Bushati, kriza e refugjatëve e ndarë nga proçesi i anëtarësimit

TIRANE - Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati mori pjesë në Konferencën vjetore të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Vishegradit (Çeki, Hungari, Poloni, Sllovaki) dhe atyre të Ballkanit perëndimor, që u zhvillua sot në Pragë.

Zyra për shtyp e ministrisë së Jashtme, informon se krahas bisedimeve për mekanizmat e përforcimit të bashkëpunimit rajonal, në kuadër të procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, patën një rendësi të veçantë dhe diskutimet mbi rezultatet e raporteve të Komisionit Evropian për vendet e rajonit.

Gjatë bisedimeve Ministri Bushati theksoi se “kriza e refugjatëve nuk duhet të përbëjë kurrsesi pengesë dhe duhet parë e ndarë nga procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.”

“Kriza aktuale ka treguar ndërvarësinë midis vendeve anëtare dhe atyre kandidate çka e bën të nevojshme qasjen gjeostrategjike të BE-së kundrejt këtij fenomeni”, u shpreh ministri Bushati.

Në një deklaratë të përbashkët, vendet e Vishegradit shprehen gatishmërinë për të asistuar me hapa teknike dhe financiare ngritjen e një rrjeti efektiv koordinatoresh, për të siguruar një bashkëpunim të qëndrueshëm me partnerët e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër trafikimit dhe kontrabandës.

Gjatë qëndrimit në Çeki ministri Bushati mori pjesë edhe në Samitin Evropian të Pragës, qëllimi i të cilit është të stimulojë debatin mes politikëbërësve të nivelit të lartë dhe opinionbërësve nga e gjithë Evropa për çështje që shqetësojnë sot Bashkimin Europian.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet