura e tij duhet të jetë e pastër. Drejtori nuk duhet të këtë qenë i dënuar më parë për vepra penale, apo fajtor për shkelje të rënda disiplinore. Të gjithë kandidatët duhet të kenë a) a) Të ketë vetëm shtetësi shqiptare; b) Të ketë arsim policor dhe arsim të lartë juridik ose ekonomik; c) Të ketë gradën “Drejtues i parë” ose “Drejtues”; ç) Të ketë përvojë mbi 7 vite në hetimin e veprave penale të fushës së korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda; d) Të ketë aftësi dhe cilësi të larta profesionale dhe morale; dh) Të mos jetë nën efektet e një mase disiplinore; e) Të mos ketë qenë i dënuar për ndonjë vepër penale në Shqipëri apo në ndonjë shtet tjetër; ë) Të ketë kaluar me sukses kontrollin me poligraf të tërësisë morale dhe motivimit.

Në BKH do të ketë dhe një ose më shumë përfaqësues të prokurorit të Përgjithshëm (prokurorë të shkallës së parë për krimet e rënda). Detyra e tyre është mbikqyrja e veprimtarisë proçedurale që kryhet nga BKHja, por ndjekjet penale për BKHnë, mund tu caktohen vetëm prokurorëve të autorizuar të shkallës së parë për krimet e rënda. Janë vetë prokurorët e BKHsë ata që i sugjerojnë Drejtorit të BHKsë masa disiplinore për punonjësit e BKHsë. Prokurorët e caktuar në BKH kanë akses të plotë në të dhënat dhe informacionet që lidhen me cilindo hetim të BKHsë dhe mbajnë marrëdhënie të përhershme me punonjësit e BKHsë.

Drejtori i BKHsë lirohet kur: a) përfundon afati i qëndrimit në detyrë; b) jep dorëheqjen; c) mbush moshën e pensionit; ç) i hiqet ose i kufizohet zotësia për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë.

Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit shkarkohet nga detyra kur a) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; b) Për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës; c) Për sjellje në kundërshtim me rregulloren e Policisë së Shtetit, që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij; ç) Për shkelje të rënda dhe tepër të rënda të disiplinës në ushtrimin e funksioneve të tij; d) Kur dalin fakte të reja që bien në kundërshtim me kriteret e vendosura për emërimin e tij.

Lirimin e tij e firmos ministri i Brendshëm me propozim të drejtorit të policisë së Shtetit dhe pëlqimit paraprak, me shkrim, të prokurorit të Përgjithshëm.

Punonjësi i BKHsë zgjidhet në radhët e punonjësve të policisë ose nga jashtë organizatës së policisë dhe përzgjedhja kryhet me një proçes të hapur e transparent, sipas rregullave dhe proçedurave të parashikuara nga ky ligj. Emërimi i punonjësit në BKH bëhet nga Drejtori i PSH, me propozimin e Drejtorit të BKHsë. Për oficerët e Policisë Gjyqësore jepet miratimi paraprak nga Prokurori i Përgjithshëm.

Çdo person mund të bëjë kërkesë për t’u bërë anëtar i BKHsë nëse: a) Është shtetas shqiptar; b) Ka arsim policor dhe diplomë të arsimit të lartë të ciklit të parë apo të dytë të studimeve në fushat drejtësi apo ekonomik si dhe në çdo fushë tjetër që ka lidhje me objektin e veprimtarisë së BKH-së, të përfunduar në një universitet të vendit ose të huaj; c) Ka mbi 1 vit përvojë punë në polici ose në fushën ku kërkohen njohuritë specifike; ç) Ka përmbushur me sukses kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimit të BKH.

Pagat e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Demokratët këmbëngulën për miratimin e pr/ligjit sipas modelit të misionit amerikan OPDAT, por Qeveria kishte thënë se projekti duhej shqyrtuar nga Komisioni i reformës në drejtësi, për të parë nëse nevojitet të miratohet ose jo në varësi të ndryshimeve kushtetuese.

Në Qershor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese rrëzoi krijimin e BKHsë, funksionimi i së cilës parashikohej në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit”, i miratuar në vitin 2014 me votat e maxhorancës duke e cilësuar të papajtueshëm me Kushtetutën.

FBIja amerikane do të ndihmojë shqiptarët për funksionimin e institucioni pranë organit të policisë (neni 26/1) dhe ka kompetencë në të gjithë territorin e vendit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet